Dita Botërore e Bletës: Dhuroni dashuri dhe vëmendje, bleta do t’ua kthejë shumëfish

“Mos kini frikë, tani janë lozonjare për shkak të motit të nxehtë dhe nuk do të bëjnë asgjë derisa të ndihen të shqetësuara dhe sigurisht nëse keni kapelë të veçantë që ju mbron nga thumbimet”, me këto fjalë, në atmosferë të këndshme, nën diellin e ngrohtë të majit, nga i cili u mbrojtëm me kapele të specializuara për bletarët, e filluam intervistën me bletarin Mirçe Milloshevski – Maks, i cili në fshatin Neproshten të Tetovës ka një parajsë, në dukje e vogël, por mjaft e madhe për të kultivuar bletë, përcjell Portalb.mk.

Me rastin e ditës së sotme, 20 maji, që shënohet si Dita Botërore e Bletës, ekipi i “Meta.mk” e vizitoi bletarinë e bletarit Milloshevski.

Ndonëse pak para se të mbërrinim ne sapo i kishte përfunduar detyrat e mëngjesit rreth bletëve, ai me kënaqësi e hapi derën e bletarisë së tij ku kishte pesëdhjetë koshere për kultivimin e një prej, siç i quan ai, specieve më të veçanta të kafshëve – bletë.

“Këto koshere që shihni këtu quhen Lanstrot, por ka modele të tjera si Dadanblat, Farer, “të Pollogut”, megjithatë unë zakonisht i shfrytëzoj Lanstrot për shkak të komoditetit të kapacitetit për dhjetë korniza. Në çdo kornizë, të secilës koshere, ka një mbretëreshë që është e vetmja bletë e pjekur seksualisht dhe të cilën vetë bletët e bëjnë mbretëreshë që e krijojnë në kornizat amë. Çdo mbretëreshë është në gjendje të lëshojë nga 200 deri në 2000 vezë në ditë, është përgjegjëse për ruajtjen dhe zhvillimin e një familjeje të caktuar bletësh. Nëse bllokohet dhe dështon të prodhojë vezë, mund të fluturojë jashtë dhe kështu të tërheqë grup të tërë bletësh nga familja, e pas kësaj zakonisht formohet familje e re, natyrisht, me mbretëreshë të re”, shpjegon Milloshevski, i cili ka 20 vjet që merret me apikulturë stacionare.

Ai shton se në çdo kornizë ka më shumë bletë meshkuj, gjegjësisht grerëza që krijohen nga vezët e pafertilizuara, bletët punëtore (bletët femra), të cilat krijohen kur një grerëz e mbarëson mbretëreshën, ndërsa çdo kornizë mund të ketë deri në dy mbretëresha, nga të cilat më e forta, më e afta mbijeton dhe mbetet unike.

Gjatë bisedës u afruam te bletët me qetësi, pa shumë lëvizje të duarve, për t’u treguar se nuk jemi aty për të ndërhyrë në punën e tyre. Bletari, mikpritësi ynë, e përdori një vegël për të bërë tym që t’i qetësojë ato, vegël  që në apikulturë njihet si “tymosja e bletëve”.

“Këtu mund të shohim edhe bletët ‘roje’ që e ruajnë ‘shtëpinë’ e tyre. Bletët e secilës koshere kanë erë të ndryshme, ndërsa bletët kanë nuhatje shumë të zhvilluar dhe për këtë ato e kafshojnë njëra-tjetrën, kurse janë “rojet” që janë në detyrë për të mos lejuar bletët të përzihen me bletët e ndonjë shtëpie tjetër, kurse nëse ndjejnë ndonjë bletë që nuk është pjesë e familjes së tyre dhe është më e dobët se ato, kryejnë “vjedhje”, që do të thotë se janë në gjendje të shkatërrojnë tërë familjen e cila jeton në kosheren tjetër ose në atë në afërsi. Përveç kësaj, bletët nuk e durojnë erën e parfumit dhe gjithmonë kërkojnë nga bletari që të jetë i pastër, gjegjësisht të mos jetë i djersitur sepse i shqetëson dhe mund ta thumbojnë”, tha Milloshevski.

Në lidhje me shumëzimin e familjes së bletës, sqaron se ajo varet nga numri bletëve që ka familja, sa të shëndetshme dhe të forta janë, sa vezë do të prodhojë mbretëresha, megjithatë kjo nuk përjashtohet nga fakti që çdo stinë numri i bletëve është i ndryshëm. Ai thekson se është e rëndësishme që mbretëreshat të ndërrohen një herë në vit për shkak të pjellorisë së tyre, e cila pas një viti zvogëlohet, ndërsa mbretëreshat mund të jetojnë deri në pesë vjet, prandaj asnjë mbretëreshë  nuk duhet të vritet, por duhet të lirohet dhe pas kësaj ajo vazhdon të jetojë në natyrë.

Fatkeqësisht, kur lëvizin ose jetojnë pranë bimëve, për kultivimin e të cilave përdoren pesticide, bletët nuk mund të mbijetojnë shumë gjatë. Ata jetojnë deri në 21 ditë gjatë sezonit të bletëve ndërsa punojnë me mjaltë, ndërsa ka bletë gjashtë muajsh që jetojnë nga gushti deri në janar.

“Për çdo kultivues të bletëve është e rëndësishme që të zgjedhë mjedis të përshtatshëm ku bletët nuk do të jenë në kontakt të afërt me pesticide, por ku natyra është e hapur ndaj tyre dhe mund të shkojnë ku të duan. Përveç kësaj, bletët kërkojnë trajtime të veçanta dhe shërim kur është e nevojshme. Ka ilaçe që i ndihmojnë bletës të shërohet nëse sëmuret. Për shembull, ekziston një rriqër blete që trajtohet dhe më në fund zhduket. Mendoj se kushdo që dëshiron të merret me bletari duhet të ketë parasysh se duhet të investohet në to, pa kursyer dashuri, vëmendje dhe mjete që bletët t’ua kthejnë pastaj. Nuk kursej kurrë në ato gjëra dhe mendoj se ato ma kthejnë”, sqaron i kënaqur bletari Milloshevski.

Apikultura e realizuar me trajtim dhe ushqim përkatës mundëson që popullata e bletëve të mbijetojë më gjatë, duke i reduktuar ashtu shanset që ajo të bëhet specie të rrezikuar. Përveç kësaj, bletaria është përfitim i madh për njerëzimin, me ç’rast zhvillohet marrëdhënie simbiotike midis natyrës dhe njeriut.

“Mbledhës i polenit” – bletët hyjnë brenda nëpërmjet një sirtari anësor, ndërsa dalin nga vrimat e vogla ku lirohet poleni brenda kutisë; bletari nuk duhet ta lërë sirtarin hapur për më shumë se 2 orë pasi bletët do të lodhen.

Bashkëbiseduesi ynë, njëherazi adhurues i madh, i insektit më të vlefshëm dhe më të zgjuar siç i cilëson ai, përveçse kujdeset për bletët e tij, çdo vit mban një fletore me të dhëna për secilën kuti veç e veç, në mënyrë që vazhdimisht të zhvillojë familje të reja me bleta dhe mbretëresha të shëndetshme.

“Gjatë sezonit, është e rëndësishme që bletari të ndërrojë kornizat në kafaze dhe rekomandohet të bëhet në masën 50 deri në 60 për qind të numrit total të tyre. Bletët reagojnë ndaj motit, kur është shumë vapë dalin nga kafazi dhe fluturojnë rreth tij, ndërsa kur bie shi apo bën ftohtë dimrin, bletët gjashtëmuajshe hyjnë brenda dhe pothuajse nuk dalin fare. Nëse është shumë ftohtë për një periudhë të gjatë kohore, ato jetojnë deri në 45 ditë. Gjithashtu gjatë dimrit bletët e tjera dalin, shkojnë në jug, pra nga ana ku perëndon dielli dhe sjellin ushqim për mbretëreshën. Për t’ua lehtësuar punën, unë e nxjerri një kornizë ashtu që në secilën koshere ka nëntë në vend të dhjetë kornizave”, thotë Mirçe.

Sa i përket sasisë dhe cilësisë së mjaltit që prodhohet brenda një stinë, bletari thotë se këtë e vendos vetë natyra, si dhe bima, polenin e së cilës e përdorin bletët.

“Vitet e fundit nuk kanë qenë shumë të favorshme për bletari, le të themi se ka pasur vite më pjellore, por kjo nuk duhet të ndikojë në mënyrën e rritjes së bletëve. Duhet durim, punë e palodhur dhe përpjekje. Bletët kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe vetëm ai që punon me to mund ta kuptojë fenomenin dhe dinakërinë e kësaj kafshe të vogël që din t’i japë aq shumë njeriut”, përfundoi Milloshevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button