RMV, mospajtimet pushtet-opozitë në Kuvend zvarritin miratimin e njërit prej ligjeve që ndihmon reformën në drejtësi

Propozim-ligji për Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik, për të cilin propozues është Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ndodhet në procedurë parlamentare që nga shtatori i viti të kaluar, përkatësisht në lexim të parë. Ky projekt-ligj është me flamur evropian. Nuk dihet akoma se kur do të miratohet edhe pse sjellja e këtij ligji buron nga nevoja për reformim të gjyqësorit në vend, të përcaktuar në Strategjinë për reformën e sektorit të drejtësisë, qëllim edhe i Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE, transmeton Portalb.mk.

Nga Akademia e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik nuk ishin në dijeni se deri në cilën fazë ndodhet ky ligj, e vetmja gjë që dinin ishte se ndodhet në procedurë parlamentare. Ndërkohë, është ky institucion më shumë se gjithë të tjerët që duhet të ngrejë zërin për përshpejtimin e miratimiit të këtij ligji.

“Lidhur me këtë ligj ju njoftojmë se sipas informacioneve që disponojmë është ende në procedurë parlamentare. Në këtë kontekst, ne do ju udhëzojmë që të kontaktoni Kuvendin e RMV-së ose ueb-faqen e tyre për informacionin e kërkuar”, thanë për Portalb.mk nga Akademia për gjyqtarë dhe prokurorë publik.

Ashtu si shumë ligje të tjera, edhe ky mbetet në labirinteve të Kuvendit me muaj apo edhe me vite të tëra. Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski disa muaj më parë, kërkoi përkrahje në Kuvend për zgjidhjet e propozuara ligjore që janë me interes publik, përfshirë këtu edhe ligjin për akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë.

VMRO-DPMNE, kur ligji u dorëzua në Kuvend, akuzoi se qeveria po manipulon me institutin “Flamuri evropian”, si me shumë të tjerë edhe me projektligjin për Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë.Tekst i njëjtë i ligjit, sipas kësaj partie, është dorëzuar në Kuvend në gushtin vitit të kaluar në procedurë të rregullt, që më vonë i njëjti të tërhiqet nga Qeveria dhe të ridorzohet nën flamurin e Bashkimit Evropian.

Sipas kësaj partie në zgjidhjen ligjore ekzistuese, ndikimi subjektiv i Komisionit të pranimeve, para të cilit jepet vetëm pjesa gojore e provimit, është maksimumi 15% e notës totale për çdo kandidat, për dallim nga ndryshimet ligjore të propozuara, ku ndikimi subjektiv do të arrijë në 50%.

“Me ndryshimet e propozuara ligjore, propozohet që pjesa me shkrim dhe me gojë të merren para Komisionit të Pranimeve dhe të kenë pjesëmarrje prej 50% në notën e përgjithshme për kandidatin, që është ndikim shumë i madh subjektiv dhe autoritet diskrecional në notën e kandidatit. Fakti që Komisioni i pranimit dhe Këshilli i Programit do të jenë anëtarë të një personi të emëruar personalisht nga Ministri i Drejtësisë gjatë dhënies së provimit me shkrim dhe me gojë, do të nënkuptojë ndikimin e drejtpërdrejtë partiak të Ministrit të Drejtësisë dhe autoritetin e tij diskrecional në vlerësimin e kandidatëve, dhe rrjedhimisht edhe në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë”, patën deklaruar nga kjo parti kur u dorëzua propozim ligji në Kuvend.

Ata paralajmëruan, që për këtë keqpëdrorim të LSDM-së, të informojnë OSBE-në, Komisionin Evropian, Ambasadën amerikane dhe Ambasadën franceze, të cilët janë financuesit e kësaj akademie dhe angazhimin e tyre për reformat në sistemin gjyqësor.

Synimi kryesor i propozimit të këtij ligji është qëllim strategjik në Strategjinë e reformës në sektorin e drejtësisë, i përcaktuar si: unifikimi i praktikës gjyqësore nëpërmjet rritjes së vëllimit të trajnimeve për gjyqtarët në kuadër të Akademisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, kritere të reja ligjore për përbërjen e organeve menaxhuese dhe drejtuese të Akademisë, si dhe ridefinimin e mënyrës së dhënies së provimeve pranuese dhe përfundimtare në bazë të kritereve matëse dhe objektive për vlerësimin e njohurive të kandidatëve. Gjithashtu qëllimi bazë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian kërkon vazhdimin e reformave në fushën e gjyqësorit dhe avancimin e tij të mëtejmë, sidomos tani kur Maqedonia është në hapat e para të nisjes së negociatave me BE-në.

Gjatë hartimit të zgjidhjes ligjore janë marrë parasysh rekomandimet e misionit vlerësues të TAIEKS-it për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik nga prilli 2018. Rekomandimet kanë të bëjnë me përbërjen e organeve menaxhuese dhe drejtuese dhe mandatin e tyre, ridefinimin e mënyrës së dhënies së provimeve pranuese dhe përfundimtare, zvogëlimin e afateve për paraqitjen dhe marrjen e vendimit për kundërshtimet dhe ankesat për rezultatet e provimit pranues dhe forcimin e mënyrës së kryerjen e trajnimit të vazhdueshëm, për të cilin është arritur pajtueshmëria e plotë.

“Për arsyet e lartpërmendura, vlerësohet se është e patjetërsueshme që t’i qasemi përgatitjes së një teksti të ri të ligjit sepse ai do të pësonte ndryshime në më shumë se 80% të dispozitave”, thuhet në arsyetimin ligjor.

Ndryshe, gjenerata e tetë e kandidatëve në Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë (AGjPP) do të numërojë 97 kandidatë dhe është gjenerata më e madhe që do të ndjekë trajnimin për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhëm publikë që nga viti 2006. Drejtoresha e AGjPP-së, Natasha Gaber Damjanovska, në një deklaratë për media pas ngjarjes për pritjen e gjeneratës së tetë, tha se në ndërkohë, në pjesën e tyre praktike të mësimit në vazhdim po marrin pjesë edhe 59 kandidatë të tjerë (gjenerata e shtatë), për të cilët ajo shpreson se në fund të nëntorit do ta kalojnë me sukses provimin përfundimtar dhe do të plotësojnë pozitat që do të mbeten vakante në gjyqësi dhe prokurori.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka më shumë gjyqtarë se sa kërkojnë vetë standardet evropiane, por përsëri ka mungesë të tyre. Kjo në shikim të parë duket paradoksale, por në fakt arsyeja e mungesës së tyre, është për shkak të lëndëve të tepërta, të cilat nuk janë përpunuar ende dhe nuk kanë epilog përfundimtar, që mund të çojë në vjetërsimin e lëndëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button