fbpx

Pendarovski letër Zelenskit: Ukrainasit me heroizëm mbrojnë vendin e tyre

Pendarovski i dërgoi letër presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në të cilën shprehu mbështetjen e tij për popullin ukrainas dhe përgëzoi Zelenskyn për kandidaturën e tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian, informuan nga kabineti i presidentit, transmeton Portalb.mk.

“Tre muajt e fundit, qytetarët e Ukrainës kanë mbrojtur heroikisht vendin e tyre, dhe në këtë mënyrë të gjithë kontinentin evropian dhe vlerat universale të demokracisë në të cilat besojnë shtetet dhe popujt paqësorë të cilëve ne i përkasim. Në këtë drejtim, ukrainasit kanë vërtetuar me vepra konkrete se i përkasin familjes evropiane dhe janë të gatshëm të hedhin hapat e parë drejt nisjes së procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Si një mbështetës prej kohësh i idesë së një Evrope të Bashkuar, jam plotësisht i bindur se sot, kur lufta kthehet në tokën evropiane, Bashkimi duhet të marrë vendime të rëndësishme politike, në mënyrë që procesi i zgjerimit të mos ndalet në Ballkanin Perëndimor, por të vazhdojë me të gjitha vendet paqësore evropiane që ndajnë vlerat e demokracisë”, thuhet në letrën e presidentit Pendarovski drejtuar presidentit ukrainas Zelensky.

Në vazhdim të letrës, Pendarovski thekson rëndësinë e anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke shprehur shpresën se Ukraina do të çlirohet nga okupatori rus në një të ardhme të afërt.

“Duke u nisur nga ky konstatim i imi, dëshiroj t’ju përgëzoj për plotësimin me sukses të pyetësorit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të nënvizoj se Republika e Maqedonisë së Veriut si vend kandidat mbështet rrugën evropiane të Ukrainës mike dhe marrjen e statusit kandidat gjatë Këshillit të Evropës në qershor të këtij viti.  Besoj se një rezultat i tillë do të jetë i drejtë dhe logjik dhe do të mbështesë përpjekjet e Ukrainës në rrugën e integrimit evropian, si dhe nxitje shtesë për të zbatuar reforma të mëtejshme thelbësore të brendshme për afrimin tuaj praktik me Unionin. Në fund të fundit, aspiratat evropiane nuk na duhen si trofe politik, por si instrument dhe proces gjatë të cilit do të ndryshojmë dhe reformojmë për të arritur standardet e nevojshme me të cilat njihen demokracitë evropiane. Në këtë kontekst presim konfirmim se edhe miqtë tanë evropianë e njohin dhe e vlerësojnë atë. Zotri President, me shpresën e çlirimit pothuajse të plotë të vendit tuaj nga okupatori, më lejoni edhe një herë të shpreh respektin tim më të lartë dhe t’ju uroj shëndet të mirë dhe suksese në kryerjen e funksionit tuaj të përgjegjshëm në këto kohë të vështira”, thuhet në letrën e Pendarovskit. 

Ndryshe, Ukraina ndodhet në luftë që nga 24 shkurti, kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button