Keqpërdorimi i të dhënave personale të abonentëve të telefonisë celulare përmes fushatave të marketingut

Festat janë gjithmonë një mundësi për kompanitë që merren me shitje që të organizojnë fushata të ndryshme marketingu për t’i promovuar produktet e tyre. Për këtë qëllim, shpesh ndodh t’u telefonojnë “sipas zgjedhjes së rastit” klientëve të ardhshëm duke ofruar kupona (vauçerë) me vlerë të caktuar dhe zbritje joshëse. Por nuk është e qartë se si i gjejnë numrat privatë të abonentëve të telefonisë celulare, shkruan Meta.mk.

Personat që e bëjnë këtë lloj të marketingut të drejtpërdrejtë dhe me të cilët ka biseduar Meta.mk, nuk kanë një përgjigje konkrete se nga e kanë marrë numrin e telefonit ku janë lajmëruar. Ata janë aq të hutuar nga kjo pyetje, saqë e ndërpresin bisedën.

Autoritetet e tyre gjithashtu, pa u përgjigjur, i bindin konkretisht qytetarët se ndoshta ndonjë mik i tyre i ka rekomanduar gjatë prezantimeve publike, të cilat  mbahen në restorante, por nuk kanë përgjigje as se kush ishte miku i tyre, e as kur dhe ku është mbajtur prezantimi në të cilin gjoja e kanë marrë numrin privat të telefonit.

Ata thonë gjithashtu se ekziston mundësia që ta kenë gjetur numrin në ndonjërën nga ueb-faqe me reklama për shitjen e patundshmërive dhe të ngjashme. Por, as për këtë nuk kanë të dhëna.

Edhe pse telefonatat e këtilla nuk janë të këndshme për shumëkënd, bëhet fjalë edhe për përdorim të paautorizuar të të dhënave personale.

Redaksia e Meta.mk ka kërkuar përgjigje edhe nga dy ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve të telefonisë celulare, Telekomi i Maqedonisë, Sh.A. Shkup dhe A1, se si veprojnë për mbrojtjen e numrave privatë të abonentëve të telefonisë celulare dhe nëse ka mundësi që ndonjë kompani ta blejë listën e numrave telefonikë për celularë, por deri në publikimin e këtij teksti, përgjigje morëm vetëm nga Telekomi i Maqedonisë.

Nga aty thonë se të dhënat personale të përdoruesve janë prioriteti kryesor dhe se kompania vazhdimisht kujdeset për të dhënat e bazës së saj të përdoruesve.

“Bazat e të dhënave personale të përdoruesve tanë mbrohen me masa teknike dhe organizative për të maksimizuar sigurinë e të dhënave dhe ne i përpunojmë ato vetëm për qëllime të përcaktuara me ligj ose për qëllime për të cilat kemi pëlqimin e përdoruesve (krijimi dhe realizimi i një marrëdhënie abonuese)” – thonë nga Telekomi i Maqedonisë.

Ata sqaruan gjithashtu se për qëllime marketingu, kompania përpunon të dhëna vetëm për përdoruesit që kanë dhënë pëlqimin për marketing të drejtpërdrejtë dhe profilizim.

“Përveç kësaj, marrëveshjet për marketing të drejtpërdrejtë që i mbledhim nga klientët përdoren ekskluzivisht për qëllime të reklamimit të shërbimeve që i ofron Telekomi i Maqedonisë. Kompania nuk ua shet koleksionet e saj të të dhënave palëve të treta, e as palët e treta nuk kanë qasje të paautorizuar në koleksionet tona të të dhënave,” theksojnë nga Telekomi i Maqedonisë, duke shtuar se kompania nuk ka kontroll se ku i lënë përdoruesit numrat e tyre të telefonit dhe kush i merr dhe nga ku, si dhe për çfarë qëllimesh përdoren këto të dhëna personale nga palët e treta.

Prandaj, nga Telekomi i Maqedonisë thonë se kompania nuk mund të jetë përgjegjëse për mënyrën se si trajtohen koleksionet e të dhënave personale nga palët e treta.

Gjithashtu, kompania nuk ka dhe nuk mund të ketë kontroll se ku i lënë përdoruesit numrat e tyre të telefonit dhe kush dhe ku i merr ato, si dhe për çfarë qëllimesh përdoren këto të dhëna personale nga palët e treta. Sipas asaj që u tha më më sipër, Telekomi i Maqedonisë nuk mund të jetë përgjegjës për mënyrën e trajtimit të koleksioneve të të dhënave personale nga palët e treta.

Siç sqarojnë për Meta.mk nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDhP), sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave personale, përpunimi i numrit të telefonit të subjektit të të dhënave personale (qytetarit) për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë lejohet vetëm nëse të dhënat përpunohen pasi subjekti i të dhënave personale të ketë dhënë pëlqim të qartë për këtë.

“Për këto arsye, pëlqimi është e vetmja bazë e mundshme ligjore për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë. “Kontrolluesi (personi juridik) duhet t’i mundësojë qytetarit që ta tërheqë pëlqimin e dhënë më parë në çdo kohë në mënyrë të thjeshtë”, theksuan nga AMDhP-ja.

Sipas ekspertes për mbrojtjen e të dhënave personale, Elena Stojanovska, e cila gjithashtu konsideron se të gjitha të dhënat personale që një kompani synon t’i përdorë për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë dhe për shitje duhet të jenë marrë me pëlqimin e personit të cilit i referohen ato të dhëna, dhe pëlqimi si bazë ligjore për përpunimin e të dhënave personale është specifike në shumë aspekte.

“Gjëja më e rëndësishme për kompanitë është të dinë se pëlqimi duhet të jepet për qëllim konkret (në këtë rast është për reklamim dhe për kryerjen e shitjeve përmes telefonit). Përgjigja konkrete për pyetjen do të ishte që një kompani që merret me shitje përmes telefonit mund të përdorë vetëm numra telefoni që janë pjesë e një libri publik të telefonave, gjegjësisht numrat e personave që kanë rënë dakord që numrat e tyre të jenë publikisht të disponueshëm për të gjithë” – tha Stojanovska.

Mirëpo, ajo shprehu dyshimin se është kështu, duke qenë se telefonatat për të cilat flasim janë kryesisht në numrat e telefonit celular të qytetarëve, ndërsa në librin publik të telefonave mbi 90 për qind përmban numra të telefonisë fikse.

Foto: Daniel Romero on Unsplash

Stojanovska tha se ekziston mundësia ligjore për tregti me të dhëna të tilla personale, por vetëm nëse kompania mund të dëshmojë se personat, numrat e telefonit të të cilëve i ka dhe i përdor, janë pajtuar në mënyrë eksplicite për këtë. E për të vërtetuar se ka marrë pëlqimin, duhet të ketë pëlqim me shkrim, elektronik, të marrë me sms ose e-mail ose me biseda të regjistruara, por vetëm nëse regjistrimi i bisedave është miratuar më parë nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. .

Gjithashtu, sipas parimeve që kanë të bëjnë me përpunimin e të dhënave personale, të përcaktuara në dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kompanitë duhet të kenë evidencë se si e kanë marrë një numër të caktuar telefoni privat që e përdorin për qëllime marketingu.

Por, siç thekson ajo, kompanitë duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë se njerëzit, numrat e telefonit të të cilëve i kanë dhe i përdorin, janë pajtuar në mënyrë eksplicite për këtë.

Për të vërtetuar se ka marrë pëlqimin, duhet të ketë pëlqim me shkrim, elektronik, të marrë me sms ose e-mail ose me biseda të regjistruara, por vetëm nëse regjistrimi i bisedave është miratuar më parë nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, shpjegoi Stojanovska, duke shtuar se duhet të merret parasysh fakti se rrallë herë përpunimi përfundon në momentin e shitjes.

“Aktivitetet që kompanitë i ndërmarrin më tutje kanë të bëjnë me edhe me profilizimin dhe targetimin në përputhje me zakonet dhe nevojat e konsumatorëve, dhe për këtë nevojitet një pëlqim i ri” – tha Stojanovska.

Në rast të keqpërdorimit të të dhënave personale, AMDhP-ja mund të mbikëqyrë edhe përpunimin e të dhënave personale të mbledhura për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, gjegjësisht nëse personat juridikë i respektojnë dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë kryerjes së marketingut të drejtpërdrejtë.

Kompanitë që shesin përmes marketingut të drejtpërdrejtë telefonik edhe për shkak të bazës specifike ligjore për përdorimin e të dhënave personale duhet të kenë gjithmonë prova, edhe në rast se numrat e telefonit të klientëve të ardhshëm i kanë marrë nga miqtë ose të afërmit e tyre, dhe gjithashtu nuk mund të përdorin numra që janë publikuar në reklama të ndryshme.

“Nëse një i afërm apo mik ka dhënë një numër telefoni, është e pamundur që kompania të dëshmojë se personi të cilit i takon numri në fjalë i telefonit është i informuar dhe pajtohet me këtë. Numrat e telefonit që qytetarët i kanë publikuar në ndonjë reklamë, janë publikuar për t’u kontaktuar për të njëjtën reklamë, e jo që çdokush t’u lajmërohet për çfarëdo qëllimi. “Në këtë rast, pëlqimi eksplicit është dhënë nga personi ekskluzivisht për qëllimet e reklamimit” – tha Stojanovska.

Për t’i mbrojtur të dhënat e tyre personale në rast keqpërdorimi, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë informacion konkret se nga janë marrë të dhënat e tyre personale, për identitetin e kompanisë, për të gjitha mënyrat në të cilat kompania i përdor të dhënat e tyre, nëse i ndan me ndonjë person tjetër juridik, për sa kohë i mban, si dhe kush është nëpunësi për mbrojtjen e të dhënave personale nga i cili mund të kërkohet ndihmë.

Stojanovska theksoi se më e rëndësishmja është e drejta për të tërhequr pëlqimin (me kusht që paraprakisht ta kenë dhënë pëlqimin) në çdo kohë, në mënyrë të lehtë dhe të thjeshtë, ndërsa kompania duhet të ketë parasysh se secili nga klientët mund të kërkojë të largohet nga baza e të dhënave dhe të mos kontaktohet në të ardhmen.

“Ndaj një kërkese të tillë, kompania duhet të përgjigjet menjëherë dhe pa vonesë dhe t’i heqë të dhënat nga baza e të dhënave për të parandaluar përpunimin e mëtejshëm të paligjshëm” – tha Stojanovska.

AMDhP-ja gjithashtu i këshillon qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u informuar në lidhje me përpunimin e të dhënave të tyre personale nga personi juridik që i përpunon të dhënat e tyre personale, si dhe ta ushtrojnë të drejtën për fshirje, e cila vlen:

  • kur të dhënat personale nuk nevojiten më;
  • kur personi e tërheq pëlqimin mbi të cilin bazohet përpunimi / ka paraqitur kundërshtim për
  • përpunimin;
  • kur kontrolluesi i përpunon të dhënat personale për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë;
  • në rast të përpunimit të paligjshëm;
  • në rast të një detyrimi të përcaktuar me ligj; dhe
  • kur të dhënat personale mblidhen për ofrimin e shërbimeve informatike.

Agjencia shton se nëse kontrolluesi nuk vepron në lidhje me kërkesën për tërheqjen e pëlqimit për marketing të drejtpërdrejtë nga qytetarët, ata kanë të drejtë të paraqesin Kërkesë për konstatimin e shkeljes së të drejtës për mbrojtje.

Megjithatë, pavarësisht rregullativës ligjore, çështja nëse ekziston një formulë e suksesshme që do të na mbrojë nga keqpërdorimi i të dhënave tona personale, duke përfshirë edhe keqpërdorimin e numrave tanë të telefonit celular, mbetet e hapur.

“Nuk jam e sigurt se ka një formulë të suksesshme që do të na mbrojë, por jam e sigurt se mund të jemi më të kujdesshëm sa herë që i lëmë diku të dhënat tona personale. Duhet ta kemi zakon të kërkojmë informacione, t’i lexojmë Politikat e privatësisë, të ndërgjegjësohemi se çfarë ndodh në të vërtetë pasi ia zbulojmë dikujt të dhënat tona personale, të kuptojmë se kujt mund t’i drejtohemi në rast të një problemi”, tha Stojanovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button