Dështoi raundi i parë për zgjedhjen e presidentit në Shqipëri, Edi Rama paralajmëroi zgjidhje të problemit në xhiron e katërt

Këtë të hënë ka dështuar raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në seancën plenare nuk u paraqit asnjë kandidaturë, ndaj dhe nuk pati votim, raporton EN. Deputetja socialiste, Klotida Bushka në emër të Komisionit të Ligjeve tha se deri mëngjesin e sotëm në orën 09:00 nuk u paraqit asnjë kandidaturë, afat ky i përcaktuar më herët nga Konferenca e Kryetarëve.

Ndërsa, kryeparlamentarja Lindita Nikolli e quajti të mbyllur raundin e parë për shkak të mos pasjes së një kandidature për postin e Kreut të Shtetit.

Ajo deklaroi se Konferenca e Kryetarëve duhet të mblidhet sërish për të caktuar një tjetër datë për raundin e dytë.

Deputeti demokrat Edmond Spaho kërkoi fjalën por Nikolla e mbylli seancën plenare.

Për të zgjedhur presidentin e ri në tre raundet e para duhen së paku 84 vota, të cilat mazhoranca e Partisë Socialiste nuk i ka. Pas raundit të tretë, mazhoranca mund ta zgjedhë vetë Kreun e ri të Shtetit, pasi i ka 71 votat e nevojshme.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të presë deri në raundin e tretë për të zgjedhur një president konsensual, por nëse nuk do të ketë dakordësi me opozitën, atëherë mazhoranca do të duhet ta zgjedhë e vetme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button