Tetovë, ende nuk ka zgjidhje për kaosin në trafik, Komuna: Kemi ndërmarrë disa aktivitete parandaluese (VIDEO)

Ndonëse së fundmi autoritetet komunale të Tetovës kanë ndërmarrë disa veprime për të lehtësuar kaosin në komunikacion, sërish ka rrëmujë nëpër rrugë, gjë që e vështirëson lëvizjen e qytetarëve. Situata pritet të bëhet më kritike gjatë sezonit të verës kur vijnë mërgimtarët duke rritur kështu ndjeshëm numrin e veturave në komunikacion, shkruan Portalb.mk.

Tetova si qytet nuk është edhe aq i madh, nga njëri skaj i qytetit në tjetrin ka afërsisht nga katër deri në pesë kilometra. Por, koha që shpenzohet duke e kaluar me veturë këtë gjatësi, shpesh është e madhe, madje gjatë stinës së verës vozitja arrin deri në 45 minuta apo një orë.

Gazetari i Portalb.mk udhëtoi përgjatë bulevardit “Bllagoja Toska” dhe “Ilindenit”, dje (16 maj) dhe në videot e mëposhtme shihen se në disa pjesë të qytetit ka rrëmujë.

Për arsyet se përse vjen deri te ky kaos, eksperti i komunikacionit, Blerim Neimi shprehet se qyteti i Tetovës nuk disponon rrugë të mjaftueshme pasi që nga orët e mëngjesit në të gjitha hyrjet e qytetit mesatarisht për çdo orë hyjnë një mijë automjete nga vendbanimet përreth qytetit. Ai, jep dhe disa propozime si mund të lehtësohet trafiku.

“Si arsye se pse vjen deri te trafiku i ngarkuar është keq-menaxhimi nga organet kompetente (policia e trafikut), apelimi te qytetarët që sa më shumë të shfrytëzojnë transportin urban-periferik, mos-respektimi i rregullave të komunikacionit si nga vozitësit ashtu edhe këmbësorët, krijimi i vend-parkimeve brenda në qytet, vetëdijesimi i qytetarëve (lëvizja në këmbë apo me biçikleta), organizimi i ndërmarrjeve apo bizneseve tu udhëzohet një orar i rekomanduar për shpërndarjen e mallrave (natën vonë apo në mëngjes), shpërndarja me ane te dirigjimit te trafikut në zonat ku trafiku është me pak i ngarkuar që mos të kemi ngarkesa te njëanshme”, tha Neimi.

Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë shprehen se kohëve të fundit zyrtarët policor i kanë intensifikuar kontrollet në komunikacion në mënyrë që i njëjti të lehtësohet.

“Gjatë muajit mars, zyrtarët policorë të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë kanë zbuluar dhe sanksionuar ligjërisht 1892 lloje të ndryshme të kundërvajtjeve në komunikacion, gjegjësisht 210 më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në aktivitetet e kontrollit të zhvilluara muajin e kaluar dhe për shkelje të konstatuara janë përjashtuar nga qarkullimi 57 automjete. Muajin e kaluar janë përjashtuar nga qarkullimi edhe 246 drejtues mjetesh. Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar përkohësisht 6 vetura, 67 patentë shoferë dhe 41 leje qarkullimi të komunikacionit, ndërsa “shërbimi i merimangës” Tetovë, ka marrë gjithsej 254 automjete të parkuara në mënyrë jo të rregullt. Të gjithëve u janë përgatitur parashtresat e paparapara me ligj dhe do të përballen me gjoba dhe masa të tjera”, tha Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë.

Ndërkaq nga SPB Tetovë nuk komentuan nëse kanë apo jo ndonjë plan për të parandaluar kaosin në trafik gjatë sezonit që po vjen.

Komuna e Tetovës nga ana tjetër, udhëheqësia e së cilës do e ketë “sezonin e parë” këtë verë, e pyetur për atë se a kanë krijuar një plan të tillë, pohojnë të njëjtën duke përmendur disa nga aktivitetet e që kanë ndërmarrë.

“Ne si komunë kemi pasur plan për zbutjen e kaosit urbanistik dhe të trafikut. Masat të cilat janë ndërmarrë janë këto: vendosja e shenjave për ndalim ndalje dhe parkimi përgjatë bulevardit të Ilindenit; aktivitete në bashkëpunim me SPB Tetovë dhe ndërmarrjen për parkingje publike;  vendosja dhe riparimi i sinjalistikës së rrugëve njëkahëshe; zbatimi i vendimit për ngarkim shkarkimin e mallit në pjesën qendrore gjatë ditës; përpilimi i programit për zgjerimin e parkimit zonal gjatë vitit 2022”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq, tre faktorët kryesorë për lehtësimin e të njëjtit janë krijimi i vendeve të parkingjeve të reja, lëshimi në funksion i autobusëve dhe vazhdimi i bulevardeve kryesore.

Për momentin, qyteti ka ngecur në zbatimin e këtyre tre pikave. Megjithëse udhëheqësia aktuale ka bërë zgjerimin e parkingut zonal, kjo nuk do të thotë se janë krijuar vende të reja parkimi. Gjithashtu, autobusët e transportit publik janë ende jofunksional si pasojë e pengesave burokratike që kanë të bëjnë me kompletimin e dokumentacionit dhe i njëjti pritet që gjatë këtij muaji të lëshohet në funksion. Ndërsa kur jemi te bulevardet, rifilloi vazhdimi i punëve për Bulevardin “Bllagoja Toska” i cili shihet si një nga arteriet kryesore të qytetit për lirimin e komunikacionit.

This slideshow requires JavaScript.

Rikujtojmë që krijimi i vendeve të reja të parkimit dhe vazhdimi i tre bulevardeve janë të radhitura si zgjidhe për problemet e urbanizmit në programin e Kasamit për menaxhimin me Tetovën.

Ndryshe, në dhjetor, mërgimtarët në hapësirat e Komunës së Tetovës theksuan pikërisht këtë problem me të cilin ballafaqohen gjatë sezonit kur vijnë për pushime dhe se i njëjti duhet të zgjidhet nga autoritetet komunale, për të cilën Kasami u zotua se do gjejnë zgjidhje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button