Ministrat e vendeve të NATO-s u takuan në Berlin, RMV e mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë

Maqedonia e Veriut fuqishëm e mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-së dhe aspiratën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në Aleancë, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në takimin joformal të ministrave të vendeve anëtare i cili u mbajt në Berlin, ku temë kryesore ishte situata aktuale e sigurisë, pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë, si dhe implikimet e mundshme të luftës për aleatët dhe pozicioni mbrojtjes i NATO-s në të ardhmen njofton Portalb.mk.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s iu referuan përgatitjeve për Konceptin e ri Strategjik të Aleancës, të Samitit të ardhshëm të NATO-s në Madrid dhe rezultatet e pritura prej tij.

“Maqedonia e Veriut, si anëtarja më e re e NATO-s, mbështet politikën e dyerve të hapura të Aleancës. Aspiratat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO janë një hap i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit transatlantik. Rrjedhat aktuale gjeopolitike po e shtyjnë Ballkanin Perëndimor gjithashtu lart në agjendë. Rajoni është një pjesë e pashmangshme e arkitekturës së ardhshme evropiane të sigurisë. Në këtë kontekst, dëshiroj të ritheksoj se perspektivat e BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të konsiderohen si politikë strategjike e sigurisë”, tha Osmani.

Në takim morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Finlandës dhe Suedisë, të cilët informuan aleatët e NATO-s mbi zhvillimet e fundit në të dy vendet dhe dinamikën e vendimmarrjes, si dhe kahjet e veprimit në kuadër të aspiratave të mundshme për anëtarësimin e tyre në NATO.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në margjinat e takimit pati takime bilaterale me homologët e tij nga Ukraina Dmitro Kuleba, Mali i Zi, Ratko Krivokapiq dhe Holanda Vopke Hoekstra.

Ndikimi gjeopolitik i NATO-s është rritur pas invazionit rus në Ukrainë dhe së shpejti mund të ketë dhe anëtare të reja.

Qeveritë suedeze dhe finlandeze këtë javë kanë paraqitur plane për të angazhuar vendet e tyre që të aplikojnë për anëtarësim në NATO sa më shpejt, si rezultat i kërcënimit të parashikuar nga Moska.

Finlanda sot edhe zyrtarisht konfirmoi synimin për anëtarësim.

Subjekti politik në pushtet në Suedi, Partia Social-Demokrate, sot tha se mbështet anëtarësimin e vendit në NATO, duke hequr dorë kështu nga një politikë kundër bashkimit në aleanca ushtarake, dhe duke i hapur rrugën vendit që të aplikojë për anëtarësim në aleancën perëndimore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Finlanda dhe Suedia, nëse do të aplikojnë zyrtarisht për t’u bashkuar me organizatën më të madhe të sigurisë në botë, do të priten me krahë hapur.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka theksuar “bashkëpunimin e ngushtë të sigurisë dhe mbrojtjes” midis Shteteve të Bashkuara, Finlandës dhe Suedisë në një telefonatë të përbashkët me liderët e këtyre vendeve më 13 maj, në të cilën ai inkurajoi gjithashtu anëtarësimin e tyre në NATO,

Moska thotë se zgjerimi i NATO-s me Finlandën dhe Suedinë do të jetë gjest armiqësor dhe do të paraqesë kërcënim shtesë për sigurinë e saj dhe për atë ka paralajmëruar se do të përgjigjet ndaj një akti të tillë.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, të premten tha se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO, do të ishte “gabim”. Ai tha se Turqia mund ta përdorë statusin e saj si anëtare e aleancës ushtarake perëndimore për të vënë veto kundër pranimit të të dyja vendeve.

LEXO: Gjithçka që duhet ditur për hapat e Finlandës dhe Suedisë drejt NATO-s

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button