U shënua dita e sinjalizuesve: E ardhmja është te të rinjtë, ata duhet të flasin publikisht dhe pa frikë kundër korrupsionit

Nën organizimin e Nismës Rajonale Kundër Korrupsionit dhe Forumi Arsimor Rinor, dje në Sallën Publike u mbajt një konferencë me rastin e Ditës së Denoncuesve, “Të rinjtë festojnë sinjalizuesit”, transmeton Meta.mk.

Në konferencën ku morën pjesë të rinj nga sfera të ndryshme të interesit, studentë dhe audiencë më të vjetër, moderatori dhe gazetari Ognen Janevski iu drejtua të pranishmëve, i cili përshëndeti iniciativën e organizuar nga të rinjtë për të rinjtë, duke theksuar rëndësinë e temës së sinjalizuesve., për të cilën tha se është folur shumë pak vitet e fundit.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe kryetarja e Sekretariatit të Nismës Rajonale Kundër Korrupsionit Desislava Gotskova, si dhe zëvendësambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Julian Vassalo. Ata falënderuan të gjithë ata që morën pjesë në këtë konferencë kushtuar punës së sinjalizuesve, për të cilën, siç theksuan, duhet të flitet dhe t’i kushtohet rëndësi për të ndërtuar një shoqëri më të mirë.

“Ne shohim që të rinjtë janë të gatshëm të flasin kundër korrupsionit dhe për këtë arsye ju inkurajojmë të flisni me zë të lartë dhe pa frikë kur vëreni diçka që nuk është në rregull. Nuk është vetëm një përgjegjësi, por një detyrë që na kujton se e ardhmja e vendit dhe e Bashkimit Evropian ju përket juve”, tha Vassalo.

Folësi i parë në konferencë ishte gazetari hulumtues Tomislav Kezharovski, fitues i disa çmimeve, rezultatet e të cilit në fushën e antikorrupsionit dhe gazetarisë hulumtuese janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ndryshimet që ndodhën në vendin tonë vitet e fundit.

Kezharovski e përmendi shembullin personal në vitin 2013 kur, për rastin “Likuidimi”, u akuzua dhe u dënua me burg për zbulim të paautorizuar të informacioneve dhe të dhënave për dëshmitarët, bashkëpunëtorët e drejtësisë, viktimat që paraqiten si dëshmitarë dhe të afërmit e tyre. Ai u akuzua për shkak se në vitin 2008, në dy numra radhazi të revistës Reporter 92, ka publikuar kopje e procesverbalit të një deklarate, për të cilën u akuzua se kishte publikuar identitetin e një dëshmitari të mbrojtur në rastin “Oreshe”.

“Punoja në një temë shumë të ndjeshme në vendin tonë, korrupsionin. Mendoj se kemi kapacitete për të krijuar shtet të shëndetshëm, normal, siç i ka hije një shoqërie evropiane, të barabartë me gjithë të tjerët, por më duket se nuk duam. Unë fola dhe shkrova kur shumë heshtnin dhe nuk guxonin të flisnin për politikë. Në punën time nuk kishte nuk mundem, kishte vetëm dua, mundem dhe e kam patjetër. Ajo që i preku të gjithë ishte vendi ku gjeta informacionin dhe të dhënat, por për këtë kam shkruar edhe në librin tim “Edhe lëkurën të ma hiqni, nuk do t’ua tregoj burimet me të cilat kontaktoj dhe kush m’i transmeton informatat”. Guxim nuk është të kesh forcë për të shkuar më tej, por guxim është të shkosh më tej edhe kur nuk ka forcë”, tha në fjalën e tij Tomislav Kezharovski.

Kezharovski theksoi se nuk duhet të harrohen proceset e sajuara politike, se më e rëndësishmja është të mos heqim dorë kurrë nga e vërteta dhe se ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë këtu për t’i kujtuar dhe inkurajuar të rinjtë që të luftojnë korrupsionin dhe të flasin me zë të lartë për gjërat që duhet të ndryshohen.

Gazetari nuk duhet t’i sforcojë sytë duke shikuar në distancën e mjegullt, ai duhet të shohë atë që i vizatohet qartë para syve dhe të merret me të, dhe unë jam marrë me shumë gjëra”, tha Tomislav Kezharovski.

Konferencës iu drejtua edhe Elmerina Ahmetaj Hrelja, eksperte kundër korrupsionit dhe anëtare e stafit të Sekretariatit të RAI-t dhe Master në të Drejtën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Oksfordit, Mbretëria e Bashkuar, e cila foli për mbrojtjen e sinjalizuesve (denoncuesve) sipas direktivës së BE-së.

“Sinjalizuesit mundësojnë lirinë e fjalës dhe lirinë e medias, ndihmojnë në zbardhjen e krimit të fshehtë, pa ta lufta kundër korrupsionit do të ishte e kotë. Misioni kryesor i RAI-t është të sigurojë mbështetje për shtetet anëtare, përfshirë Maqedoninë e Veriut, në luftën kundër korrupsionit. U ndihmojmë institucioneve publike të përmirësojnë kuadrin e tyre legjislativ dhe të forcojnë kapacitetet e tyre për zbatimin e ligjit. Përmes fushatave dhe projekteve të tilla si aksioni gueril i vitit të kaluar nën moton “Stop heshtjes”, kur xhiruam videon “Si duket të jesh sinjalizues?” tha Ahmetaj Hrelja, e cila është menaxhere e projektit që i inkurajon sinjalizuesit në Ballkani Perëndimor dhe Moldavi.

Folësi i tretë që iu bashkua platformës Zoom ishte gazetari investigativ Gerard Ryle, drejtor i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarisë Hulumtuese, i cili në vitin 2016 drejtoi një ekip gazetarësh që i hetonin dokumentet nga skandali Panama Papers.

Ryle tha se sinjalizuesit luajnë rol shumë të rëndësishëm në gazetarinë hulumtuese dhe se ata janë burim nga i cili një gazetar mund të verifikojë informacionin që planifikon të bëjë publike.

“Është shumë e rëndësishme që gazetari të jetë në gjendje të konfirmojë besueshmërinë e të dhënave të tij kur shkruan për korrupsionin dhe kjo bëhet në bashkëpunim me sinjalizuesit. Përveç kësaj, për të shkruar një histori që do të bëjë ndryshim dhe do t’i ndihmojë shoqërisë, mendoj se është e rëndësishme të bëhen tre pyetjet kryesore: të ndjekësh një temë të caktuar dhe gazetari t’i bëj pyetje vetes nëse ajo prek publikun e gjerë; a është problem sistematik që duhet zgjidhur dhe nëse publikohet një tekst mbi këtë temë, ai mund të rezultojë me ndryshim,” tha Gerard Ryle, gazetar hulumtues i cili ka fituar më shumë se 50 çmime të gazetarisë në shtatë vende të ndryshme.

Në konferencën “Të rinjtë i festojnë sinjalizuesit”, folën edhe denoncuesi dhe zyrtari i inteligjencës Gjorgji Lazarevski, Aneta Arnaudovska, këshilltare kundër korrupsionit në Sekretariatin e RAI-t dhe Mark Worth, ekspert për sinjalizim në Sekretariatin e RAI-t.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button