Për LSM-në janë të papranueshme ndryshimet ligjore që e diela të jetë ditë pune në vendet turistike

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) njoftoi se është kundër miratimit të ndryshimeve ligjore që do të mundësojnë që e diela të jetë ditë pune për të gjithë tregtarët me pakicë në vendet turistike – propozim që Ministria e Ekonomisë dje e ka dorëzuar në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

Nga LSM thonë se zgjidhja ligjore ekzistuese, e cila është në fuqi, është miratuar me dialog dhe mundëson punë të dielave në kushte të caktuara.

“Me ndryshimet ligjore, LSM dhe partnerët socialë siguruan mundësinë që dyqanet apo kioskat e specializuara në vendet turistike të punojnë në kushtet e parashikuara me ligj, mundësia e punës në qendra tregtare, stenda dhe kioska gjatë aktiviteteve sportive, festivaleve, panaireve, eventeve dhe ngjashëm, ndërsa është paraparë edhe mundësia që në dyqanet e tregtisë me pakicë të ushqimeve, pijeve etj. punën ta kryejnë edhe vetëm pronarët e dyqaneve. Nuk guxon që për shkak se pronarët e ndjejnë se çfarë do të thotë të punosh të dielave, t’iu mohohet kjo e drejtë dhe të lejohet që punëtorët e tyre të punojnë përsëri dhe ata të pushojnë”, thanë nga LSM.

Nga Sindikata shtojnë se në këtë mënyrë mbulohen të gjitha nevojat e turistëve në vendet turistike për sa i përket shërbimeve tregtare. Rikujtojnë gjithashtu se ata punëtorë që do të punojnë të dielave kanë të drejtë në shtesë pagash për punë të dielave dhe festave në masën së paku 100 për qind për çdo orë të kaluar në punë, si dhe të drejtën e pushimit javor në ditë tjetër të javës.

LSM thotë se presin që në vazhdimësi të respektohet Ligji për tregti dhe Ligji për marrëdhëniet pune, përfshirë edhe pjesën e ndryshimeve ligjore për të dielën – ditë jopune dhe të mos legalizohen paligjshmëritë.

“Projektligji i paralajmëruar nga Ministria e Ekonomisë, nëse i dorëzohet Kuvendit, bëhet pa dialog social dhe është nënvlerësim i përfaqësuesve të punëtorëve dhe punëtorëve në përgjithësi, gjë që është e papranueshme”, thonë nga LSM.

Ashtu si në rastet e iniciativave të mëparshme të subjekteve të tjera politike, shton LSM, për zyrtarët që mendojnë të paraqesin projekt-ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për tregti në pjesën e të dielës ditë jopune, Sindikata do të paraqesë në Kuvend iniciativë për zgjidhje ligjore me të cilën do të kërkohet t’iu lejohet e drejta për punë shtesë prej tetë orësh në javë që detyrimisht të punohet gjatë javës.

Përndryshe, prej 1 janarit të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut dita e diel është jopune.

Kuvendi më 20 dhjetor miratoi Ligjin për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për marrëdhënie pune, me çka e diela u shpall ditë jopune, që ishte njëra ndër kërkesat kryesore të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Me zgjidhjen e re ligjore, e diela do të jetë ditë jopune për 92% të punëtorëve.

Ata të cilët janë të angazhuar në veprimtaritë të cilat për shkak të procesit tekniko – teknologjik nuk guxojnë të ndërpriten do të marrin më së paku 50 përqind mëditje më të lartë për punë të dielën dhe ditë të lirë që do të mund ta shfrytëzojnë në shtatë ditët e ardhshme.

Ndaj kësaj mase reaguan veprimtarët të cilët punojnë në fushën e turizmit dhe hotelierisë duke vlerësuar se nuk mund të ketë ditë jopune ne vendet turistike, pasi që e dëmton punën e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button