Liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan në Bruksel – nuk ka shumë detaje për publikun

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, kolegët e tij nga rajoni dhe komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhei, morën pjesë dje në takimin joformal të organizuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në kontekstin e kontinentit evropian dhe pa shumë detaje për opinionin, njoftoi MIA nga Brukseli, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i Maqedonisë Kovaçevski vetëm mbrëmë para fillimit të darkës foli shkurt, pa mundësi pyetjesh nga gazetarët, ku përsëriti se zgjerimi në Ballkanin Perëndimor dhe fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut, të bllokuar nga Bullgaria, janë çështje sigurie për Evropën.

“Për Maqedoninë e Veriut, do të diskutojmë me nënpresidentin Borrell nevojën për hapjen e menjëhershme të negociatave dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, pasi zgjerimi i BE-së nuk është vetëm proces ekonomik apo politik, por në kontekstin e ri të ngjarjeve gjeopolitike me luftën në Ukrainë, bëhet sigurie për Ballkanin Perëndimor”, tha mbrëmë Kovaçevski.

As Borrelli nuk dha detaje rreth diskutimeve të zhvilluara dje mes gjashtë kryeministrave dhe presidentëve të rajonit, të cilëve iu bashkua për herë të parë edhe lideri i Republikës Sërpska, Milorad Dodik.

“Fokusi i diskutimeve të së mërkurës ishin pasojat globale dhe rajonale të luftës së paligjshme dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj, dhe se si BE-ja dhe partnerët e saj të Ballkanit Perëndimor mund të punojnë së bashku për të adresuar efektet e dëmshme të kësaj lufte në çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe stabiliteti rajonal dhe global”, thonë pres shërbimet e Borrellit.

Në tryezë ishte harmonizimi i rajonit me sanksionet e BE-së, në këtë pjesë Maqedonia e Veriut është ndër nxënësit më të mirë, por problem përbën Serbia. Shefi i politikës së jashtme të BE-së u përsëriti udhëheqësve në rajon se e rëndësishme është që të kufizohet aftësia e Moskës për të financuar luftën.

Për bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë u diskutuan në kontekstin e situatës së ndryshuar gjeopolitike, por Bullgaria mbetet e palëkundur dhe shanset për zhbllokimin e procesit janë shumë të vogla, thonë diplomatët për MIA.

Diskutimet kryesore u fokusuan në pasojat ekonomike dhe energjetike të kësaj lufte në rajon dhe situatën në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Kjo darkë po organizohet në mënyrë joformale si mënyrë për të ndjerë pulsin e liderëve para Këshillit të ardhshëm të Punëve të Jashtme të BE-së që do të mbahet të hënën në Bruksel. Në këtë këshill, ministrat e jashtëm të BE-së do të kenë shkëmbim jozyrtar pikëpamjesh me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button