Humbjet e ujit të pijshëm edhe vitin e kaluar mbi 60 për qind, në disa komuna arrijnë deri në 92 për qind (infografik)

Problemi me humbjet e ujit të pijshëm në Maqedoni mbetet çështje kritike për autoritetet komunale. Përqindja e ujit të pa arkëtuar edhe në vitin 2021, në kushte të ndikimit gjithnjë e më të madh të ndryshimeve klimatike në vend, ishte mbi 60 për qind. Edhe pse ka një ulje prej 1,48 për qind, të përqindjes së ujit të pa arkëtuar në nivel kombëtar, sërish vitin e kaluar ka pasur komuna ku humbjet e ujit të pijshëm kanë arritur në 92 për qind të sasisë totale të prodhuar në sistemet e ujësjellësve, thuhet në Raportin vjetor për funksionimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbimeve të Ujit (KRRE) për vitin 2021, shkruan Meta.mk.

Nën presionin e mediave, fushatave për kursimin e ujit të pijshëm dhe investimeve në disa komuna në infrastrukturën e ujësjellësit, përqindja e ujit të pa arkëtuar në vend nga viti në vit po ulet. Nga 67,55 për qind në vitin 2018, kjo përqindje negative në vitin 2021 ka rënë në 60,46 për qind.

Megjithatë, Meta.mk tashmë ka bërë krahasim me humbjet e ujit të pijshëm me vendet e tjera evropiane, kurse analiza tregojnë se 60% e ujit të pa arkëtuar është humbje jashtëzakonisht e madhe e ujit të pijshëm si një burim jetik.

“Në përgjithësi infrastruktura në nivel shtetëror është në gjendje të keqe dhe niveli i humbjeve të ujit është i lartë. Problemi i humbjeve nuk guxon të anashkalohet duke e lënë që për vite me radhë uji të humb në sistem, në kushte të ndryshimeve klimatike. Rol të madh luan fakti se humbja e ujit ka të bëjë me sasinë totale të ujit që hyn në sistemin e furnizimit me ujë, sasi e cila me kalimin e viteve ndryshon. Nëse ato sasi nuk kontrollohen dhe monitorohen, atëherë do të vijmë në situatë në të cilën çdo vit do të shpenzojmë, por edhe do të humbim gjithnjë e më shumë ujë”, shpjegoi para pak kohësh për Meta.mk Evgenija Krstevska, avokate e specializuar në mbrojtjen e ujërave.

Të dhënat e KRRE tregojnë se vitin e kaluar, në sistemet e ujësjellësve në vend, janë prodhuar 241.535.966 metra kub ujë. Sasia e ujit që hyn në sistemet e ujësjellësit është ulur me 6,96 për qind, ndërsa përqindja e ujit të faturuar është rritur nga 38,06 për qind në vitin 2020 në 39,54 për qind në vitin 2021.

Megjithatë, shifrat kombëtare tregojnë për dallime të mëdha në përqindjen e ujit të pijshëm të pa arkëtuar në rajone të veçanta. “Kampionë” famëkeqe në humbjet e ujit të pijshëm janë komunat e rajonit verilindor me një përqindje të ujit të pa arkëtuar prej 74,15 për qind, e më pas vijnë pushtetet lokale nga rajoni i Pollogut (73,4 për qind) dhe ai lindor (68,57 për qind). Përkundër shifrave kaq famëkeqe, përqindja e ujit të pa arkëtuar në komunat e rajonit të Pellagonisë vitin e kaluar është ulur në 48.84 për qind.

Dallimet e mëdha midis rajoneve tregojnë se çdo komunë do të duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të reduktuar humbjet e ujit të pijshëm në sistemet e furnizimit me ujë, me çka do të përmirësohej përfundimisht performanca në nivel kombëtar.

Masat konkrete që duhet të ndërmerren nga ndërmarrjet publike lokale dhe autoritetet komunale janë përsëritur disa herë nga ekspertët në deklaratat e tyre për Meta.mk. Së pari, nevojitet monitorim dhe lokalizim i rregullt i humbjeve të ujit në sistemet e ujësjellësit, së bashku me riparimin me kohë të defekteve dhe investime në rrjetin e ujësjellësit. Investimi në matës të rinj, kurse matja e saktë e konsumit të ujit duhet të ndiqet paralelisht me presionin e vazhdueshëm për të eliminuar lidhjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.

Së fundi, komunat duhet të ushtrojnë kontroll të rregullt mbi përdorimin e ujit të pijshëm për qëllime të tjera, në radhë të parë duke ndërprerë konsumin e ujit të pijshëm për larjen e rrugëve, për punën e shatërvanëve dhe ujitjen e gjelbërimit nëpër rrugët e qyteteve.

Meta.mk tashmë ka shkruar se përqindja e ujit të pijshëm të pa arkëtuar është veçanërisht e rëndësishme për Shkupin, i cili si kryeqytet më së shumti prodhon ujë të pijshëm çdo vit, por edhe i humb sasitë më të mëdha të ujit të pijshëm në sistemin e ujësjellësit. Përqindja e ujit pa të arkëtuar në NP “Ujësjellësi & Kanalizimi”-Shkup vitin e kaluar ishte rreth 60 për qind dhe është pothuajse identike me të dhënat në nivel vendi, por në fakt sasia totale e ujit të pijshëm të humbur është ende alarmante.

Raporti vjetor për punën e NP “Ujësjellësi & Kanalizimi”–Shkup tregon se sasia e ujit të pijshëm të pa faturuar në vitin 2021 ka qenë 61.481.274 metra kub ujë, që është ekuivalente me nevojat vjetore për ujë të pijshëm në disa qytete të Maqedonisë.

Humbjet jashtëzakonisht të mëdha të ujit të pijshëm në sistemet e ujësjellësit në vend vitin e kaluar janë shënuar edhe në Raportin e Progresit  të Reformave të vendit për vitin 2021 i përgatitur nga Komisioni Evropian (KE). BE ka kërkuar prej autoriteteve të vendit të bëjnë një përpjekje shtesë për të reduktuar përqindjen e ujit të pa arkëtuar në nivel kombëtar.

Ndryshe, sipas udhëzimeve të Shoqatës Ndërkombëtare të Ujit, përqindja e pranueshme e humbjeve të ujit të pijshëm në sistemet e ujësjellësve duhet të jetë nën 30 për qind, përkatësisht dy herë më pak se përqindja e ujit që Maqedonia e k aktualisht të pa arkëtuar në nivel kombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button