Pas dy viteve pauzë u rikthye panairi i karrierës në UEJL, pjesëmarrje e madhe e studentëve (VIDEO)

Pas një pauze dy vjeçare, panairi i karrierës u realizua sërish në Universitetin e Evropës Juglindore. Studentët patën mundësi të informohen nga kompanitë, organizatat dhe institucionet pjesëmarrëse, për tregun e punës dhe mundësitë për punësim. Pjesë e panairit ishte edhe Portalb.mk ku studentët e interesuar për gazetari patën më shumë mundësi të njihen me aktivitetet dhe mundësitë që ofron ky medium, siç janë pjesa e praktikes dhe punësimi.

Ashtu siç tha organizatorja e këtij panairi, shefja e qendrës së karrierës në këtë universitet, Lumturije Mehmedi Sinani, ky panair u organizua për studentët në mënyrë që ato të njihen me përfaqësues nga kompani të ndryshme për të gjetur praktikë, punë dhe për të njohur tregun e punës. Sipas saj ka me dhjetëra vende pune, praktika si dhe informata të detajuara në dorë të parë.

This slideshow requires JavaScript.

Rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti panairin sipas fjalorit ekonomik e përkufizoi si pikë ku takohen oferta dhe kërkesa e faktorit më të rëndësishëm në ekonomi, faktorit punë. Ndërkaq ai bëri të ditur se ky është aktiviteti i pesëmbëdhjetë që jep rezultate evidente në lidhje me mundësinë dhe rekrutimin potencial të punëtorëve të nevojshëm.

Abdylmenaf Bexheti, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Abdylmenaf Bexheti, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Asimetria e tregut të punës ashpërsohet nga dita në ditë. Kemi gjendje asimetrike ku kërkesa dhe oferta nuk përputhen, në një anë mund të kemi ofertë po mbiofertë për profile të caktuar, nga ana tjetër kemi mungesë të kërkesës së caktuar dhe kjo mospërputhje e tregut të punës është indikator për ne si institucion i arsimit të lartë por edhe institucionet tjera të arsimit se nuk jemi duke e llogaritur shumë tregun e punës. Me gjithë gojën se po punojmë për tregun e punës, realisht po bëjmë shumë pak dhe tregu i punës sot po sfidohet me këtë diskrepancë kaq të shprehur. Janë kosto edhe oportune por edhe kosto direkte të pakompenzueshme. Të trajnojmë studentët tonë si të aplikojnë në tregun e punës, si të parapërgatiten dhe e gjithë kjo të gjejnë vend të përshtatshëm të punës”, tha Bexheti,

Ai shtoi se vitet e kaluara nga takimet e panairit ka pasur mbi 150 komunikime dhe kontakte, prej atyre mbi 100 punësime kanë dalë si rezultat i këtyre takimeve.

I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili nënvizoi se panairi ishte i një rëndësie të veçantë sepse sipas tij një ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohet ekonomia e Maqedonisë së Veriut është mospërputhja e ofertës dhe kërkesës në tregun e punës.

Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Këtë më së miri e ilustron ky rast ku studentëve dhe bizneseve ju jepet mundësi që të takohen dhe t’i bashkojnë interesat e tyre. Në këtë drejtim ne si pushtet lokal do të bashkëpunojmë ngushtë me dy institucionet e arsimit të lartë, veçanërisht me UEJL. Gjithashtu si komunë do mundohemi të përkrahim idetë e qendrave të karrierës, teknologjike, inkubatorëve të biznesit gjithçka që ka të bëjë me krijimin e mundësive dhe lehtësimin e mundësive të studentëve për të gjetur një vend pune”, tha Kasami.

Ndër të tjera Kasami premtoi se do ofrojë që në të ardhmen të angazhojë tre studentët më të mirë të UEJL-së nga tre profilet për të cilat kanë më shumë nevojë si komunë.

Në këtë panair morën pjesë mbi 50 kompani të ndryshme. Nga Portalb.mk, kryeredaktorja Elida Zylbeari njoftoi nga afër studentët e interesuar për gazetari me aktivitetet dhe mundësitë që ofron ky medium, si dhe pjesën e praktikës dhe punësimin. Ndërsa gazetari Fisnik Xhelili u tregoi për eksperiencën e tij si gazetar i ri në këtë fushë dhe medium dhe rëndësinë e përfshirjes së gazetarëve të rinj në treg për të kontribuuar për një gazetari më profesionale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button