Konkurrenca globale në Ukrainë dhe fronti gjeoekonomik në Ballkan

Epoka e madhe e konkurrencës së fuqive botërore në Evropën Lindore tani është në fazën e parë, ku SHBA dhe Rusia po përpiqen të përcaktojnë kufirin e ri që do të ndajë perëndimin dhe lindjen. Tani më është e qartë se SHBA dhe Rusia i kanë ndryshuar marrëdhëniet e tyre që nga fillimi i luftës në Ukrainë. SHBA-ja është në gjendje më të mirë për shkak të ekonomisë së fortë dhe aftësive të SHBA-së për të kryer operacione të inteligjencës nga të gjitha anët. Mbështetja nga aleatët e NATO-s dhe nga vendet partnere, ka qenë kryesore në luftën e Kievit kundër Rusisë. Ushtria ruse nuk ka fuqi të tepruara njerëzore për të vazhduar luftën në të gjitha frontet për një kohë të gjatë në Ukrainën Lindore dhe Jugore. Nuk ka dyshim se Rusia do të vazhdojë të kërcënojë fqinjët e saj, anëtarët tjerë të BE-së dhe të NATO-s me theksin tek jo anëtarët, por është e qartë se qeveria ruse nuk ka integritet moral dhe fuqi për të vazhduar luftën ose kërcënuar Suedinë, Finlandën dhe shtetet tjera të Ballkanit në veçanti Bosnjë dhe Hercegovinën. Lufta në Ukrainë ka treguar dobësitë e ushtrisë ruse në epokën e inteligjencës artificiale dhe betejave moderne. Thjesht Rusia përveç kërcënimeve të përdorimit të armëve kimike dhe bërthamore ka rënë shumë poshtë- jashtë standardeve të dikurshme që i kishte në garën me SHBA-në apo dhe Kinën tash si mbështetëse e heshtur e Moskës në luftën në Ukrainë. Krahasuar me rusët që shumë pak e kanë modernizuar këmbësorinë dhe në tërësi ushtrinë, forcat ukrainase kanë pasur një fat të mirë për të shkëmbyer informacione inteligjente me Pentagonin për të goditur forcat ruse. Kjo njëkohësisht ka qenë një lëvizje dhe strategji e shkëlqyer për të demoralizuar trupat ushtarake ruse në Ukrainë. Tani për tani, ky është teatri i thjeshtë gjeopolitik dhe ushtarak në Ukrainën Lindore dhe rreth qytetit të Mariupolit.

Për më tepër, rusët kanë vazhduar me sulme, ndërsa ukrainasit me mbështetje nga SHBA-ja dhe NATO-ja, po bëjnë përpjekje të mëdha për të parandaluar pushtimin e Odesës dhe bllokadën ruse nga Deti i Zi. Moska ka për qëllim të bëjë bashkimin e territoreve të pushtuara me Transnistrinë në Moldavi dhe mundësisht të krijojë një lidhje me rajonin e Donbasit. Megjithatë, objektivat ruse mund të mbeten të paplotësuara nëse SHBA dhe NATO do të vazhdojnë të furnizojnë ushtrinë ukrainase me armë moderne dhe lufta e Ukrainës nuk të ndërpritet deri në mposhtjen e rusëve, ashtu njëjtë siç tha para do kohe zyrtarja amerikane Nancy Pelosi gjatë një vizite në Kiev.

Ndërsa i kemi shtruar disa nga tiparet e luftës në mes rusëve dhe ukrainasve, patjetër e kemi ta përqendrojmë vëmendjen në veprimet e qeverive ballkanike gjatë kësaj kohe dhe në orientimin e ardhshëm strategjik. Siç e dimë Serbia ka qenë një aktor i keq në mospërkrahjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë që nga viti 2014. Sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare i janë bashkuar shtetet tjera të Ballkanit, ndërsa kritikat janë rritur ndaj Beogradit. Prej kësaj pike apo gjendje në marrëdhëniet ndërkombëtare, ne nga ana tjetër mund të parashikojmë teatrin e vogël gjeopolitik të energjisë në Ballkan, me hapjen e pikës të shpërndarjes së gazit nga Aleksandropolisi i Greqisë.

Kjo do të jetë mjaft e rëndësishme për rajonin, pasi do të jetë furnizuesi kryesor i vendeve të Ballkanit dhe do t’i jep fund varësisë nga Rusia. Duhet thënë se hap pas hapi SHBA-ja po arrin dy qëllime: shkatërrimin e tubacionit “Nord -Stream”, dhe qysh moti tubacionin ”South -Stream”. Me luftën në Ukrainë, SHBA ka arritur të gjunjëzojë Rusinë në veri dhe në jug të Ballkanit, duke e shpartalluar në sektorin energjetik dhe në veçanti në Detin Baltik dhe në Detin e Zi. Për Uashingtonin, përveç fatit të Ukrainës, në jug mbeten dy çështje: raportet Beograd-Prishtinë dhe kontesti në mes Sofjes dhe Shkupit. Me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, SHBA po punon për një zgjidhje mundësisht gjatë këtij viti. Kurse me Kosovën dhe Serbinë, çështja varret nga shumë faktorë dhe nga kërkesat e Beogradit për tu larguar nga ndikimi rus, me një kompensim nga SHBA dhe BE ndaj Serbisë kur flitet për një marrëveshje përfundimtare me Prishtinën. Duke qenë se lufta me Rusinë ende s’ka përfunduar dhe pavarësisht përfshirjes së aktorëve nga dy teatrot gjeopolitik, Ukraina qëndron në zonën tampon dhe vazhdon të luftojë për ekzistencën e saj, mundësisht të fitojë luftën ose të bëjë një traktat paqeje me kushte. Në teatrin gjeopolitik të paqes së forcuar dhe fërkimeve ballkanike, gjërat që duken se janë nën kontroll mund të ndryshojnë papritur. Sidoqoftë, tani është koha që SHBA dhe NATO të përfitojnë nga situata në Ukrainë dhe të ndërtojnë një pozicion të ri kundër aktorëve tjerë gjeopolitikë. Se a do ta bëjnë këtë, mbetet të shihet nga suksesi apo jo i një marrëveshje paqësore në mes Serbisë dhe Kosovës dhe nga ajo në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Premtimet për një anëtarësim të shpejtë në BE dhe në NATO të shteteve ballkanike, mbeten të hapura dhe të pazgjidhura si nga SHBA dhe nga BE. Poqese në pesë vitet e ardhshme, ky rreshtim i ri i fuqive të dala pas sulmit në Ukrainë, nuk do të prodhojë efekte të reja në qeverisje dhe anëtarësime, atëherë as që mund të presim një Ballkan më të mirë nga ajo që shohim sot. Në këtë rast, sigurisht se Evropa do të jetë më e ftohtë në marrëdhëniet me shtetet e Ballkanit. Në fund, përveç luftës, vdekjeve dhe refugjatëve, shqetësim tjetër për botën demokratike janë fati i fabrikës së çelikut në Azovstal, pushtimi i Odesës, prodhimi apo jo i grurit dhe shumë çështje tjera të hapura pas sulmit rus. Kështu ngadalë po shkojmë drejt frontit gjeoekonomik të konkurrencës e cila do të ketë efekte në Ballkan bashkë me pasojat e luftës në Ukrainë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button