Tetovë, komuna iu bashkëngjit aksionit ekologjik, Kasami paralajmëroi ndryshime pozitive për menaxhimin e mbeturinave në qytet (VIDEO)

Komuna e Tetovës këtë vit iu bashkëngjit aksionit për pastrim gjeneral të hapësirave publike të komunave. Në këtë aksion kanë marrë pjesë kryetari i komunës, Bilall Kasami, ndërmarrjet komunale, administrata, shkollat dhe sektori civil. Por a është kjo e mjaftueshme për një qytet më të pastër? Komuna përmes disa aktiviteteve premton një qytet më të pastër në periudhën në vijim, shkruan Portalb.mk.

Kasami në deklaratën e dhënë për media me këtë rast, u shpreh se, ky është një aksioni më se i nevojshëm për Komunën e Tetovës, për të pastruar hapësirat publike dhe për të sensibilizuar qytetarët se, duhet që të kujdesen për ambientin jetësor.

Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Duhet që bashkërisht të kontribuojmë për një ambient të pastër dhe ekologjik. Unë besoj se është grumbulluar një sasi e madhe e mbeturinave të ndryshme nëpër gjithë hapësirat publike të Tetovës. Pjesë e këtij aksioni ka qenë Ndërmarrja Komunale, administrata e komunës, kanë qenë shkollat e mesme të cilat kanë qenë të shpërndara në disa pika në bazë të panit i cili është ofruar, ka qenë sigurisht sektori civil, ku në veçanti në këtë pjesë të banjës ku jemi, shoqata ekoogjike Eco Life të cilët edhe në ditët tjera përkujdesen për këtë hapësirë. Gjithashtu edhe bizneset kanë bërë pastrimin e disa mini-deponive në qytet”, tha Kasami.

Ky është viti i dytë radhazi që organizohet aksion për pastrim gjeneral të komunave dhe në të janë të përfshira 26 komuna të Maqedonisë së Veriut.

Por çfarë më tej, çfarë do të bëjë komuna për të mirëmbajtur vazhdimisht qytetin të pastër? 

Komuna e Tetovës do të instalojë kamera sigurie në pikat më kritike ku qytetarët hedhin mbeturina, ku të njëjtat do të mund të përcillen nga çdo qytetar të njëjtit do mund të denoncojë qytetarët e papërgjegjshëm të cilët do të hedhin mbeturina në hapësira publike.

“Ashtu si në stadiumin e qytetit që janë instaluar kamera sigurie, do të instalohen edhe në pikat tjera kritike ku në vazhdimësi krijohen mini-deponi dhe në fazën tjetër që do pasojë, nëse nuk arrijmë të vetëdijsojmë qytetarët, do të vazhdojmë me masa të dënimeve”, tha Kasami.

Ndër pikat më kritike që vazhdimisht mbushet me mbeturina është Banja e Tetovës, prej ku sot Kasami edhe dha deklaratën për media.

I pyetur nga Portalb.mk se çfarë si do të veprohet më tej me këtë pikë, pasi lumi vazhdimisht mbushet me mbeturina. Kasami tha se edhe këtu do vendoset mbikëqyrje përmes kamerave.

“Sa i përket Banjës së Tetovës ju e shihni se është një projekt te pjesa rekreative, ne veç më kemi një shoqatë e cila merret me përkujdesjen e kësaj pjese. Aty ku do të jetë e nevojshme, jo vetëm përgjatë rrugës së banjës por edhe në pikat tjera kritike do instalohen kamera, dhe do jenë të përcejellura 24 orë nga persona kompetent , ku do identifikohen qytetarë që ndotin dhe do denoncohen konform procedurave ligjore. Të njëjtën do mund ta bëjnë edhe qytetarët, sepse kamerat do të jenë në një faqe publike ku qytetarët do mund t’i përcjellin. Jemi në fazën e rregullimit të platformës e cila do jetë 24 orë në dispozicion”, tha Kasami.

Mbeturinat e grumbulluara nga aksioni i pastrimit në Banjën e Tetovës
Mbeturinat e grumbulluara nga aksioni i pastrimit në Banjën e Tetovës

Ndërkaq kur jemi te Banja e Tetovës, problem në vete është dheu i cili rrëshqet dhe del në rrugë, kështu duke vënë në rrezik qytetarët. Kasami tha se ka një projekt me UNDP-në për rehabilitimin e rrugës, por nuk e din se kur i njëjti do fillojë të aplikohet në praktikë.

Rruga e Banjës së Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga e Banjës së Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

NPK-ja ka pak punëtorë të angazhuar për pastrim, parashihet risistematizim.

Edhe pse Ndërmarrja Publike Komunala “Tetova” ka rreth 200 të punësuar, vetëm rreth 50 janë të angazhuar në pjesën e pastrimit dhe mirëmbajtjes së qytetit, ndërsa pjesa tjetër është e angazhuar në administrate.  Kasami tha se në vazhdim do të bëhet risitematizim i vendeve të punës.

“Në një nga raportet të cilat i dorëzoj ndërmarrja, konstatuam se vetëm 50 punëtorë në ndërmarrje janë të sistematizuar me vende të punës me vendime. Kemi kërkuar nga ndërmarrja të ndryshojë sistematizimin që gjithë ata të cilët janë në operativ të ndërmarrjes të parashihen në sistematizim që pastaj të shkojmë në fazën tjetër të angazhimit të tyre me vendim të përhershëm dapo të përkohshëm. Ky proces ka nisur, jemi në konsultim edhe me ministrinë e Administratës që e njëjta të miratohet”, tha Kasami.

NPK-ja sipas asaj që Komuna ka njoftuar ka mbi 9.6 milion euro borxh, dhe kjo përbën problem për funksionimin e ndërmarrjes. Për këtë, Kasami sot njoftoi ndarjen e ndërmarrjes në dy drejtori, drejotoria e ujësjellësit dhe ajo për menaxhimin me mbeturinat.

Tetova së shpejti do të bëhet me kontejnerë gjysmë-nëntokësor.

Në qytet janë vendosur disa kontejnerë  gjysmë-nëntokësorë të cilët do ndihmojnë që mbeturinat mos të hedhen në rrugë. Por të njëjtët ende nuk janë lëshuar në përdorim, pasi siç tha Kasami në momente të caktuara nuk kanë bashkëpunim edhe aq të mirë me policinë për miratimin e procedurave të caktuara.

Kontenjerët gjysmënëntokësor në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Kontenjerët gjysmënëntokësor në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndryshe, qytetarët ankohen se në aplikacionin “E-report”  të Komunës, ku mund të raportojnë ndotësit, numri është jofunksional dhe ankesat e tyre nuk merren parasysh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button