Osmani: I kemi përafruar shumë pozicionet me Bullgarinë, do të jetë dëm historik nëse nuk arrihet marrëveshje

Ndoshta ky është shansi i vetëm dhe i fundit që të shpëtohen raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, sepse Qeveria më tutje do të ketë gjithnjë e pak energji politike, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në konferencën e sotme për media, transmeton Portalb.mk.

Ministri vlerëson se janë të obliguar të mos i ekspozojnë qytetarët në, siç tha, frustracione dhe zhgënime të tilla të pafundme dhe se do të duhet një ditë të vihet një vijë, përkatësisht të thuhet se është mjaftë.

“Ne nuk mund të kemi qasje të tillë në të cilën qeveritë do të jenë tematike, do të merren vetëm me një çështje dhe me një shpresë. Do të duhet të fokusohemi brenda, të vazhdojmë brenda me reformat, me evropianizimin e shtetit, megjithatë nuk do të mund të kemi energji më tej të vazhdohet siç ishte deri më tani. Dhe atë ua kemi thënë edhe Bullgarisë se tani ka një dritare të mundësive dhe ndoshta shansë të fundit që të shpëtohet atë që e kemi ndërtuar në muajt e kaluar dhe të fillohet një kapitull i ri i raporteve pozitive mes shteteve tona, por edhe BE-së se duhet të tregojnë se çka më tej”, tha Osmani.

Ai u shpreh se vazhdon komunikimi me Bullgarinë, por edhe me presidencën franceze e cila është përgjegjëse që këto gjashtë muaj të menaxhojë, të koordinojë procesin. Osmani shprespn se, javët e ardhshme do të ketë mundësi të ketë dialog dhe hapa konkret. Sipas tij, Shkupi ka brë gjithçka që mundi të bëjë, por edhe atë që nuk mundi ta bëjë.

“Mendoj se tash më është mjaft. Deri në qershor, të mos jap muaj, deri në verë mendoj se duhet të vazhdojmë me përpjekje maksimale si të arrihet kjo. Vlerësoj se është e rëndësishme edhe opozita të kuptojë momentin. Të vazhdojmë në mënyrë konstruktive deri sa nuk harxhohet kjo mundësi edhe pas asaj të dalim hapur edhe para qytetarëve, hapur edhe para BE-së, hapur edhe para Republikës së Bullgarisë se nuk mund t’i maltretojmë më shumë qytetarët dhe t’i ekspozojmë në proces të këtillë të pritjeve ciklike dhe zhgënjimeve duke përmbushur të gjitha kushtet”, potencoi Osmani.

Ministri vlerëson se, posaçërisht muajt e fundit pozicionet janë përafruar, që do të jetë dëm historik nëse nuk arrihet, sepse asnjëherë siç tha, nuk do të jemi në pozicion më të mirë për tejkalimin e këtyre dallimeve.

Ai theksoi se edhe marrëveshjen për fqinjësi me Bullgarinë nuk duhet askush ta vë në pikëpyetje. Bullgaria, thotë ai, do të jetë çdoherë fqinji ynë, aleat në NATO dhe çdoherë do të jetë e rëndësishme të kemi raporte të mira fqinjësore me to.

Në lidhje me përfshirjen e ShBA-së në raportet me Bullgarinë, Osmani tha se ShBA është me të vërtetë e interesuar fuqishëm që ky proces të ketë sukses dhe konsolidimi evropian i rajonit të vazhdojë, por se nuk ka proces konkret në të cilin ShBA janë ndërmjetësues në raportet mes dy vendeve. Ato raporte, tha ai, zhvillohen në bazë bilaterale.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button