Dita 73: Ukraina përforcon pozicionet në pritje të intensifikimit të sulmeve ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se, tërheqja e trupave rus do të ishte hapi i parë drejt paqes. Ai tha se, tha se nuk diskutohet fakti që Rusia të mbajë territorin që ka pushtuar që kur nisi pushtimin e Ukrainës. Zelensky bëri thirrje për rifillimin e dialogut diplomatik midis Rusisë dhe Ukrainës. Ndërkohë, kanë vazhduar ndihmat ndaj Ukrainës. SHBA së ka ndarë edhe një pako ndihme ushtarake, e shpallur nga presidenti Joe Biden,e cila kap vlerën e 150 milionë dollarëve, konfirmoi sekretari i shtetit Antony Blinken. Nga ana tjetër Italia ka urdhëruar sekuestrimin e një jahti 700 milionë dollarësh të lidhur me presidentin rus Vladimir Putinin, shkruan Portalb.mk.

15:30 – Ukraina përforcon pozicionet në pritje të intensifikimit të sulmeve ruse

Trupat ukrainase po përforcojnë pozicionet e tyre, ndërsa forcat ruse vazhduan sulmet ndaj fabrikës së çelikut në Mariupol, në përpjekje për ta vënë plotësisht nën kontroll qytetin port deri të hënën më 9 maj, në ditën e festimeve me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Me afrimin e festës në përkujtim të fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore mbi Gjermaninë naziste, qytetet anembanë Ukrainës u përgatitën për një intensifikim të pritshëm të sulmeve ruse. Zyrtarët u kërkuan banorëve që t’u kushtojnë vëmendje sirenave paralajmëruese për sulmet ajrore.

“Ndërsa e gjithë bota e qytetëruar kujton viktimat e luftërave të tmerrshme këto ditë, Federata Ruse do të bëjë parada dhe po përgatitet të kërcejë mbi eshtra në Mariupol”, tha zëvendësministri i brendshëm i Ukrainës, Yevhen Yenin.

Betejat më intensive ditët e fundit kanë ndodhur në Ukrainën lindore, ku të dyja palët përpiqen të sigurojnë territor që nuk është nën kontrollin e tyre.

Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se një kundër-ofensivë ukrainase po përparonte rreth qytetit verilindor të Kharkivit, ndërsa rusët arritën përparime të vogla në Luhansk, një zonë ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar që nga viti 2014.

Ndërkohë luftëtarët ukrainas vazhdojnë të bëjnë qëndresë për të parandaluar një pushtim të plotë të Mariupolit. Marrja nën kontroll e portit të rëndësishëm strategjik në Detin Azov do t’i jepte Moskës një urë tokësore për në Gadishullin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina gjatë një pushtimi në vitin 2014.

Bombardimi i fabrikës së çelikut u intensifikua ditët e fundit pavarësisht nga një premtim rus për një armëpushim të përkohshëm për të lejuar civilët brenda të largoheshin. Rusia ka përdorur mortaja, artileri, sisteme raketash dhe bombardime ajrore dhe nga deti për të goditur objektin.

Ekipet e shpëtimeve u përpoqën të evakuonin më shumë civilë të shtunën. Dhjetra civilë u dorëzuan të premten nën kujdesin e përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, konfirmuan zyrtarët rusë dhe ukrainas. Ushtria ruse tha se grupi prej 50 vetësh përfshinte 11 fëmijë.

Të evakuuarit e fundit pasuan afro 500 të tjerë që u lejuan të largoheshin nga uzina dhe pjesë të tjera të qytetit ditët e fundit.

Ndërkohë një zëdhënës rajonal tha se disa raketa goditën qytetin port Odesa në jug të Ukrainës.

Zëdhënësi i administratës rajonale Serhiy Bratchuk tha se sulmet goditën qytetin pasi objektivat në rajonin përreth Odesës ishin goditur nga katër raketa më herët gjatë ditës. Detajet e këtij njoftimi nuk janë konfirmuar ende në mënyrë të pavarur.

15:00 – Ukraina thotë se e ka shkatërruar edhe një anije tjetër ruse

Qeveria e Ukrainës ka thënë se ka shkatërruar një tjetër anije ruse. Ministria e Mbrojtjes në një shkrim në Twitter ka pretenduar se droni Bayraktar TB2 ka goditur anijen e projektit Serna.

“Parada tradicionale e flotës ruse në Detin e Zi më 9 maj të këtij viti do të mbahet pranë ishullit Snake – në fund të detit”, shkroi ministria.

Ukrainasit patën goditur anijen Moskva në Detin e Zi e cila më pas ishte fundosur. Ajo cilësohej anija më e madhe ruse.

Mediat e huaja duke cituar burime amerikane kanë raportuar se ishte inteligjenca e SHBA-së ajo që i ndihmoi ukrainasit për vendndodhjen e anijes.

SHBA-ja jep 150 milionë dollarë për Ukrainën

Pakoja e fundit e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, e shpallur nga presidenti Joe Biden, kap vlerën e 150 milionë dollarëve, konfirmoi sekretari i shtetit Antony Blinken, raportoi The Guardian të shtunën.

“Unë kam autorizuar 150 milionë dollarë në armë, pajisje dhe furnizime shtesë amerikane për Ukrainën për të përforcuar mbrojtjen e saj për të kundërshtuar ofensivën e Rusisë në Lindje”, tha Blinken.

Ajo përfshin 25,000 fishekë artilerie, pajisje bllokimi, pajisje në terren, e të tjera. Biden tha se SHBA-ja me aleatët ka qenë kyçe në ndihmën për Ukrainën që ta fitojë betejën kundër Rusisë. Me 150 milionë dollarët e fundit, ndihma ushtarake e Washingtonit për Kievin që nga nisja e pushtimit rus ka arritur në rreth 3.8 miliardë dollarë, tha Blinken.

U mor vendimi për Sheherazaden e Putinit në Itali

Italia ka urdhëruar sekuestrimin e një jahti 700 milionë dollarësh të lidhur me presidentin rus Vladimir Putinin, raportoi BBC të shtunën. Sheherazade i është nënshtruar riparimeve në një port në Tuscany që nga shtatori i vitit të kaluar.

Ministria e Financave e Italisë tha se pronari i saj kishte lidhje me “faktorë të shquar të qeverisë ruse”. Ai është sekuestruar nën sanksionet e BE-së për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ku janë konfiskuar edhe anije të tjera.

Pronari i saktë i Sheherazades nuk është zbuluar ende, por zyrtarët amerikanë i thanë New York Times se mund t’i përkiste presidentit rus. Mbështetësit e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny e kanë lidhur gjithashtu anijen me Putinin.

Shumë superjahte janë të lidhura me miliarderët rusë, por pronësia është e fshehtë. Disa prej tyre tashmë janë kapur nga vendet perëndimore.

Zelensky: Tërheqja e Rusisë hapi i parë drejt paqes 

Çdo marrëveshje paqeje me Rusinë do të varet nga tërheqja e forcave ruse në pozicionet e tyre para pushtimit rus, thotë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Duke folur për një institut në Londër, Zelensky, tha se ky do të ishte minimumi që vendi i tij mund të pranonte, raporton BBC.

Ai tha se është lideri i “Ukrainës, jo i një mini-Ukraine”. Por ai nuk e përmendi Krimenë, rajon ky që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Rusia aktualisht po lufton për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Mariupol.

Ka ende forca ukrainase së bashku me disa civilë në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal qytet juglindor, i cili i është nënshtruar një sulmi të furishëm rus.

Marrja përfundimisht e Mariupolit do të ishte arritja më e madhe e Rusisë në dy muajt e luftës dhe do t’i jepte presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, diçka për të festuar më 9 maj, që është “Dita e Fitores” në Rusi – dita kur vendi shënon fitoren sovjetike ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.

Megjithatë, duke folur nga Kievi për institutin Chatham House në Londër, presidenti ukrainas Zelensky tha se nuk diskutohet fakti që Rusia të mbajë territorin që ka pushtuar që kur nisi pushtimin e Ukrainës.

“Për të ndalur luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, hapi i parë duhet të jetë rikthimi i situatës që nga 23 shkurti”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje nga BBC duke iu referuar një dite para fillimit të luftës.

“Unë u zgjodha nga populli i Ukrainës si president i Ukrainës, jo si president i një mini-Ukraine. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme”, shtoi ai.

Referenca për situatën e 23 shkurtit sugjeron se Ukraina mund të mos insistojë në rimarrjen e Krimesë përpara se të bëjë paqe me Rusinë.

Gadishulli u aneksua nga Rusia tetë vjet më parë.

Zelensky bëri thirrje për rifillimin e dialogut diplomatik midis Rusisë dhe Ukrainës: “Pavarësisht faktit se ata shkatërruan të gjitha urat tona, unë mendoj se jo të gjitha urat janë shkatërruar, në mënyrë figurative”, tha ai.

Rusia, nga ana e saj, e ka përshkruar atë proces si në një “gjendje stagnimi”.

Derisa konflikti po vazhdon, mijëra fëmijë në Ukrainë kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike, marrë parasysh përvojat traumatike të luftës, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, 4,000 deri në 6,000 profesionistë për psikologji të fëmijëve janë ende në këtë shtet, dhe duhet bërë gjithçka për të siguruar pagat e tyre dhe për t’i mbështetur në mënyrë që të vazhdojnë punë e rëndësishme, ka thënë eksperti i UNICEF-it, Aaron Greenberg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button