Institucionet shtetërore janë të obliguar të lejojnë qasje pa pengesë deri te të gjithë informacionet, vlerësoi Pendarovski

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatikë (SPGPM) sot më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, organizuan manifestim nën moton “Gazetarë dhe punëtorë të sigurt mediatik për gazetari cilësore në Maqedoninë e Veriut”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Qëllimi i ngjarjes është të dërgohet mesazh të rritet ndërgjegjësimi për domosdoshmërinë e përmirësimit të sigurisë dhe mjedisit socio-ekonomik për gazetarët dhe punonjësit mediatikë, si mënyrë për promovim të lirisë së shprehjes si një e drejtë themelore e njeriut dhe për të forcuar rolin e organizatave mediatike në procesin e krijimit të politikave.

Kryetari i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili ishte edhe nikoqir i manifestimit, në fjalën e tij hyrëse tha se siguria e gazetarëve është obligim i përbashkët i të gjithë neve, por mbi të gjitha i institucioneve shtetërore dhe faktorëve politikë dhe nuk duhet të jetë vetëm një shprehje boshe politike.

“Të gjitha institucionet shtetërore e kanë për obligim që të sigurojnë qasje të papenguar në të gjitha informacionet për punën e tyre, në mënyrë që gazetarët të mundësojnë informacione cilësore për qytetarët. Organet e sigurisë dhe të drejtësisë duhet të veprojnë me kohë dhe pa dallim në rastet kur rrezikohet siguria e gazetarëve”, tha presidenti Pendarovski.

Raporti i ri i Reporterëve pa Kufij për rritjen e lirisë së medias në vend nuk do të thotë se beteja për gazetari cilësore dhe liri ka përfunduar.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski theksoi se kur është fjala për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e fjalës në vendin tonë, liria relative në të cilën jetojmë tani nuk duhet të na mashtrojë.
“Pa zgjidhje sistemore që do të garantojnë përmbajtje cilësore mediatike dhe pavarësi të punës redaktuese dhe gazetareske, gjithë kohën do të sillemi në rreth. Është koha për ndryshime thelbësore që do të garantojnë liri të punës, sepse liria e fjalës dhe e mendimit vështirë fitohet, me mundim ruhet, ndërsa përvoja na thotë se shumë lehtë mund të humbet. “Le të mos e lejojmë këtë,” theksoi Çadikovski.

Kryetari i SPGPM-së Pavle Bellovski theksoi se gjendja socio-ekonomike e gazetarëve, përveç sigurisë, është kushti më i rëndësishëm për zhvillimin e gazetarisë së lirë.

“Gazetaria pa mundësi për ndikim mbi politikën redaktuese është kusht pa të cilin gazetarët dhe punonjësit e medias nuk mund të shpëtojnë nga presionet e grupeve të ndryshme të interesit dhe kusht për uljen e auto-censurës, e cila sipas analizave tona dhe raporteve të organizatave ndërkombëtare janë të përhapura në Maqedoni” tha Bellovski në panel diskutimin në temë “Përmirësimi i sigurisë dhe rrethanave socio-ekonomike për gazetarët dhe punonjësit mediatikë: Ku jemi dhe si të ecim përpara?”

Në pjesën aktiviteteve punuese folën edhe Katarina Sinadinovska, kryetare e KEMM-it, Biljana Petkovska, drejtoreshë ekzekutive e IMM-it dhe Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i SHGM-së, ndërsa konstatimi ishte se ka nevojë për zgjidhje sistemore të cilat do të garantojnë mbrojtje afatgjatë të të drejtave dhe integritetit të të gjithë punonjësve mediatikë.

Shoqatat e gazetarëve theksojnë se ngritja e standardeve ekonomike të gazetarëve është e rëndësishme sepse në atë mënyrë ata do të jenë më rezistentë ndaj presionit dhe do të jenë më të motivuar për të prodhuar përmbajtje cilësore që i shërbejnë interesit publik.

Sipas tyre, është e nevojshme të mbështetet debati për krijimin e një fondi kombëtar të pavarur, por jo për të mbështetur mediat, por për të mbështetur gazetarinë profesionale dhe përmbajtje cilësore mediatike që do të promovojnë interesin publik.

“Fushatat qeveritare të paguara me para të qytetarëve paraqesin rrezik për të çrregulluar edhe më tej tregun e brishtë mediatik, kurse ajo do të ndikojë negativisht në lirinë e medias duke e neglizhuar interesin publik në mbulimin mediatik,” ishte porosia e shoqatave të gazetarëve në panel.

Në kuadër të aktivitetit për të pranishmit u organizua një ekspozitë me foto dhe video produkte. Ekspozita është rezultat i punimeve të dorëzuara të pjesëmarrësve në thirrjen për realizimin e rrëfimeve fotografike të titulluar “Fotografo zërin tënd!” synimi i së cilës është që nëpërmjet fotografive dhe mesazheve të tregohet se si është të jesh grua dhe gazetare/punonjëse mediatike në Maqedoni dhe problemet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe të drejtat e punës me të cilat janë ballafaquar dhe ende ballafaqohen gazetaret, redaktoret, kryeredaktoret dhe gratë pronare të mediave. Ndër veprat e përzgjedhura në ekspozitë është shfaqur edhe video e gazetares së Meta.mk, Angela Boshkoska me titull “Transmetim”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button