fbpx

Urimet e krerëve politik në Maqedoninë e Veriut për Fitër Bajramin

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, njofton Portalb.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, besimtarëve myslimanë u ka dëshiruar që ditët festive t’i kalojnë në rrethin e më të afërmve, në shëndet të mirëdhe në disponim të mirë.

“Muaji i shenjtë i Ramazanit është muaj i agjërimit, dhurimit, faljes, muaj i përforcimit të besimit, mirëkuptimit, dhe repsketimit të të tjerëve. Me kremtimin e përbashkët të këtij, por edhe të festave tjera fetare qartë dërgojmë mesazh se toleranca ndërfetare dhe ndëretnike, mirëkuptimi dhe respektimi i ndërsjellë, janë shtyllat e shoqërisë së Maqedonisë së Veriut”, potencon Pendarovski në urim.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka uruar besimtarët myslimanë festën më të madhe myslimane Fitër Bajramin, me shpresë se muaji që e lëmë pas, agjërimi, lutjet e devotshme dhe veprat e mira ndaj qenieve njerëzore në nevojë arritën të na pastrojnë shpirtrat, mendimet dhe trupin nga mendimet negative, ndikimet helmuese dhe veprimet e palakmueshme.
“Shpresoj se të gjithë besimtarët e devotshëm do e mirëpresin Bajramin në një dimension më të lartë të fisnikërimit dhe ndërgjegjësimit të mendjes dhe trupit, dhe se atë energji do e ndajnë me të afërmit, me miqtë dhe të njohurit, që fryma dhe aroma festive ti përmbushë të gjitha shtëpitë dhe të rrezatojë ngrohtësi dhe dritë e cila do i ngrohë zemrat, do të sjellë paqe dhe qetësi në shpirtrat dhe do të udhëzojë kah ndërtimi i respektit të ndërsjellë, ndjenjës së solidaritetit dhe humanizmit. Këto janë kohëra të vështira të sprovës për njerëzimin, krizat ndërlidhen njëra pas tjetrës. Le të na bashkojë festa të gjithë në lutjet, le të sjellë paqe, harmoni dhe mirëqenie për të gjithë. Edhe njëherë, urime Ramazan Bajrami dhe për shumë vite ta festojmë!”, thotë Xhaferi në urimin e tij.
Në urimin deri te besimtarët myslimanë, kryeministri Dimitar Kovaçevski thekson se Fitër Bajrami është festë e ripërtëritjes së forcës shpirtërore e cila e përforcon besimin tek njerëzit në të mirë, të vërtetën, drejtësinë dhe nxit dëshirë për respekt, mirëkuptim dhe solidaritet të ndërsjellë.
“Fundi i agjërimit dhe dhuratat që fitohen në muajin e përmbajtjes, i stolisin besimtarët me frymë të durimit, joegoizmit dhe bujari që të shpërndahen të mirat e festës me familjarët, farefisin, miqtë dhe fqinjët. Këto vlera sivjet kanë rëndësi të posaçme për shkak të krizës aktuale globale. Në këto kushte, Fitër Bajrami bën thirrje që të ballafaqohemi me sfidat dhe në bazë të parimeve të respektimit dhe solidaritetit që të vazhdojmë së bashku përmes rrugës që e zgjodhëm, të bashkuar dhe unik”, thotë Kovaçevski në urim.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti uroi besimtarët që në këtë ditë feste të Fitër Bajramit të jenë të pranuara dhe të shpërblyera të gjitha veprat e mira, agjërimi dhe lutjet e juaja gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
“Qofshin të bashkuara gjithmonë si sot zemrat tona rreth vlerave të larta të besimit, bamirësisë, solidaritetit dhe respektit ndaj njëri tjetrit. Shumë gëzime, shëndet dhe mbarësi le të ketë gjithmonë në familjet tuaja!”, thekson Ahmeti në urimin e tij.
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi në urimin e tij thekson se nëse e kemi marrë leksionin e këtij muaji se, ashtu si agjërimi, edhe jeta jonë duhet të jetë njësoj e sinqertë, si në jetën private, ashtu edhe në jetën publike, mund të themi se ia kemi dalë me sukses përpjekjes sonë për ta adhuruar Zotin drejt dhe për ta manifestuar këtë besim në jetën tonë personale dhe sociale.
“Të dashur besimtarë myslimanë, pas një muaji të kaluar më agjërim, përdëllim e adhurim, kam kënaqësi që sot – në këtë mëngjes feste – të lutem që Zoti ta ketë pranuar përpjekjen tonë dhe ne të kemi dalë nga Ramazani me fuqi të reja, me më shumë dashuri, dhembshuri, solidaritet e gatishmëri për sakrificë. E duke u gjendur në këtë ditë Bajrami, dëshiroj që nga thellësia e zemrës së ushqyer me agjërim, të gjithë besimtarëve myslimanë t’ua uroj festën e madhe të Bajramit të Fitrit, duke u dëshiruar që këtë festë të kalojnë pranë më të dashurve të tyre, në vizita familjare, në dashuri me fqinjët dhe në kujdes për skamnorët e nevojtarët. E gëzofshi për shumë vjet Bajramin e Madh”, thotë Gashi në urim.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela uron që në familjet e të gjithë besimtarëve të mbizotërojë harmonia, lumturia dhe dashuria. Le të sjellë kjo festë më shumë begati, paqe në botë dhe shëndet për gjithësecilin.
“Festofshi për shumë mote, me më të dashurit tuaj!”, thotë Sela në urim.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka uruar besimtarët me dëshira për shëndet, për të qenë solidar dhe për të vazhduar bashkërisht me punë të mira.
Pas një muaji agjërim, pas një muaji të devotshmërisë, sot festojmë Fitër Bajramin, këtë festë të madhe, këtë festë të solidaritetit dhe gëzimit të përbashkët ku secili nga ne ndjen afërsinë njerëzore, ndjen jetën e përbashkët përmes vizitave në familje, por edhe afirmitetin me gjithë të tjerët. Fitër Bajrami ofron gëzim në zemrat tona, ofron ndjenjën më të bukur të solidaritetit mes njerëzve, paqes dhe begatisë shpirtërore e njerëzore. Festat na bëjnë të jemi më afër njëri-tjetrit. E gëzofshi Fitër Bajramin, festën e madhe të solidaritetit!”, thekson Kasami në urimin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button