Dita 67: A janë efektive sanksionet kundër Rusisë?

Gjermania tha se ka bërë përparim duke zvogëluar ndjeshëm varësinë nga energjia ruse, një ndryshim strategjik në ekonominë më të madhe të Evropës, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Kombet e Bashkuara thanë se po kryejnë një “operacion të sigurt evakuimi” të civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal, në Ukrainë. Papa Françesku ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe e ka quajtur “regresion makabër të njerëzimit”. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe me zyrtarë të tjerë, njofton Portalb.

22:52 – A janë efektive sanksionet kundër Rusisë?

Sanksionet masive kundër Rusisë, në përpjekje për të ndalur luftën në Ukrainë, mund të kenë pasur efekt në ekonominë ruse, por jo në fushën e betejës. Në muajin e tretë të luftës, Rusia ka bërë që Ukraina të rijetojë disa nga tmerret më të këqija të shekullit 20. Mijëra njerëz të vrarë, miliona të zhvendosur, qytete të tëra nën rrënoja.

“Nuk e di çfarë të bëj. Pse kanë bombarduar këtu? Çfarë kemi bërë? Nuk kemi bërë asgjë”, thotë për agjencinë e lajmeve Reuters Valentina, një grua e moshuar nga rajoni ukrainas i Donbasit.

Forcat pushtuese ruse kanë bombarduar ndërtesa banimi, spitale, shkolla, stacione hekurudhore. Kanë rrethuar qytete dhe kanë mbledhur kufoma njerëzish në varre masive.

Ukrainasit, nën udhëheqjen e presidentit të tyre, Volodymyr Zelensky, dhe të mbështetur nga dërgesat ushtarake të Perëndimit, kanë treguar rezistencë të fortë. Rusët nuk kanë arritur të kapin Kievin, as të rrëzojnë qeverinë atje. Luftimet tash i kanë përqendruar në pjesën lindore të Ukrainës.

Perëndimi është zotuar se nuk do të përfshihet direkt midis dy vendeve. Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim, ndërsa kundër Rusisë ka ndërmarrë një varg sanksionesh ekonomike e diplomatike, në përpjekje për ta detyruar që të tërhiqet nga Ukraina.

Mes tjerash, vendet perëndimore kanë ngrirë asetet e Bankës Qendrore Ruse, kanë bllokuar disa banka ruse nga sistemi i pagesave SWIFT, kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, u kanë ngrirë pasurinë mbi 1,000 individëve, përfshirë zyrtarë të Kremlinit dhe oligarkë.

Një tufë kompanish perëndimore, si: Apple, Netflix, Ikea, H&M, McDonalds, Coca-Cola, janë larguar po ashtu nga Rusia.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi ka shpallur sanksione të reja kundër Moskës, në fillim të prillit, ka thënë se presioni mbi presidentin rus, Vladimir Putin, nuk do të ndalet.

“Këto janë Shtetet e Bashkuara dhe ne do ndërmarrim hapa shtesë, në koordinim me aleatët dhe partnerët tanë, për të rritur presionin ekonomik mbi Putinin”, ka thënë Biden.

Si pasojë e sanksioneve, rubla ruse ka rënë fillimisht në vlerë, por është rikuperuar me kalimin e kohës, kryesisht për shkak të masave që kanë ndërmarrë autoritetet për mbështetjen e saj.

Putin ka minimizuar ndikimin e sanksioneve në Rusi dhe ka thënë se ato kanë dëmtuar ekonomitë e vendeve perëndimore.

“Kanë rritur inflacionin, papunësinë dhe kanë përkeqësuar dinamikën ekonomike në SHBA dhe Evropë. Kanë zvogëluar standardet e jetesës për evropianët dhe kanë zhvlerësuar kursimet e tyre”, ka thënë Putin.

Perëndimi ka kaluar në sanksione, si mjet presioni, qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Disa vende, përshirë Iranin, Sirinë, Korenë e Veriut dhe Venezuelën, janë aktualisht të sanksionuara, për shkak të agresionit ose shkeljeve të ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, këto masa ndëshkuese, historikisht, nuk kanë qenë efektive në ndryshmin e regjimeve apo të sjelljes së diktatorëve.

Andre Gerrits, profesor i studimeve ndërkombëtare dhe politikës globale në Universitetin Leiden në Holandë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se sanksionet kundër Rusisë – sado masive që janë – nuk kanë ndikuar në ndryshimin e qasjes së Kremlinit në Ukrainë.

“Rusia nuk e ka ndryshuar strategjinë. Ndryshimin që e ka bërë në fushëbetejë, nuk e ka bërë për shkak të sanksioneve. Ai ka qenë rezultat i rezistencës së ushtrisë ukrainase, sidomos në dhe përreth Kievit. Pra, [sanksionet] nuk kanë ende efekt të dukshëm, por kjo gjë nuk nënkupton domosdoshmërisht se ato nuk do të kenë efekte politike në të ardhmen”, thotë Gerrits.

Sipas tij, presioni i Perëndimit kundër Rusisë nuk i ka arritur limitet dhe ka ende hapësirë për të vepruar.

“Ne ende e mbështesim Rusinë. E mbështesim me para, për shkak të importit të gazit dhe naftës ruse. Ne i japim më shumë para, sesa që i marrim me anë të sanksioneve. Sanksionet e lëndojnë Rusinë deri në një masë të caktuar, por, në të njëjtën kohë, ka boshllëqe serioze”.

“E para, ne vazhdojmë të blejmë produkte të energjisë nga Rusia dhe, e dyta, sanksionet nuk janë të plota. Disa banka janë shënjestruar, të tjerat jo. Dhe, çka është më e rëndësishmja, disa ekonomi të mëdha nuk janë pjesë e regjimit të sanksioneve, përfshirë: Indinë, Turqinë dhe natyrisht Kinën. Andaj, ideja që mund ta kemi ne në Perëndim, se e kemi izoluar me sukses Rusinë, nuk është e vërtetë, nuk është reale”, thotë Gerrits.

Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar importin e naftës dhe gazit rus. Por, Bashkimi Evropian, i cili merr çerekun e naftës së tij nga Rusia, ashtu si edhe 40% të gazit, vazhdon furnizimet, edhe pse është zotuar se do të pavarësohet nga energjia ruse para vitit 2030.

Nga 27 prilli, vetë Rusia ka ndaluar rrjedhjen e gazit në Poloni dhe Bullgari dhe ka kërcënuar edhe vende të tjera me ndërprerje të furnizimeve. BE-ja e ka cilësuar si shantazh këtë veprim.

21:05 – Gjermania thotë se ka zvogëluar varësinë nga energjia ruse

Gjermania tha se ka bërë përparim duke zvogëluar ndjeshëm varësinë nga energjia ruse, një ndryshim strategjik në ekonominë më të madhe të Evropës, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Furnizimet ruse tani përbëjnë 12 për qind të importeve të naftës së Gjermanisë, krahasuar me 35 për qind sa ishe më herët, tha Ministria e Ekonomisë përmes një deklarate.

Po ashtu, importet e thëngjillit nga Rusia janë 8 për qind, krahasuar me 45 për qind sa blinte më herët Gjermania.

Megjithatë, varësia nga gazi rus është substancial, por Gjermania tha se ka ulur importet e gazit rus në 35 për qind, krahasuar me 55 për qind para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Në mars, Qeveria gjermane kishte prezantuar planet për uljen e importeve të naftës nga Rusia deri në qershor dhe ka thënë se dëshiron të ndërpresë furnizimet me thëngjill në vjeshtë të këtij viti.

Gjermania po ashtu parashikon që të heqë dorë pothuajse plotësisht nga gazi rus në mesin e vitit 2024.

“Të gjitha këto hapa që kemi ndërmarrë kërkojnë përpjekje të madhe nga të gjitha palët dhe këto hapa po ashtu nënkuptojnë edhe kosto, që po ndihen nga ekonomia dhe konsumatorët”, tha ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck.

“Por, ato janë të nevojshme nëse ne nuk duam që të shantazhohemi nga Rusia”, shtoi ai.

Evropa varet shumë nga energjia ruse, duke importuar 47 për qind të gazit nga Moska.

16:25 – OKB konfirmon se po zhvillohet operacioni i evakuimit të civilëve nga Mariupoli

Kombet e Bashkuara thanë se po kryejnë një “operacion të sigurt evakuimi” të civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal, në Ukrainë.

Kështu deklaroi të dielën zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinim dhe Çështje Humanitare, Saviano Abreu.

Operacioni ka nisur më 29 prill dhe po realizohet në koordinim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Rusinë, Ukrainën tha Abreu për Reuters.

Ai tha se ekipet kanë arritur në fabrikën Azovstal mëngjesin e të shtunës, por nuk dha më shumë detaje, duke thënë se këto mund të rrezikojnë sigurinë e të evakuuarve.

Po ashtu Kryqi i Kuq po ashtu nuk ka pranuar të japë detaje, por vetëm ka konfirmuar se operacioni për evakuimin e civilëve nga Mariupoli është duke u zhvilluar.

“Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq konfirmon se po zhvillohet operacioni i evakuimit, në koordinim me OKB-në dhe palët e tjera të përfshira në konflikt”, tha një zëdhënës i kësaj organizate.

Kombet e Bashkuara besojnë se afër 1,000 civilë gjenden në fabrikën e çelikut Azovstal, që është pjesa e vetme e Mariupolit që nuk është nën pushtimin rus. Kjo organizatë beson se afër 100,000 civilë gjenden brenda qytetit të Mariupolit, qytet që ka qenë skenë e luftimeve intensive qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Luftëtarët ukrainas që gjenden në fabrikën e Azovstalit kanë publikuar video më 30 prill, përmes së cilave kanë thënë se po iu mbarojnë furnizimet me ushqim, ujë dhe furnizime të tjera, duke bërë thirrje për ndihmë.

15:52 – Papa bën thirrje për evakuimin e civilëve nga Mariupoli

Papa Françesku ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe e ka quajtur “regresion makabër të njerëzimit”.

Papa tha se lufta e bën atë “të vuaj dhe të qaj” dhe bëri thirrje që të hapen korridore humanitare për të evakuuar banorët e bllokuar në fabrikën Azovstal në Mariupol të Ukrainës.

Edhe pse ai nuk kritikoi në mënyrë specifike Rusinë, Françesku tha se Mariupoli është “bombarduar në mënyrë barbare dhe është shkatërruar”.

Kombet e Bashkuara besojnë se afër 1,000 civilë gjenden në fabrikën e çelikut Azovstal, që është pjesa e vetme e Mariupolit që nuk është nën pushtimin rus. Kjo organizatë beson se afër 100,000 civilë gjenden brenda qytetit të Mariupolit, qytet që ka qenë skenë e luftimeve intensive qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Luftëtarët ukrainas që gjenden në fabrikën e Azovstalit kanë publikuar video më 30 prill, përmes së cilave kanë thënë se po iu mbarojnë furnizimet me ushqim, ujë dhe furnizime të tjera, duke bërë thirrje për ndihmë.

Papa ka dënuar disa herë luftën që prej se nisi pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt. Ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë udhëheqësve që kanë fuqi, ta ndalin këtë luftë dhe të ketë paqe për gjithë njerëzimin.

11:35 – Pelosi takohet me Zelenskyn në Kiev

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe me zyrtarë të tjerë.

Zelensky postoi një video më 1 maj nga takimi me Pelosin.

“Ne besojmë se po ju vizitojmë për t’iu thënë faleminderit për luftën tuaj për liri”, i tha Pelosi Zelenskyt.

“Ne jemi në kufirin e lirisë dhe lufta juaj është për të gjithë. Angazhimi ynë është të jemi aty për ju derisa të përfundojë lufta”, shtoi ajo.

Pelosi arriti në kryeqytetin ukrainas më 30 prill së bashku me një delegacion që përfshin anëtarë të Dhomës, Jason Crow (Demokrat nga Kolorado), Jim McGovern (Demokrat nga Masaçusets) dhe Adam Shift (Demokrat nga Kalifornia).

Kjo vizitë është e paparalajmëruar dhe vjen në kohën kur SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë shtuar përpjekjet për t’i dërguar ndihmë ushtarake dhe mbështetje tjetër për Ukrainën.

Pelosi tha se delegacioni ka “përcjell mesazhin se ndihma amerikane është duke ardhur”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, javën e kaluar i kërkoi Kongresit që të miratojë një paketë të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 33 miliardë dollarësh.

Zelenksy postoi në Twitter: “SHBA-ja po udhëheq mbështetjen e fuqishme për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus”.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, më 1 maj vizitoi Pekinin për të pyetur Kinën që të ofrojë garanci të sigurisë si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të ardhshme të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Ukraina aktualisht po studion mundësitë për të marrë garanci të sigurisë nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Kinën dhe fuqitë e tjera të mëdha”, tha Kuleba për mediat kineze.

Kombet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet për të aranzhuar evakuimin e civilëve nga qytetin ukrainas i Mariupolit, teksa luftimet dhe bombardimet po vazhdojnë në mbarë pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës.

Zëdhënësi i OKB-së, Savino Abreu, u tha gazetarëve në Zaporizhja të Ukrainës se negociatat për evakuimin e civilëve nga Mariupoli po mbahen në Moskë dhe Kiev, por ai tha se nuk mund të raportojë për përparim “për shkak të kompleksitetit të operacionit”.

OKB-ja beson se afër 1,000 civilë gjenden në fabrikën e çelikut Azovstal, që është pjesa e vetme e Mariupolit që nuk është nën pushtimin rus. Kjo organizatë beson se afër 100,000 civilë gjenden brenda qytetit të Mariupolit, qytet që ka qenë skenë e luftimeve intensive qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Luftëtarët ukrainas që gjenden në fabrikën e Azovstalit kanë publikuar video më 30 prill, përmes së cilave kanë thënë se po iu mbarojnë furnizimet me ushqim, ujë dhe furnizime të tjera, duke bërë thirrje për ndihmë.

Moska më 1 maj pretendoi, pa dhënë asnjë dëshmi, se forcat ukrainase në rajonin jugor të Hersonit, kanë granatuar zona të civilëve dhe kanë shkaktuar viktima.

Ushtria ukrainase tha se forcat ruse kanë nisur sulme përgjatë kufijve të rajonit Herson dhe duket se po ia mësyjnë qyteteve të Mikolajivit dhe Kirvi Rih.

Rusia më 30 prill kreu sulme me raketa në pistën e aeroportit të Odesës, qytetit të tretë më të madh ukrainas dhe një qytet i rëndësishëm në Detin e Zi. Ushtria ukrainase tha se sulmet kanë bërë që aeroporti në Odesa të jetë i papërdorshëm. Ndërkaq, guvernatori i këtij qyteti tha se sulmi ishte nisur nga Gadishulli i Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button