Driton Kuka, trajneri më i mirë në Evropë

Driton Kuka ka fituar edhe një çmim prestigjioz individual. Pasi më parë u shpall trajneri më i mirë i xhudos në botë për vitin 2021, Kuka tani është shpallur edhe trajneri më i mirë i xhudisteve në Evropë për vitin 2021. Është e arritur tjetër individuale e kryemjeshtrit nga Peja, raporton Koha.net.

Trofeu i trajnerit më të mirë në Evropë për xhudiste për vitin 2021, Kukës iu dorëzua gjatë Kampionatit Evropian të xhudos që po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Kosova në këtë evropian i ka fituar dy medalje. Laura Fazliu të shtunën fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa të premten Distria Krasniqi fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 52 kg. Në Evropian nuk u paraqitën dy prej xhudisteve më të mira, Nora Gjakova e Loriana Kuka.

Ndërkohë që sukseset e reja kulmore po vijnë, ende po shpërblehen sukseset që xhudistet kosovare i arritën vjet. Falë atyre sukseseve, Kuka të shtunën u shpall më i miri i kontinentit për vitin e kaluar, një çmim prestigjioz ky.

Kosova vjet ishte vendi më i suksesshëm në Kampionatin Evropian të xhudos, falë dy medaljeve të arta dhe një të bronzte. Të artat i fituan Distria Krasniqi e Akil Gjakova, ndërsa të bronztën e fitoi Nora Gjakova.

Por më së shumti nga EJU-ja vlerësohet suksesi që xhudistet kosovare e arritën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura verën e kaluar. Distria Krasniqi e Nora Gjakova fituan medalje të arta dhe Kosova falë tyre ishte shteti më i suksesshëm evropian në garën e xhudos në Olimpiadë. Olimpiada është gara më e madhe e mundshme.

Tani trajneri i Kosovës në xhudo i mban dy çmime të rëndësishme individuale. Më i miri në botë u shpall me votat e lexuesve të sajtit të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, pasi IJF-ja kishte përzgjedhur disa të nominuar. Ndërkohë EJU-ja ka përzgjedhur në bazë të sukseseve.

Ndikimi i Kosovës në EJU po rritet vazhdimisht. I pari i xhudos kosovare, Agron Kuka, së shpejti pritet të zyrtarizohet në pozitën e drejtorit sportiv dhe të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të EJU-së. Ndërkohë, Driton Kuka ka kohë që është anëtar i Komisionit të Trajnerëve të Unionit Evropian.

Kuka, të shtunën, nuk ishte shumë i angazhuar. Ai nga këndi e udhëhoqi vetëm Akil Gjakovën, që u ndal në luftën e parë. Kurse Laura Fazliun drejt medaljes së argjendtë evropiane e udhëhoqi Majlinda Kelmendi. Ajo qëndroi në kënd, ndërsa Kuka jepte këshilla të vazhdueshme nga tribuna.

Kuka çmohet edhe për konsistencën. Sportistët e tij ka dhjetë vjet që fitojnë rregullisht medalje në Kampionate Evropiane për të rritur. Është kjo seri e jashtëzakonshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button