Vëllimi i mbetjeve të pa grumbulluara me kalimin e viteve po rritet, komunat e pengojnë ndërtimin e deponive rajonale (Infografik)

Problemi me menaxhimin e mbeturinave në Maqedoni vazhdon të rritet, ndërsa rreziku kryesor është mundësia e krijimit të deponive të reja ilegale nëpër komuna. Të dhënat ndër vite tregojnë se sasia e mbeturinave komunale të krijuara nga qytetarët dhe kompanitë po rritet më shpejt se sa vëllimi i mbeturinave që kompanitë komunale publike mund t’i grumbullojnë nëpër komuna, shkruan Meta.mk.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, llogaritet se vitin në 2021 janë gjeneruar 896. 066 tonelata mbetje komunale, që është rënie prej rreth 17.000 tonelata krahasuar me vitin 2020. Statistikat e vitit të kaluar bazohen në përqindjen e popullsisë rezidente nga regjistrimi i vitit të kaluar.

Infografik, mbeturina

Megjithatë, sasia vjetore e mbetjeve komunale, të gjeneruara për kokë banori në, vitin 2021 ka qenë 452 kilogramë, njëlloj sikurse në vitin 2020. E vetmja gjë që ka rënë është numri i popullsisë në vend, gjegjësisht pakësimi i mbetjeve komunale të krijuara është vetëm një e dhënë statistikore.

Ndërkohë që në jetën reale, sasia totale e mbeturinave komunale të grumbulluara vitin e kaluar në vend është 632.087 tonelata. Krahasuar me vitin 2020, sasia totale e mbetjeve komunale të grumbulluara në vitin 2021 shënon rritje prej 0,3 për qind.

Me kalimin e viteve, rezultati negativ në mes të mbetjeve komunale të krijuara dhe të grumbulluara nga ndërmarrjet publike komunale është vazhdimisht në rritje. Në vitin 2009, kjo hendek ishte 180,213 ton mbeturina komunale që mbetën të pa grumbulluara. Vitin e kaluar, mbetjet komunale të grumbulluara u rritën në 263.979 tonelata. Kjo diferencë zakonisht përfundon në deponitë ilegale në të gjithë vendin, në lumenj, në natyrë, në tokë të punueshme dhe e ndot mjedisin jetësor.

Sipas rajoneve, sasia më e madhe e mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2021 është regjistruar në Rajonin e Shkupit – 176.917 tonelata ose 28 për qind nga sasia totale e grumbulluar. Megjithatë, gjendja më e keqe është në rajonin e planifikimit Jugperëndimor, i cili vitin e kaluar ka prodhuar më së shumti mbetje – 183,591 tonelata, kurse të grumbulluara nga ndërmarrjet janë vetëm 54.980 tonelata mbeturina komunale. Kujtojmë, pikërisht në këtë rajon, Ohri i mbrojtur dhe Liqeni i Ohrit janë në listën botërore të UNESCO-s.

Për nga sasia e mbeturinave komunale të krijuara, rajoni i Shkupit është në vendin e dytë me 179.125 tonelata. Më pas vijnë rajoni i Pollogut me 128.467 tonelata, si dhe ai Lindor, në të cilin amvisëritë dhe kompanitë në vitin 2021 kanë gjeneruar gjithsej 110.324 tonelata mbetje komunale.

Pjesa më e madhe e mbeturinave komunale grumbullohet nga amvisëritë në mbarë vendin – 528.261 tonelata ose 84 për qind, ndërsa pjesa tjetër prej 16 për qind janë nga persona juridikë dhe fizikë. Edhe vitin e kaluar pjesa më e madhe e asaj që u grumbullua në fakt ishin mbeturina të përziera komunale. Mbetjet e pazgjedhura arritën në 522.914 tonelata ose 82.7 për qind të sasisë së mbeturinave të grumbulluara.

Ndryshe, përkundër rritjes së dallimeve ndërmjet mbeturinave komunale të gjeneruara dhe të grumbulluara në vend, fakti mbetet se në vitin 2021 sasia më e madhe e mbeturinave komunale të grumbulluara (99,8 për qind) derdhet në deponi. Kurse në vend, me përjashtim të deponisë së Shkupit “Drislla”, asnjë nga deponitë tjera komunale nuk është legale, gjegjësisht nuk funksionon në përputhje me lejen A-të integruar mjedisore që lëshohet nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Megjithatë, pavarësisht se komunat në fakt e kanë problemin më të madh me deponitë, ka disa pushtetet vendore specifike që e pengojnë ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve. E fundit në serinë e përpjekjeve për të penguar ndërtimin e deponive rajonale sipas standardeve të BE-së është Komuna e Sveti Nikollës, e cila në fillim të vitit para shpalljes së tenderit ndërkombëtar për ndërtim deklaroi se kundërshton ndërtimin e deponisë rajonale në territorin e vet në fshatin Meçkuevci.

Për shkak të pengesave nga komuna, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) filloi procedurën për heqjen e kompetencave të Komunës së Sveti Nikollës lidhur me projektin për ndërtimin e deponisë rajonale në rajonin Lindor dhe Verilindor të planifikimit. Ky vendim i pushtetit qendror vjen pasi Këshilli i Komunës së Sveti Nikollës më 25 shkurt të këtij viti vendosi që deponia rajonale të zhvendoset nga fshati Meçkuevci.

Para Sveti Nikollës, në vitin 2019, bllokadë të ngjashme të ndërtimit të deponisë rajonale e ka bërë Komuna e Debarcës gjatë ndërtimit të deponisë së planifikuar rajonale për rajonin Jugperëndimor të planifikimit Ndryshe, ky rajon këtë vite  ka sasinë më të madhe të gjeneruar të mbeturinave komunale, të cilat nuk grumbullohen nga ndërmarrjet komunale.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është përpjekur gjatë vitit të kaluar që të ketë një ndikim pozitiv në ndërtimin e deponive rajonale. Qeveria e RMV-së në maj të vitit të kaluar informoi se ka dërguar kërkesë për kredi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të siguruar financimin për ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve në pesë qarqe të vendit. Nga BERZH para pak kohe ka ardhur vlerësimi i shkëlqyer për aplikacionin nga qeveria për kredinë në vlerën 55,3 milionë euro për ndërtimin e deponive rajonale sipas standardeve të BE-së.

Banka duhet, në fillim të qershorit të këtij viti, të shpallë vendimin përfundimtar për mbështetjen financiare të projektit. Me to do të sigurohet ndërtimi i deponisë rajonale në rajonin e Pollogut (“Rusino”), në rajonin e planifikimit të Pellagonisë dhe Jugperëndimor (miniera e qymyrit “Suvodol”) dhe në rajonin e planifikimit Juglindor dhe të Vardarit (Komuna e Vasilevës).

Për shkak të frenimit të ndërtimit të deponive rajonale në vend, Komisioni Evropian në secilin nga Raportet për progresin reformues të Maqedonisë në rrugën drejt BE-së prej vitesh i kritikoi reformat e pazbatuara në fushën e menaxhimit të mbeturinave, gjegjësisht themelimin të sistemeve rajonale për menaxhim të mbetjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button