Kongresmenja amerikane paralajmëroi sanksione të mundshme për Bullgarinë për shkak të vetos ndaj Maqedonisë së Veriut

Kongresmenja amerikane Claudia Tenney, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se po mendon formimin e një koalicioni në Capitol Hill që do të punonte mbi sanksionet e mundshme kundër Bullgarisë për mos heqjen e vetos në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Tenney thotë se letra zyrtare e dërguar nga një grup kongresmenësh për ambasadorin bullgar në Uashington Tihomir Stojçev nuk ka funksionuar dhe se qëllimi i një koalicioni të tillë me anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit do të ishte ta inkurarojnë Bullgarinë për t’u përfshirë në dialog. 

“Nëse do të gjenim lloj sanksionesh që do të ishin efektive për t’i sjellë ato në tryezë, ose diçka që do të inkurajonte zgjidhje për këtë konflikt dhe sjellje të vrazhdë, që mund të çonte në agresion dhe probleme të ardhshme në këtë rajon”, tha kongresmenja.

Nëse vendosim për atë rrugë të futjes së sanksioneve, tha ajo, mbetet të shihet se cilat do të jenë më efektive apo nëse do të jenë efektive.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button