Dita 65: SHBA-ja dhe BE-ja paralajmërojnë kundër dorëzimit para shantazhit rus me gaz

Lufta në Ukrainë mund të zgjasë me “muaj dhe vite”, ka paralajmëruar NATO teksa premton mbështetje afatgjatë për Ukrainën. Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg këto komente i bëri gjatë një samiti të të rinjve në Bruksel duke deklaruar: “Ne duhet të jemi të përgatitur për një afat të gjatë. Ekziston absolutisht mundësia që kjo luftë të zvarritet dhe të zgjasë me muaj dhe vite”. Në retorikën e përshkallëzuar midis Rusisë dhe perëndimit, shefi i NATO-s tha se presioni maksimal do të vazhdojë të bëhet mbi Kremlinin për t’i dhënë fund pushtimit të tij. Komentet vijnë pasi së fundmi inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar pretendon se Beteja e Donbasit në Ukrainën lindore mbetet fokusi kryesor strategjik i Rusisë në synimin e saj për të siguruar kontrollin mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk, transmeton Portalb.mk.

18:23 – SHBA-ja dhe BE-ja paralajmërojnë kundër dorëzimit para shantazhit rus me gaz

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar anëtarët e tij se pagesat në rubla për gazin rus do të shkelnin sanksionet ndaj Moskës. Rusia ndërpreu të mërkurën furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë. Zëri i Amerikës raportoi që disa shtete të BE-së kanë krijuar llogari bankare ruse në përpjekje për të shmangur sanksionet.

Rusia ka kërkuar, që ato vende evropiane, që ajo i quan ‘jomiqësore’, të paguajnë faturat e tyre të gazit në rubla – si një mënyrë për të mbështetur monedhën ruse përballë sanksioneve perëndimore. Polonia dhe Bullgaria refuzuan të paguanin në rubla dhe firma shtetërore ruse Gazprom tha të mërkurën se kishte ndërprerë furnizimet për to. Polonia ishte e qetë në reagimin e saj.

“Falë veprimeve tona, duke nisur nga vjeshta, Polonia nuk do të ketë më nevojë për gazin rus. Ne do ta përballojmë tani edhe këtë shantazh, në mënyrë që polakët të mos e ndjejnë”, tha kryeministri Mateusz Morawiecki.

Duke vizituar qytetin e shkatërruar Borodyanka në Ukrainë të enjten, kryeministri i Bullgarisë tha se vendi i tij mund ta përballonte situatën pa gazin rus. Polonia dhe Bullgaria kishin refuzuar të zgjasin kontratat e tyre të gazit me Gazpromin rus pas këtij viti. Të dy vendet po gjejnë burime të tjera furnizimi, përmes tubacioneve të reja dhe gazit natyror të lëngshëm.

“Polonia do të ndërtojë një gazsjellës të ri, që do ta lidhë atë drejtpërdrejt me Norvegjinë. Ekziston një gazsjellës i dytë midis Greqisë dhe Bullgarisë, i cili do të transportojë posaçërisht gazin azerbajxhan”, thotë analisti Tom Marzec-Manser.

Por shumë shtete evropiane vazhdojnë të importojnë gaz nga Rusia. Evropa thotë se kontratat përcaktojnë se pagesat duhet të bëhen në euro, ose dollarë.

Disa kompani gazi – duke përfshirë ato nga Gjermania, Austria, Hungaria dhe Sllovakia – me insistimin e Moskës, kanë hapur llogari me bankën e Gazpromit në Zvicër. Kontratat paguhen në euro, por kthehen menjëherë në rubla. Kancelari gjerman tha se vendi nuk mund të rrezikojë të humbasë furnizimin me gaz rus në afat të shkurtër.

“Është e qartë se çdo ndërprerje do të kishte pasoja për situatën ekonomike. Qeveria është gjithashtu shumë e qartë për këtë” , tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Bashkimi Evropian paralajmëroi të mërkurën vendet anëtare që të mos dorëzohen, ndaj asaj që e quajti shantazh rus.

“Kompanitë me kontrata të tilla nuk duhet të pranojnë kërkesat ruse. Kjo do të ishte një shkelje e sanksioneve. Pra, një rrezik i lartë për kompanitë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Nuk është ende e qartë, nëse këto kompani gazi do të përballen me ndëshkime për pagesat përmes bankës së Gazpromit. Ndërkohë, presidenti Joe Biden tha të enjten se Shtetet e Bashkuara po ndihmonte aleatët evropianë të gjejnë burime alternative gazi.

“Ne nuk do ta lejojmë Rusinë të frikësojë apo shantazhojë për të shmangur sanksionet. Ne nuk do t’i lejojmë ata të përdorin naftën dhe gazin, për të shmangur pasojat për agresionin e tyre”, tha presidenti Biden.

Vendet evropiane thonë se po bëjnë përgatitje, në rast se Rusia mbyll plotësisht furnizimet me gaz. Por analistët thonë se një veprim i tillë do t’i kushtonte gjithashtu Kremlinit, qindra miliarda dollarë në vit.

13:29 – Rusia pretendon se ka goditur ndërtesat e prodhimit të raketave në Kiev

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, tha se ata goditën ndërtesat e prodhimit të raketave në Kiev të Ukrainës, me një raketë me rreze të gjatë veprimi me precizion të lartë.

Konashenkov foli për veprimet e ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë.

Duke deklaruar se ata përdorën armë me precizion të lartë kundër objektivave në Ukrainë, Konashenkov tha se, “Ndërtesat e prodhimit të ndërmarrjes së raketave hapësinore ‘Artem’ në Kiev u goditën me një raketë me rreze të gjatë dhe precizion të lartë të lëshuar nga ajri”.

Konashenkov deklaroi se tre nënstacione tërheqëse u shkatërruan në kryqëzimet hekurudhore Fastov, Krasnosölka dhe Polonnoye me raketa me precizion të lartë me rreze të gjatë “Kalibr” të lëshuara nga deti dhe u shkatërruan nëntë elementë ushtarakë ukrainas nga raketat ajrore me precizion të lartë.

Duke theksuar se njësitë taktike luftarake ajrore ruse gjatë natës goditën 112 objekte ushtarake ukrainase, Konashenkov tha se njësitë raketore shkatërruan 13 objekte.

Konashenkov theksoi se njësitë e artilerisë kishin vënë zjarrin në 975 vende.

Ai po ashtu tha se 13 mjete ajrore pa pilot u rrëzuan në ajër përmes sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore.

“Deri më sot u shkatërruan 142 avionë, 111 helikopterë, 634 mjete ajrore pa pilot, 278 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 2.638 tanke dhe të blinduara, 304 raketahedhës me shumë fuçi që i përkisnin ushtrisë ukrainase, 1.175 obus dhe mortaja dhe 2.467 automjete ushtarake private”, theksoi Konashenkov.

12:06 – Është vrarë gazetarja e REL-it si pasojë e sulmit rus në Kiev

Gazetarja dhe producentja e Radios Evropa e Lirë, Vira Hyrych, është vrarë gjatë një sulmi rus me raketë në Kiev, që ka goditur banesën ku ka jetuar ajo.

Sulmi ka ndodhur më 28 prill.

Trupi i saj i pajetë është gjetur nën rrënoja në mëngjesin e 29 prillit.

Vira Hyrych ka punuar për Radion Evropa e Lirë prej vitit 2018.

Paraprakisht, ajo ka punuar për kanalet televizive ukrainase.

Redaksia e Radios Evropa e Lirë ka ngushëlluar familjarët e viktimës dhe ka thënë se do ta kujtojë atë si njeri të këndshëm dhe si një profesioniste.

Si pasojë e sulmit rus të 28 prillit në Kiev, dy katet e para të ndërtesës 25-katëshe janë shkatërruar pjesërisht dhe më pas ka nisur zjarri.

Sipas autoriteteve të qytetit, katër njerëz tjerë janë dërguar në spital.

Sulmet në Kiev kanë ndodhur në ditën e njëjtë kur kryeqytetin ukrainas e ka vizituar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia ka nisur sulmet në Kiev, menjëherë pas përfundimit të takimit me shefin e OKB-së.

Ministrja ruse e Mbrojtjes ka thënë se sulmet ka qenë precize dhe kanë pasur cak një zonë të industrisë së raketave.

Autoritetet ukrainase nuk kanë raportuar për diçka të tillë.

11:23 – Ukraina: Rusia sulmoi Kievin gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, deklaroi se sulmi i fundit raketor rus në Kiev ka qenë gjatë një vizite të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

“Rusia sulmoi Kievin gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe kryeministrit bullgar Kirill Petkov në kryeqytetin ukrainas. Rusia po zbulon edhe një herë qëndrimin e saj ndaj Evropës dhe botës me këtë barbarizëm të urryer”, shkroi Kuleba në Twitter.

Zëvendës shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Mikhail Podolyak, theksoi gjithashtu se Rusia qëlloi me raketa qytetin gjatë vizitës së Guterres në Kiev.

“Një ditë më parë, ai ishte ulur në një tavolinë të gjatë në Kremlin dhe sot dëgjohen shpërthime mbi kokën e tij. A është kjo një kartolinë nga Moska. A është Rusia ende në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?” tha Podolyak.

Raketat u lëshuan mbrëmë në lagjen Shevchenkivsky në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës.

Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, tha se raketat ruse goditën ndërtesat ku jetojnë civilë.

10:51 – Ministria britanike e Mbrojtjes: Rajoni i Donbasit mbetet fokusi i Rusisë

Ministria britanike e Mbrojtjes tha sot se fokusi i Rusisë në luftën kundër Ukrainës është ende rajoni i Donbasit.

Ushtria britanike deklaroi se beteja të rënda u zhvilluan rreth Lisichansk dhe Severodonetsk, në lindje të Ukrainës. Britanikët besojnë se Rusia po përpiqet të përparojë në jug të Izium drejt Slavyansk.

Britanikët pretendojnë se për shkak të rezistencës së fortë të Ukrainës, pushtimet territoriale ruse janë të kufizuara dhe u kanë kushtuar ndjeshëm forcave ruse.

Ushtria britanike ka publikuar raporte të rregullta për luftimet në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

09:49 – NATO: Konflikti në Ukrainë mund të zgjasë me vite

NATO-ja është e gatshme të vazhdojë për vite mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj Kievit që të zëvendësojë armët e periudhës sovjetike me sisteme moderne armatimi, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi Kremlini ka paralajmëruar se dërgesat e armëve të Perëndimit në Ukrainë, duke përfshirë armë të rënda, përbëjnë kërcënim për sigurinë në kontinentin evropian dhe “krijojnë jostabilitet”.

“Neve na duhet të përgatitemi për periudhë afatgjatë”, ka thënë Stolteneberg më 28 prill para një samiti për të rinjtë në Bruksel.

“Ka mundësi që kjo luftë të vazhdojë për muaj dhe vite”.

Shefi i NATO-s ka thënë se Perëndimi do të vazhdojë të bëjë presion maksimal ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, përmes sanksioneve dhe ndihmës ushtarake për Kievin, për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës.

Moska e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Shtetet e NATO-s i kanë dërguar deri më tani Ukrainës armë të periudhës sovjetike, të cilat kanë qenë nëpër vendet anëtare të Evropës Lindore, ndonëse së fundi Shtetet e Bashkuara dhe disa vende aleate kanë nisur t’i dërgojnë Kievit edhe armë moderne.

Gjermania ka bërë të ditur gjatë javës se po ashtu do të dërgojë tanke dhe armë tjera, duke shënuar kështu herën e parë që Berlini është pajtuar për të dërguar armë të rënda në Kiev.

Thirrjet e Ukrainës për më shumë armë janë rritur prej kur Moska ka nisur ofensivën në rajonin lindor të Donbasit.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 29 prill se “Beteja për Donbasin” mbetet fokusi kryesor strategjik i Rusisë, në mënyrë që të fitojë kontrollin e rajoneve Donjeck dhe Luhansk.

Për shkak të rezistencës së madhe ukrainase, fitoret ruse kanë qenë të kufizuara dhe u kanë kushtuar forcave ruse, ka thënë mes tjerash Ministria.

Perëndimi beson se beteja në qytetin e rrethuar të Mariupolit dhe zonat tjera në lindje mund të jenë vendimtare për rezultatin e luftës.

Sulmet e Moskës në lindje kanë nxitur premtime të reja amerikane për ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka kërkuar Kongresit amerikan 33 miliardë dollarë si mbështetje për Kievin, ku 20 miliardë dollarë do të ndahen për armë, municion dhe ndihmë tjetër ushtarake.

“Duhet të miratohet kjo kërkesë për ta ndihmuar Ukrainën në luftën e saj për liri”, ka thënë Biden.

“Çmimi i kësaj lufte nuk është i lirë, mirëpo përfshirja në agresion është më e kushtueshme”.

Si pasojë e luftës në Ukrainë, mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi pesë milionë të tjerë kanë ikur nga shteti.

Uashingtoni, i cili bashkë me aleatët ka vendosur sanksione ndaj Moskës, shpreson t’iu ndihmojë forcave ukrainase, që jo vetëm të ndalin sulmet e Rusisë në lindje, por edhe të dobësojnë ushtrinë e saj, në mënyrë që të mos nisë konflikte me vendet fqinje.

Rusia ka thënë se NATO-ja, me veprimet e veta, është duke u përfshirë në luftë në mënyrë të tërthortë dhe ka bërë disa kërcënime këtë javë për hakmarrje të paspecifikuara.

Më 27 prill, autoritetet ruse kanë ndërprerë furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, duke thënë se ato kanë refuzuar të paguajnë në rubla.

Ky veprim shënon përgjigjen më të ashpër të Moskës ndaj sanksioneve ekonomike të Perëndimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button