Sipas ligjit, Komuna e Tetovës shkon në zgjedhje për Këshillin Komunal

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh ligji. Edhe pse diskutimi për llogarinë përfundimtare u fut me vonesë në rend dite në seancën e nëntë të komunës, pra më më 7 prill, një javë pas skadimit të afatit ligjor, Kasami fajin e hedh te këshilltarët. Për rastin në fjalë, sipas dispozitave ligjore, sot është njoftuar Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe e njëjta në afat prej shtatë ditëve do t’i paraqesë propozimin Qeverisë së RMV-së për shpërbërje të këtij këshilli, shkruan Portalb.mk.

Sipas Ligjit për financim të pushtetit lokal, nenit 33, pika e tretë thotë se “kryetari i komunës e dorëzon projektligjin vjetor për miratim në Këshillin e Komunës, më së voni deri më 28 shkurt të vitit të ardhshëm.”

Ndërsa pas kësaj, “Këshilli e miraton llogarinë vjetore për vitin paraprak më së voni deri më 15 mars të vitit aktual dhe ia dorëzon Ministrisë së Financave më së voni deri më 31 mars të këtij viti.”

Por në Komunën e Tetovës nuk ndodhi kështu, pasi kryetari i komunës ka shkelur afatet kohore të cilat i parasheh ligji.

Pika e miratimit të llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Tetovës për vitin 2021, në vend se të mbahet më 31 mars, kur është afati i fundit ligjor, atë ditë vetëm u lajmërua se kjo pikë së pari herë në rend dite do të jetë në seancën e nëntë e cila u mbajt me 7 prill 2021.

Më 7 prill, e njëjta pikë nuk u miratua në këshill pasi këshilltarët kërkuan sqarime shtesë për të. Të përmbajtur votuan edhe këshilltarët e Lëvizjes Besa, së bashku me ASH-në, VMRO-në, dhe Më mirë për Tetovën, ndërsa pika u përkrah nga këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së.

Në seancën e radhës, të dhjetën, në ditën e djeshme (27 prill), seanca dështoi, andaj dhe kjo pikë sërish nuk arriti të miratohet.

Referuar këtyre ndodhive, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, nenit 75 – pika 4, “këshilli mund të shpërbëhet nëse nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri në 31 mars të vitit vijues. Për këtë, kryetari i komunës është i obliguar që menjëherë ta njoftojë ministrinë kompetente për kryerjen e punëve nga lëmia e vetëqeverisjes lokale.”

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se e ka njoftuar Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale për zhvillimet e fundit dhe se ata do vendosin se çka më tutje me fatin e këshillit të komunës.

“Pas zhvillimeve të fundit, pas situatës me llogarinë përfundimtare unë veç më e kam informuar Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe ata janë përgjegjës për procedimin e mëtutjeshëm dhe vendimet se çka me këshillin komunal të Tetovës. Qëndrimi im është se qytetarët janë të lodhur nga zgjedhjet e parakohshme, veçanërisht tetovarët por në këtë rast nëse dikush dëshiron të bëjë politikë aty ku nuk duhet të bëhet politikë duke refuzuar llogarinë përfundimtare çdokush duhet të mbajë përgjegjësi”, tha Kasami.

I pyetur nga Portalb.mk se përse kjo kaq vonë kjo pike u fut në seancë të këshillit, Kasami nuk ishte preciz. Ai shkurt tha se në seancën paraprake është refuzuar nga këshilltarët.

Kërkuam sqarim edhe nga kryesuesi i Këshillit, Besar Durmishit se përse u bë kjo shkelje dhe pse kjo pikë nuk u fut në rend dite në seancat e më hershme, por Durmishi nuk u përgjigj në pyetjen e redaksisë.

Lista “Më mirë për Tetovën” (MMPT) duke sqaruar Ligjin për Vetëqeversije Lokale dhe atë për Financim të Vetëqeverisjes Lokale thonë se Kasami me këtë anashkalim të afatit ligjor e ka vënë në rrezik punën e këshillit dhe se akuzat se “Më mirë për Tetovën” janë fajtor për këtë nuk qëndrojnë.

“Kryetari i Komunës duke anashkaluar afatet e paraparë me Ligj ka vënë në rrezik funksionimin e Këshillit dhe të vet Komunës. Ky lëshim është paraparë në nenin 75 të Ligjit për vetëqeverisje lokale  dhe si pasojë sjell shpërbërjen e Këshillit Komunal. Me këtë elaborat është më se e qartë se mosfunksionimi i Këshillit nuk ka të bëj me votimin ose mosvotimin e mandatit të ndonjë këshilltari, me lëshimin që ka bërë vet Kryetari i Komunës mandatet e asnjë këshilltari nuk janë të sigurt. Në shumë raste (qoftë në mënyrë publike apo private) edhe pse nuk është obligim i këshilltarëve, ne këshilltarët e listës së pavarur MMPT, disa here kemi tërhequr vëmendjen e ekzekutivit për shkeljet e ligjore të bëra në vendimmarrje dhe pasojat e mundshme. Nuk është rasti i parë që kur këtë  e bëjmë në mënyrë publike, ashtu siç ndodhi edhe dje, konstruktiviteti ynë të artikulohet në mënyrë plotësisht të kundërt me  të vetmin qëllim -defokusimin e opinionit për shkaqet e vërteta dhe problemet serioze që ka menaxhmenti i Komunës”, thanë nga Më mirë për Tetovën.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski tha se qëndrimi i ministrisë lidhur me Këshillin e Komunës së Tetovës është i qartë dhe është në përputhje me ligjin.

“Në nenin 76 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale saktë thuhet se Qeveria nuk vendos nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme për anëtarë të Këshillit, por sjell vendim për shpërbërjen e Këshillit në bazë të ligjit. Prandaj, miratimi i llogarisë përfundimtare deri më 31 mars nga këshilltarët e Këshillit të Komunës së Tetovës shkaktoi situatën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Tetovë dhe shpenzime shtesë për organizimin e tyre”, tha Milevski.

Duke u bazuar në Ligjin për Qeverisje Lokale, neni 76 thotë se “Minstria kompetente për kryerjen e punëve nga lëmia e vetëqeverisjes lokale, në afat prej shtatë ditësh nga dita e pranimit të njoftimit (që në këtë rast është dita e sotme), Qeverisë së Republikës së Maqedonisë do t’i paraqes propozim për shpërndarjen e këshillit.”

Ndërkaq më pas Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në afat prej një muaj nga dita e pranimit të propozimit do të sjell vendim për shpërndarjen e këshillit sipas fuqisë ligjore, të cilin e shpall në “Gazetën Zyrtare të RMV-së”.

Ndërsa për periudhën e mbetur zgjedhore do të shpallen zgjedhje të reja për këshill në përputhje me Ligjin për zgjedhje lokale.

Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë. Nëntë nga BDI (në fillim u ishin dhjetë, por më pas një kaloi në Lëvijen Besa), nëntë nga Lëviza Besa (në fillim ishin tetë, por më pas një nga BDI kaloi në LB), katër VMRO-DPMNE, dy ASH, dy LSDM, dy Më mirë për Tetovën, dy PDSH dhe një Alternativa. Për momentin Këshilli ka 30 këshilltarë, pasi një nga Lëvizja Besa u tërhoq për të marrë funksionin e shefit të urbanizmit në komunë, ndërsa këshilltarit të ri dje nuk arriti t’i verifikohet mandati pasi seanca dështoi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button