Shitësit hipokritë të idealizmit

Përherë përpara mësuesve të mi jam ndjerë si nxënës. E kam ruajtur respektin e kamotshëm, të përhershëm. Pothuajse të gjithë mësuesit (të gjallë e të ikur së gjalli) kanë bërë jetë modeste. Kanë pasur një pension që s’u ka mjaftuar as për barna.

Një haiku japonez thotë se nëse e takon një njeri pa para në xhep, dije se është ose mësues, ose poet. Fatkeqësisht, ky është perceptimi i përgjithshëm për poetin dhe mësuesin. Mësuesi duhet të jetë i varfër, modest, idealist, ta sakrifikojë veten dhe familjen për të tjerët. Përse kjo mënyrë jetese qenka e rezervuar vetëm për mësuesin?

Ata që më së shumti i shajnë mësuesit nuk e kanë bërë sakrificën më të vogël për të mirën e përgjithshme. U ka interesuar oborri dhe familja e tyre. Ata bëjnë kinse duan ta ndryshojnë botën, pa e bërë përpjekjen më të vogël për ta ndryshuar veten. Madje, guxojnë të flasin me kompetencë të frikshme për gjithçka.

Janë dyfytyrëshe edhe thirrjet e politikanëve. Ata duan të shesin idealizëm në kurriz të huaj. Le të provojnë që të jetojnë me rrogat e mësuesve. Le të heqin dorë nga privilegjet. Atëherë mund të shesin idealizëm.

Si mund të jetë i suksesshëm një mësues që lufton për ekzistencë? Ai që merret me mësimdhënie duhet të ketë kohë të ngeshme dhe mirëqenie ekonomike. Vetëm kështu do t’i përkushtohet profesionit, pa i harxhuar energjitë duke punuar punë tjera për ta siguruar ekzistencën familjare. Vetëm pasi ta ketë siguruar ekzistencën, nëpërmjet një page normale, mësuesi mund të punojë më me përkushtim për esencën.

Unë jam bir mësuesi. E di sakrificën e atyre që punojnë një jetë me një pagë të ulët. Për këtë profesion ata studiuan e harxhuan kur të tjerët fitonin. Edhe shpresuan se një ditë do të jetonin më mirë. Kudo në botën e qytetëruar njerëzit e kualifikuar paguhen më shumë. Tek ne është e kundërta.

Mësimdhënësit kanë të drejtë që të kërkojnë paga më të larta nëpërmjet grevës. Ata nuk kanë kërkesa maksimaliste. Kërkesat e tyre janë realiste. Madje minimaliste. Kërkojnë vetëm një rritje rroge në këtë kohë krize. Që të jetojnë me dinjitet.

Politikanët që bëjnë kinse shqetësohen për nxënësit nuk e shohin se kemi shkolla pa standarde dhe libra mësimorë të çoroditur. Ata u bëjnë mësuesve edhe kërcënime të tërthorta. Thonë se për të pasur më shumë pagë duhen edhe rezultate më të mira. Pra, nëse kërkoni më shumë, atëherë do t’u bëjmë presion në të ardhmen. Dakord. Kështu le të jetë. Në fillim le t’i paguajmë mirë, pastaj le të kërkojmë suksese. Por, politikanët duhet të nisen edhe nga vetvetja. Po i durojmë me dekada e ata nuk kanë treguar asnjë sukses. Përse për ata duhet të vlejnë kritere tjera?

Unë jam me mësuesit. I respektoj dhe do t’i respektoj përgjithmonë. Shoqëria që e respekton mësuesin e meriton një të ardhme më të mirë. Dhe e kundërta: shoqëria që e ka humbur respektin për mësuesin është shoqëri e humbur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button