fbpx

Gazprom paralajmëroi pezullimin e dërgesave të gazit ndaj Bullgarise e Polonisë

Polonia dhe Bullgaria thonë se gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom i ka informuar ato se do të ndalojë furnizimin me gaz natyror duke filluar nga 27 prilli, transmeton REL.

Kompania shtetërore e energjisë polake PGNiG tha në një deklaratë se Gazpromi e informoi lidhur me këtë Poloninë, më 26 prill.

Edhe Ministria e Energjisë e Bullgarisë tha se furnizuesi shtetëror bullgar Bulgargaz kishte marrë një njoftim të ngjashëm. Ministria tha se për momentin nuk do të ketë kufizime në konsumin e gazit në Bullgari, e cila nga importet e Gazpromit plotëson mbi 90 për qind të nevojave të saj për gaz.

Ministria bullgare shtoi se së bashku me kompanitë shtetërore të gazit ka ndërmarrë hapa për të gjetur marrëveshje alternative për furnizimin me gaz natyror.

Këto pezullimet janë të parat që kur presidenti rus Vladimir Putin tha muajin e kaluar se blerësit e huaj “jomiqësorë” do të duhet të paguajnë Gazpromin në rubla, në vend të dollarëve dhe eurove. Putin e tha këtë pasi vendet perëndimore vendosën sanksione kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Polonia ka refuzuar të paguajë në rubla, duke rënë dakord me vendet e tjera të BE-së që sipas kushteve të marrëveshjes së blerjes ata mund të vazhdojnë të paguajnë në euro ose dollarë.

Sipas Ministrisë Bullgare të Energjisë, Bullgaria ka përmbushur detyrimet e saj dhe ka bërë të gjitha pagesat sipas kontratës së saj për dërgesat nga Gazprom.

Andriy Yermak, një ndihmës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, e përshkroi veprimin si “fillimi i shantazhit të Evropës me gaz”.

Ai tha se Rusia po përpiqet të shkatërrojë unitetin e aleatëve të Ukrainës dhe të dëshmoi se burimet e energjisë janë një armë.

“Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të jetë e bashkuar dhe të vendosë një embargo ndaj burimeve energjetike, duke i privuar rusët nga armët e tyre energjetike”, tha Yermak, sipas Reuters.

Zyrtarët polakë thanë se vendi është gati të përballet me çdo ndërprerje të furnizimit me gaz përmes tubacionit Yamal.

Ministrja polake e klimës Anna Moskwa tha në Twitter se nuk do të ketë mungesë të gazit në shtëpitë polake si rezultat i lëvizjes së Gazpromit.

“Që nga dita e parë e luftës ne kemi deklaruar se jemi gati për pavarësi të plotë nga lëndët e para ruse”, tha ajo.

“Polonia ka rezervat e nevojshme të gazit dhe burimet e furnizimit për të mbrojtur sigurinë tonë”, shtoi ajo.

Objektet e depozitimit të gazit janë të mbushura 76 për qind, tha kryeministri Mateusz Morawiecki, duke shtuar se Polonia është gati të marrë gaz nga burime të tjera.

Gazprom nuk e konfirmoi ndërprerjen, por një drejtues i lartë i kompanisë u citua nga agjencitë ruse të lajmeve të ketë thënë se “Polonia duhet të paguajë për furnizimet me gaz sipas procedurës së re të pagesës”.

PGNiG tha se do të ndërmerrte hapa për të rivendosur rrjedhën e gazit sipas kontratës së tubacionit Yamal dhe se çdo ndërprerje e furnizimeve është një shkelje e kësaj kontrate. Ai shtoi se ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim për shkeljen e kontratës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button