Kryeministri i Bullgarisë i dhuroi Ukrainës pagën e një muaji për të blerë armë

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, njoftoi se i ka dhuruar Ukrainës pagën e një muaji “për qëllime të blerjes së armëve”, ndërsa vazhdojnë diskutimet në vendin e tij për “ndihmë me armë për Ukrainën”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ndihma me armë për Ukrainën varet nga uniteti politik dhe social në marrjen e vendimit. Në shoqëri ka pikëpamje të skajshme për këtë çështje. Tani ne duhet ta transformojmë këtë energji në aktivitete reale”, tha Petkov në një postim në median sociale.

Duke përmendur emrat e shumë vendeve evropiane që kanë dërguar armë në Ukrainë, Petkov theksoi se në kundërshtim me disa shqetësime në Bullgari, Rusia nuk u ka shpallur luftë këtyre vendeve.

“I bëj thirrje çdo qytetari bullgar që me të vërtetë dëshiron të ndihmojë Ukrainën, të dhurojë një rrogë si unë. Është e lehtë të thuash fjalë, e vështirë të bësh punë. Postimet e guximshme në mediat sociale tani duhet të shndërrohen në mbështetje të vërtetë për Ukrainën”, tha kryeministri bullgar.

Petkov publikoi gjithashtu faturën bankare të donacionit të tij.

Ndërkohë, drejtuesit e katër forcave politike që përbëjnë qeverinë bullgare do të zhvillojnë një mbledhje për të arritur konsensus për dërgimin e ndihmës me armë në Ukrainë, i cili duhet të jetë subjekt i një vendimi parlamentar.

Petkov ka deklaruar se dëshiron konsensus për këtë çështje, e cila është bërë kritike për unitetin e koalicionit, me partnerët bashkëqeverisës, para vizitës së tij nesër në Kiev.

Një nga partnerët e koalicionit, Partia Socialiste Bullgare (BSP) me origjinë komuniste dhe pro-ruse, kundërshton kategorikisht dërgimin e armëve në Ukrainë. Korneliya Ninova, liderja e BSP-së, e cila është zëvendëskryeministre dhe ministre e ekonomisë, ka kundërshtuar gjithashtu vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Nëse një plumb i vetëm bullgar dërgohet në Ukrainë, ne do të largohemi nga koalicioni”, ka paralajmëruar ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button