Policia e Kosovës është sulmuar sërish në veri

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të martën, 26 prill, se në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare e saj në Zupçe të Zubin Potokut.

Sipas saj, përveç dëmeve materiale në automjet, nuk ka raportime për zyrtarë policorë të lënduar, transmeton REL.

Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sulmi ka ndodhur në rrugën kryesore në fshatin Zupçe, në afërsi të kopshtit të fëmijëve dhe dyshohet se vetura zyrtare e policisë kufitare është qëlluar me armë zjarri.

Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë, ka dënuar incidentin.

“Ky incident ka për qëllim destabilizimin e situatës, por edhe tentim për t’i paraqitur serbët si banditë, gjë që nuk është e vërtetë”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Lista Serbe u bëri thirrje “të gjithë qytetarëve që të përmbahen dhe të mos bien pre e provokimeve dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen shumë të nevojshme në këtë zonë.”

Lidhur me këtë sulm ka reaguar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq.

Ai tha se “rritja e tensioneve në terren, sidomos në veri, nuk ka të bëjë me serbët”.

Autoritetet në Kosovë, më 15 prill, kanë bërë të ditur për të parën herë se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve në veri të Kosovës.

Sulmi i parë sipas zyrtarëve të Kosovës, ka ndodhur më 13 prill, ndërsa për një javë janë regjistruar pesë sulme në total.

Sulmi i 26 prillit është i gjashti në dy javët e fundit.

Sipas autoriteteve, në sulmet ndaj policisë janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.

Po ashtu, ka pasur dyshime se disa nga të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.

Më 15 prill, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka thënë se policia e shtetit ka qenë “cak i sulmeve të armatosura të grupeve kriminale në veri”.

“Unë mendoj se qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është ta sulmojë, por ta destabilizojë Kosovën”, ka thënë Sveçla më 15 prill.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”.

Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Sveçla atëherë kishte thënë se mbyllja e këtyre rrugëve është tentim për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe të gjitha format e kontrabandës në zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Edhe në tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia e Kosovës pati thënë se në atë aksion ishin sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button