fbpx

Aliti: Prioritet kemi reformimin e administratës dhe digjitalizimin e shërbimeve në RMV (VIDEO)

Në një intervistë për Portalb.mk, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti flet për procesin e reformimit të administratës publike në Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se prioritet kryesor si ministri e kanë digjitalizimin e shërbimeve por dhe miratimin e disa ligjeve që do të mundësojnë ri-organizimin më efikas të administratës.

Intervistoi: Elida Zylbeari

Çfarë po ndodh me procesin e riorganizimit të administratës? Është proces që mbi dy vite po zhagitet. Cili është plani për institucionet, cilat do të bashkohen?

E saktë është që ka Ligj për ri-organizimin e institucioneve dhe i njëjti nga viti1991 kur është krijuar nuk është ndryshuar. Kjo është një nga arsyet pse duhet të ndryshohet ky ligj, megjithatë shkak kryesor për ndryshimin e tij është fakti se në Maqedoninë e Veriut kemi dy-tre institucione që bëjnë veprimtarinë e njëjtë. Gjithashtu, sipas analizave kemi edhe institucione që nuk sjellin ndonjë vlerë të shtuar në sistemin e administratës. Ideja i këtij ligji është që institucionet me veprimtari të ngjashme të bashkohen në një institucion dhe të shuhen institucionet që janë të parëndësishme në sistemin e administratës. Si ministri e kemi bërë propozim-ligjin dhe informacionin për të e kemi kaluar para një muaj në seancë qeveritare. Sipas planit, tani në këto dy-tre muajt e ardhshëm do të kemi diskutime publike, do të kemi aty-këtu ndonjë ndryshim që do të mund të na vijnë nga institucionet e tjera, kryesisht nga ministritë sepse ideja është që të gjitha institucionet të jenë nën ministrinë e cila krijon ligjet për atë institucion. Plani është që deri në fund të korrikut të dorëzohet në Parlament dhe atje ju mbetet deputetëve që ta kalojnë ligjin.

Ku mund ta shohim planin për këtë ri-organizim, a është publik?

Në kuptimin e afateve se kur do të jenë këto diskutimet dhe në kuptimin e materialit që e kemi tani për tani të krijuar, shpresojmë për dy jave ta shpallim që të jetë gjithçka publike dhe transparente që të kemi feed-back-un më të mirë nga të gjithë palët e interesuara.

Pse ende nuk janë digjitalizuar librat amë?

Drejtoria e Librave Amë është e pavarur dhe kjo pyetje është me vend. Librat amë është dashur të digjitalizohen por nuk janë digjitalizuar, zakonisht janë dy arsye kryesore. E para është se kemi konflikte normative në legjislaturën e Maqedonisë, domethënë kemi shpesh raste kur një ligj interpretohet si kundër një ligji tjetër dhe kjo shpesh ka qenë arsyeja se pse disa projekte të digjitalizimit janë stopuar. Prandaj, ne si Qeveri punojmë që ti gjejmë të gjitha ligjet e tilla dhe t’i harmonizojmë njëra me tjetrën. Arsyeja e dytë është se deri më tani nuk është punuar mjaftueshëm si Qeveri dhe si institucionet siç është Libri Amë, në sferën e digjitalizimit. Ajo çfarë është lajm i mirë është se menaxhmenti i tanishëm i Drejtorisë së Librit Amë është i fokusuar në punën e digjitalizimit. Ne si ministri, si komponentë inkurajuese dhe ndihmuese e institucioneve tjera për digjitalizim kemi pasur dy takime me menaxhmentin dhe kemi krijuar grup pune në të cilën nga niveli operativ kemi angazhuar edhe punëtorë nga ministria e jonë dhe nga kjo drejtori që punojnë bashkërisht për të përpiluar planin për atë se cilat janë shërbimet kryesore që duhet të digjitalizohen dhe të caktohet afat kohor kur mund të realizohet kjo.

Po, cili është ai afat kohor?

Ne deri më tani me drejtorin e Librit Amë jemi marrë vesh që të bëjmë plan afatshkurtër, pra deri në fund të këtij viti të kemi disa shërbime prioritare si dhe afatgjatë për dy-tre vitet e ardhshme. Deri në fund të vitit presim të digjitalizojmë disa nga shërbimet që më shumti përdoren nga qytetarët në Drejtorinë e Librit Amë. Mirëpo sot nuk kisha dashtë të spekuloj se cilin shërbim mu për arsyen se e kemi rastin e interpretimeve të ndryshme të ligjeve ku një shërbim nuk lejohet të digjitalizohet sepse bie në ndesh me ligjin tjetër. E analizojmë edhe rregullativën si dhe aspektin teknik në mënyrë paralele.

Pavarësisht premtimeve të mëdha për efikasitet të administratës, qytetarët vazhdojnë të enden nëpër sportele dhe të përballen me absurditete burokratike. Çfarë po bëni ju si ministri për të zgjidhur këtë çështje përpos që analizoni ligjet?

Efikasiteti i administratës është koncept i gjërë dhe për të bërë ndryshime sistemore, të gjëra mendojmë se duhet të punohet nga nivele të ndryshme. Ajo që ne si ministri e kemi për detyrë është që parimisht të bëjmë ligjet e nevojshme që do të krijojnë mekanizma në administratë në mënyrë që ajo të jetë sa më efikase. Këtë vit përpos Ligjit për ri-organizim të institucioneve kemi dhe Ligjin për top-menaxhment, pra për mënyrën sesi zgjidhen drejtorët ose njerëzit e parë të institucioneve sepse kjo shpesh është një nga arsyet se pse një institucion është efikas apo s’është. Ideja është që me ligjin që e kemi propozuar ne, politika të mos ketë të drejtë të caktojë drejtorë, pra as qeveria e as parlamenti.

Jemi duke e përgatitur edhe ligjin për nëpunësit administrativ ku pjesë e ligjit është dhe mënyra sesi bëhen punësimet në administratën publike. E dimë se gjatë dekadave të fundit në Maqedoni, raste tipike të punësimit në administrate janë rastet kur një parti e caktuar politike cakton se kush duhet të pranohet në punë dhe jo të përdoret mekanizmi i meritokracisë. Ajo në çfarë jemi duke punuar ne me këtë ligj është që të konfirmohet se në rastin e punësimeve të mos mund të përzihet një parti politike.

Komponenta tjetër që do të ndihmonte në efikasitetin dhe transparencën e administratës është padyshim puna e digjitalizimit. Burokracia e tepërt në institucione bën që proceset në to të jenë shumë të ngadalshme dhe të mos ketë përgjegjësi. Mendojmë se me digjitalizim të proceseve nëse ka ngecje dhe jo-efikasitet shumë më lehtë do të  mund ta konfirmojmë se ku është problemi dhe menaxhmenti institucionit përkatës do të dije më lehtë sesi t’i zgjidhë defektet në institucion. Nëse këto dy procese zhvillohen si duhet do ta përmirësojnë dukshëm efikasitetin në administratën publike.

Për Ligjin për nëpunësit administrativ flitet që moti, që para dy ministrave para jush, por nuk ka realizim. Pse mendoni se tani nuk do të ndodh e njëjta?

Unë nuk do të kisha dashur të flas për arsyet se pse paraardhësit e mi nuk i kanë miratuar këto ligje sepse sigurish që nuk i kam të gjitha informatat. Por dua të them se për ligjet e këtilla dhe për digjitalizimin në kontekst të transparencës së administratës zakonisht çështja kryesore është vullneti politik. Ajo që mund ta konfirmoj tani është se edhe ne si ministri por edhe qeveria e tanishme e ka vullnetin politik të nevojshëm që të bëjë hapa konkret në rritjen e efikasitetit të administratës publike dhe të kalojë ligje që ndoshta në afat të shkurtër mund të mos jenë të mirëpritura politikisht por në afat të gjatë do të jenë në të mirën e shtetit dhe qytetarëve.

Kur do të themelohet Agjencia Digjitale?

Edhe kjo çështje është diskutuar me vite. Kemi krijuar një grup punës i cili është duke i analizuar dokumentacionet e deritanishme nga dy ministrat paraprak. Paralelisht me këtë jemi duke i analizuar krijimet e agjencive digjitale në vende të ndryshme që janë të suksesshme për të parë sesi do të mund ta krijojnë Agjencinë Digjitale në Maqedoni që do të jetë efikas. Ka modele të ndryshme dhe jemi duke e analizuar se cili model do të jetë më i mirë për vendin tonë. Është proces në ecje por nuk kam ndonjë afat të caktuar. Pas disa muajve do të kemi përgjigje më të saktë për afatet kohore. Dëshirojmë që në momentin kur ta vendosim sesi ta bëjmë Agjencinë Digjitale të jemi të sigurt se ajo është mënyra më e mirë për ta bërë atë.

A planifikohen të vendosen shërbime të reja te portali “E-shërbime”?

Janë bëre disa plane para se të emërohem unë ministër. Ajo çfarë bëjmë ne është se jemi duke i ri-shikuar këto plane. Ne mendojmë se më mirë është të bëjmë më pak shërbime por ato të jenë më të përdorshme për qytetarët, sesa fokusin ta kemi në kuantitet, pra të bëjmë mbi një mijë shërbime por përdorimi i tyre të jetë i vogël. Përpos kësaj do të punojmë për t’i promovuar këto shërbime në mënyrë që sa më shumë qytetarë të dinë se ato shërbime ekzistojnë dhe mund t’ua lehtësojnë jetën atyre në komunikimin me institucionet shtetërore.

A mund të na thoni sa është numri i administratës se bashku me punësimet e përkohshme përmes Agjencisë për punësime të përkohshme, kryesisht nëpër komuna?

I kemi këto të dhëna dhe e kemi publikuar numrin total të punonjësve në sektorin publik. Tani nuk i kam para vetes këto numra por mund t’ua dërgoj më vonë. Numri i punëtoreve në administratën shtetërore pra në ministri dhe institucione shtetërore është diku aftër 14 mijë. Aty ka rënie dhe ne jemi duke punuar që t’i mbajmë punëtorët më të mirë në administratë.

Cili është projekti apo iniciativa që do ta keni prioritet gjatë mandatit tuaj si ministër? Na thoni një?

Prioritet është digjitalizimi, por si do ta bëjmë këtë më së miri besoj që do të na duhet edhe disa muaj për të dalë me një projekt konkret se çfarë synojmë. Digjitalizimi në kuptimin e digjitalizimit të proceseve në administratën publike në mënyrë që ta bëjmë atë më efikase, të jetë sa më aftër shteti sa më afër qytetarëve.

A mund të kemi edhe ne në Maqedoni identitet digjital? A mund të shpresojmë se ju mund ta çoni këtë proces përpara që të kemi edhe ne kartela të identitetit digjital si në Estoni?

Kjo është padyshim njëra nga variantet më të mundshme, megjithatë ajo nënkupton se bashkë ne me duhet të jenë gjithë resorët e tjerë, duhet të kemi konsensus qeveritar për këtë. Jemi në proces të komunikimit të kësaj ideje me kolegët ministra dhe me kryeministrin. Kartela digjitale është një nga variantet më të mira, siç tregon dhe rasti i Estonisë, ajo është bazamenti i digjitalizimit të mëtejmë të proceseve të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button