Dita 60: Rusia vijon pa ndërprerje sulmet në Ukrainë

Sot u bënë dy muaj që kur Rusia filloi invazionin e saj në Ukrainë, apo konkretisht sot është dita e 60-të e luftës. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se ushtria ruse po përpiqet të rrisë shpejtësinë e operacionit për të siguruar kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës. Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llody Austin, është planifikuar që sot, të bëjnë vizitën e tyre të parë në Kiev, prej kur Rusia ka nisur luftën e paprovokuar në Ukrainë dy muaj më parë, transmeton Portalb.mk.

23:00- Zyrtari ukrainas: Kryediplomati amerikan është me Zelenskyn në Kiev

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka arritur në Kiev dhe është duke zhvilluar bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë këshilltari i Presidencës ukrainase, Oleksiy Arestovych.

Nëse konfirmohet, Sekretari Blinken do të kthehej në zyrtarin më të lartë amerikan që viziton kryeqytetin ukrainas prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.

Vetë Zelensky ka thënë më 23 prill se po përgatitet për “bisedat e rëndësishme të së nesërmes me partnerët amerikanë”.

Më herët është thënë se përveç Blinkenit, vizitën në Kiev do ta realizojë edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llody Austin.

Autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar diçka të tillë.

17:20- Rusia vijon pa ndërprerje sulmet në Ukrainë, Zelenskiy kërkon më shumë armë

Pjesa më e madhe e luftimeve sot u përqendrua në rajonin lindor të Donbasit, ku forcat ukrainase janë të përqendruara dhe ku separatistët e mbështetur nga Moska kontrollonin disa territore para luftës. Pas dështimit për të marë kontrollin e Kievit, forcat ruse tani synojnë të marrin nën kontroll zonën industriale në lindje të Ukrainës.

Autoritetet ukrainase njoftuan se forcat ruse po bombardonin vazhdimisht Mariupolin, ndërsa Kievi i kërkoi Moskës të pranonte një “armëpushim të vërtetë për Pashkët”

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se raketat e saj me precizion të lartë goditën nëntë objektiva ushtarake ukrainase gjatë natës, duke përfshirë katër depo armësh në rajonin e Harkivit.

Raketat goditën edhe zonat e banuara në qytetin port të Odesës. Sipas zyrtarëve lokalë ukrainas të paktën pesë persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën pasi raketat goditën dy ndërtesa banimi në Odesa. Po ashtu tetë persona u vranë nga sulmet ruse në rajonin Luhansk, njoftoi guvernatori rajonal Serhiy Gaidai.

Mariupoli ka qenë në qendër të luftimeve të ashpra që nga fillimi i luftës për shkak të vendndodhjes së tij në Detin Azov. Nëse Rusia do të siguronte kontrollin e këtij qyteti, atëherë do ta privonte Ukrainën nga një port jetik. Po ashtu do t’i lejonte Moskës të krijonte një korridor tokësor për në Gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Më shumë se 100 mijë banorë besohet se janë ende në Mariupol, ndërsa kanë mungesë ushqimesh dhe ujë të pijshëm. Autoritetet ukrainase vlerësojnë se mbi 20,000 civilë janë vrarë

Nga një stacion metroje në Kiev, presidenti Volodymyr Zelenskiy tha dje se Ukraina shpresonte të siguronte armë të rënda nga aleatët. Ai tha se Kievi do të hiqte dorë nga bisedimet me Moskën nëse Rusia vriste ushtarët ukrainas të rrethuar në Mariupol. Zelenskiy nuk i mbajti dot lotët kur tha se ndante dhimbjen e çdo ukrainasi që kishte humbur fëmijët apo familjarë në luftën e nisur pa asnjë arsye nga Rusia.

Në aspektin diplomatik, presidenti turk njoftoi sërish se Turqia është gati të ndërmjetësojë për një takim mes udhëheqësit ukrainas dhe atij rus.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se 5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit të Rusisë më 24 shkurt. Refugjatët, kryesisht gra e fëmijë, janë shpërndarë nëpër Evropë, në një përpjekje për të nisur gjithçka nga e para.

15:30- Ukraina: Lufta e Rusisë ka vrarë të paktën 213 fëmijë

Lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë ka vrarë të paktën 213 fëmijë, ka thënë Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë më 24 prill.

Përveç kësaj, 389 fëmijë janë plagosur në luftë, ka thënë kjo Zyrë.

Sipas saj, shifrat nuk janë përfundimtare dhe se është duke u punuar për të analizuar situatën në zonat armiqësore.

Guvernatori i rajonit Donjeck në Ukrainë ka thënë se dy fëmijë janë vrarë më 24 prill si pasojë e bombardimeve të forcave ruse.

Pavlo Kyrylenko ka thënë në një postim në Telegram se fëmijët, të dyja vajza të moshave pesë dhe 14-vjeçare kanë vdekur pas shkatërrimit të ndërtesës ku kanë qenë duke jetuar.

Më 23 prill, zyrtarët ukrainas kanë thënë se një foshnje tremuajshe ka qenë në mesin e pesë personave të vrarë në sulmet e kryera në qytetin Odesa.

12:00- Zelensky në mesazhin për Pashkët Ortodokse: Ligësia nuk do ta shkatërrojë Ukrainën

Ukrainasit shënuan sot Pashkët Ortodokse me lutje për ata që janë në vijë të frontit të luftës dhe të tjerët që janë të bllokuar në qytetet siç është Mariupoli, teksa presidenti i shtetit Volodymyr Zelensky, është zotuar në një mesazh për këtë festë se asnjë “ligësi” nuk do të shkatërrojë shtetin.

Duke qëndruar brenda Katedrales Shën Sofia në Kiev, Zelensky ka thënë përmes një video-incizimi se Ukraina do të tejkalojë errësirën që e ka sjellë lufta e paprovokuar e Rusisë në këtë shtet.

“Sot ne ende besojmë në fitore të re në Ukrainë dhe të gjithë jemi të bindur se nuk do të shkatërrohemi nga ligësia. Ne jemi duke tejkaluar kohët e errëta këtë ditë dhe – shumica prej nesh – nuk jemi të veshur me rroba të ndritshme, por jemi duke luftuar për një ide të ndritshme”, tha Zelensky.

Pashkët Ortodokse janë shënuar pikërisht në ditën kur janë mbushur dy muaj prej kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë.

Për pasojë kanë vdekur mijëra njerëz dhe miliona tjerë kanë ikur nga Ukraina.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai ka thënë më 24 prill se shtatë kisha janë shkatërruar nga lufta.

Autoritetet ukrainase u kanë bërë thirrje atyre që shënojnë festën që të ndjekin shërbimet fetare në versionin online dhe të respektojnë orën policore.

Zelensky ka thënë më 21 prill se Rusia ka hedhur poshtë një propozim për armëpushim në periudhën e festës.

11:00 – Kreu i OKB-së përpara vizitës në Rusi do të takohet me presidentin Erdogan

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres përpara vizitës në Rusi do të udhëtojë në Turqi ku do të takohet me presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, thuhet se Guterres më 25 prill (e hënë) do të vizitojë Ankaranë dhe do të pritet në një takim nga presidenti Erdoğan.

Më parë bërë e ditur se Guterres më 26 prill do të takohet në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin ndërsa më 28 prill do të zhvillojë një takim në Ukrainë me presidentin Volodymyr Zelenskyy.

10:30 – Zyrtarët e lartë amerikanë pritet të arrijnë sot në Kiev

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llody Austin, është planifikuar që të dielën, 24 prill, të bëjnë vizitën e tyre të parë në Kiev, prej kur Rusia ka nisur luftën e paprovokuar në Ukrainë dy muaj më parë.

Nëse ndodh, kjo do të ishte vizita e parë e zyrtarëve të profilit të lartë të Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, pas një morie të vizitave të tilla që kanë bërë liderët evropianë.

Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar planet për udhëtimet e Blinkenit dhe Austinit.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe Pentagoni po ashtu nuk kanë komentuar këtë çështje.

Në adresimin e tij ditor më 23 prill, Zelensky ka thënë se po përgatitet për “bisedat e rëndësishme të së nesërmes me partnerët amerikanë”.

Ndërkohë Rusia po bën përpjekje të thyejë rezistencën e fundit në qytetin e Mariupolit.

Ukraina ka thënë se qindra forca dhe civilë të saj janë fshehur në fabrikën Azovstal.

Këshilltari i Presidencës ukrainase, Oleksiy Arestovich, ka thënë më 23 prill se forcat ruse kanë rinisur sulmet ajrore në fabrikë.

Ndërkohë, tentimet për evakuim të civilëve nga Mariupoli kanë dështuar të njëjtën ditë.

rej kur Rusia ka nisur luftën e paprovokuar në Ukrainë dy muaj më parë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka bërë njoftimin për takim me zyrtarët amerikanë, teksa forcat ruse kanë tentuar të hyjnë në një fabrikë ku po strehohen ushtarët dhe civilët në qytetin ukrainas, Mariupol.

10:00- Ushtria ruse po përpiqet të përshpejtojë operacionin në lindje të Ukrainës

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se ushtria ruse po përpiqet të rrisë shpejtësinë e operacionit për të siguruar kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës.

Në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm thuhet se ushtria dhe populli ukrainas vazhdojnë rezistencën e tyre heroike kundër pushtimit rus.

Në deklaratë theksohet se ushtria ruse po përpiqet të përshpejtojë operacionin për të siguruar kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës.

“Ushtria ruse po përpiqet të marrë kontrollin e vendbanimeve Popasna dhe Rubizhne në rajonin Donetsk dhe Kherson, ku janë intensifikuar luftimet”, thuhet në deklaratën në të cilën potencohet se rusët janë përgatitur për sulm ndaj qytetit Severodonetsk.

Më tej bëhet e ditur se qyteti Harkiv në lindje të Ukrainës është nën bllokadë të pjesshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button