“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale”, libri vazhdon të mbetet miku më i mirë i njeriut

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtave Autoriale, u shënua sot në Bibliotekën “Max van der Stoel” (MXDS)- UEJL, ku në bashkëpunim me bibliotekën e qytetit të Tetovës “Koço Racin”, u ndanë çmime për lexuesit më të rregullt dhe personat e shoqërisë civile të cilët e promovojnë leximin. Të pranishmit dhanë mesazhet e tyre se pse duhet të lexohet dhe cilat janë disa nga përfitimet e shoqërimit me librin, shkruan Portalb.mk.

Elmedina Abdullai, drejtoresha e Bibliotekës “MXDS”-UEJL u shpreh se të gjithë duhet të lexojnë, pa përjashtime pasi siç tha libri është arma e ndryshimeve në shoqëri.

Gjylten Ajruli, nga Biblioteka “Koço Racin”-Tetovë theksoi dëshira e të rinjve për të lexuar në krahasim me gjeneratat e vjetra është më e ulët.

“Ne kemi liri të pakufizuar që të kemi qasje në titujt në gjuhën shqipe, por na mungojnë lexuesit. Megjithatë, përsëri Biblioteka e Tetovës edhe pse funksionon në një hapësirë prej 200 metra katror, dhe funksionon në këto kushte biblioteka e Tetovës radhitet një  ndër bibliotekat me numrin më të madh të lexuesve. Ne për çdo vit kemi një numër aktiv prej gjashtë mijë lexues. A mjafton? Sigurisht që jo, Tetova është qyteti i dy universiteteve me mbi tetëdhjetë mijë banorë”, tha Ajruli.

“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale"
“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale”

Rrezearta Elezi, nga Klubi i Librit, Tetovë duke folur për organizimet e këtij klubi i cili si qëllim ka nxitjen e të rinjve drejtë  leximit foli për disa nga përfitimet që ky i fundit sjell.

“Është mundësi shumë e mirë për t’i dëgjuar mendimet e tjerëve, për të zhvilluar aftësitë e të folurit publik edhe për të dëgjuar tjetrin, për të formuar mendime të reja. Libri është gjithçka, një hapësirë e cila të jep zhvillimin e imagjinatës ku mund të mësosh informata, të lidhesh me figura historike, mbi ngjarjet të cilat kanë ndodhur dhe mbase të ndihmojë në jetën tënde personale për problemet të cilat duken të pazgjidhshme”, tha mes tjerash Elezi.

“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale"
“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale”

“Sa lexojnë të rinjtë”,  ishte studimi i albanologes Donika Bakiu të cilin e prezantoi para të pranishmive, ku sipas saj të rinjtë sot edhe përkundër dixhitalizimit dhe zhvillimit të teknologjisë ata ende  lexojnë.

Disa nga titujt më të kërkuar sipas hulumtimit të saj janë: Shejntori, sërfisti dhe sipërmarrësja – Robin Sharma; Dita e shtatë – Yu Hua; Rumi i ndaluar – lirika të zgjedhura; Nga dëshira digjem – Sapfó; Bankieri anarkist – Fernando Pessoa; Gjuetari balonave’- Khaled Hosseini; Çiraku i arkitektit- Elif Shafak; 10 minuta e 38 sekonda në këtë botë të çuditshme- Elif Shafak; Kur mbylla sytë’’- Linda Green; Shkolla e rrugës : kujtime’’- Tara Westover dhe të tjera.

Ndërkaq në përfundimin e studimit të saj thuhej:

“Leximi zhvillon përqendrimin dhe imagjinatën, ruan shëndetin e trurit. Ai gjithashtu rrit kujtesën, mbetet mënyra më e mirë për të kuptuar thellësisht çdo temë. Për më tepër, leximi stimulon aftësinë për të zgjidhur problemet, pasi historitë sjellin pengesa që hasen në mënyrë të ngjashme në jetë. Sa për vetë të rinjtë, ndoshta leximi- përtej të gjitha përfitimeve që përmendëm, është një formë shprehjeje si asnjë tjetër, që qetëson mendjen nga ekstremiteti i kësaj bote duke na lejuar të braktisim egon tonë, qoftë edhe për pak çaste”, thuhet në studimin e Bakiut.

“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale"
“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale”

Vlora Reçica nga rrjeti “Stella” njoftoi për nismën e kësaj të fundit “Ndaj me ne një autore” ku qëllimi i kësaj nisme ishte mungesa e librave nga autoreve gra nëpër shkolla dhe promovimi i autoreve gra përmes librave dhe leximit. Ku kanë ndarë mbi 800 tituj në disa shkolla në tërë vendin.

Profesori Naser Miftari si mesazh nënvizoi se libri duhet të shihet si përçues i diturisë nga brezi në brez.

Xhemail Ziberi, i cili ka lexuar 18 mijë tituj apeloi te të pranishmit që të lexojnë sa më shumë.

Në këtë ngjarje u ndanë mirënjohje personave që promovojnë leximin dhe vlerat në shoqëri, studentëve më të rregullt të Bibliotekës “MXDS”- UEJL dhe nxënësve më të rregullt të Bibliotekës “Koço Racin”- Tetovë.

“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale"
“Dita e Librit dhe të Drejtave Autoriale”

Ndryshe, Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button