Dita 58: Presidenti i Këshillit Evropian kërkoi armëpushim nga Putini me rastin e Pashkëve

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka thënë Rusisë se arritjet e saj të fundit në lindje të vendit janë vetëm të përkohshme dhe trupat e saj do të detyrohen të kthehen përtej kufirit. Ai këto komente i bëri në video-mesazhin e tij të fundit. “Në jug dhe në lindje të vendit tonë, pushtuesit vazhdojnë të bëjnë gjithçka për të pasur arsye për të folur të paktën për disa fitore. Ata po grumbullojnë forca, po çojnë grupe të reja taktike batalionesh në tokën tonë. Asnjë nga këto hapa nuk do ta ndihmojë Rusinë në luftën kundër shtetit tonë. Ata vetëm mund të vonojnë të pashmangshmen – kohën kur pushtuesit do të duhet të largohen nga territori ynë. Në veçanti Mariupol – një qytet që vazhdon t’i rezistojë Rusisë, pavarësisht gjithçkaje pushtuesit. thuaj”. Forcat ruse pushtuan 42 fshatra në rajonin lindor të Donetskut të enjten, por Ukraina mund t’i kthejë ato, tha një ndihmës i shefit të shtabit të Zelensky, transmeton Portalb.mk.

23:00- Presidenti i Këshillit Evropian kërkon armëpushim nga Putini me rastin e Pashkëve

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Charles Michel, bisedoi në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, duke bërë thirrje për dalje të sigurta nga qytetet nën rrethimin rus në Ukrainë dhe një armëpushim për shkak të Pashkëve.

“Me rastin e Pashkëve Ortodokse, bëra një thirrje të fortë për qasje humanitare dhe dalje të sigurt në Mariupol dhe qytete të tjera të rrethuara”, tha Michel në rrjetet sociale për bisedën e tij telefonike me Putinin.

Duke thënë se BE-ja përsëriti qëndrimin e saj, Michel theksoi se mbështetja për Ukrainën dhe sanksionet e vendosura për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës do të vazhdojnë.

Burime të BE-së, të cilat ndanë me gazetarët informacione për bisedën, thanë se telefonata ishte “mjaft gjithëpërfshirëse dhe e gjatë”.

Një zyrtar i BE-së tha se Michel bëri thirrje për armëpushim humanitar për shkak të festës së Pashkëve, duke shtuar se në rend dite është futur edhe çështja e hapjes së korridoreve humanitare.

Sipas informacionit të dhënë nga zyrtari e BE-së, Michel, i cili vizitoi Kievin 2 ditë më parë dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e këshilloi Putinin që të takohej drejtpërdrejt me Zelenskyy-n.

Gjithashtu u njoftua se Michel e informoi Putinin për takimin që pati me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, më 6 prill dhe i përcolli Putinit se të dy liderët shprehën dëshirën e tyre për një marrëveshje paqeje.

22:55- Britania javën e ardhshme do të rihapë ambasadën e saj në Kiev

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se javën e ardhshme do të hapin sërish ambasadën britanike në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

Johnson zhvilloi një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Narendra Modi gjatë vizitës në Indi.

“Pika e re e fokusimit të presidentit rus Vladimir Putin është ‘barbarizimi’ në rajonin Donbas”, deklaroi Johnson i cili vuri në dukje se duke pasur parasysh veçanërisht “sulmet brutale” në Mariupol do t‘i dërgojnë Ukrainës më shumë armë të rënda të tilla si topa.

“Qëndrueshmëria dhe suksesi i jashtëzakonshëm i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe popullit të Ukrainës në rezistencën kundër forcave ruse në Kiev, nënkupton se mund të njoftoj që javën e ardhshme do të hapim sërish ambasadën tonë në kryeqytetin e Ukrainës”, tha Johnson.

Ai theksoi se Britania dhe aleatët e saj nuk do qëndrojnë duke shikuar teksa Putini vazhdon sulmet e tij.

Kryeministri britanik, pas një pyetjeje tha se vlerësimet e agjencive perëndimore të inteligjencës se lufta mund të vazhdojë deri në fund të vitit të ardhshëm dhe se Rusia mund ta fitojë luftën janë “një mundësi realiste”.

Putin ka një “ushtri gjigante”, potencoi Johnson i cili shtoi se “Ka një pozicion politik shumë të vështirë sepse ka bërë një gabim tmerrshëm. Alternativa e vetme që ai ka në të vërtetë për momentin është të vazhdojë të përdorë qasjen e tmerrshme bluarëse të udhëhequr nga artileria për të shtypur ukrainasit. Është shumë pranë formimit të një ure tokësore në Mariupol. Në këtë fazë situata nuk mund të parashikohet”.

Duke vënë theksin se në këtë pikë populli ukrainas duhet të mbështetet në aspektin ushtarak, Johnson tha se ka nevojë të eliminohet mundësia e një pushtimi tjetër në të ardhmen i cili në të ardhmen do të sigurojë garancitë e sigurisë falë një marrëveshjeje që do të arrihet me negociata.

22:50- Macron: Rusia dëshiron përshkallëzim të luftës në Ukrainë

Rusia ka treguar gatishmëri të qartë për përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës në Ukrainë dhe do të intensifikojë armiqësitë në javët e ardhshme, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

Duke folur për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Francë, Macron tha se pret që lufta të përkeqësohet përpara 9 majit, një datë simbolike e njohur si Dita e Fitores së Rusisë.

“Rusia do të intensifikojë sulmet e saj në Ukrainën lindore dhe ne do të duhet të marrim vendime”, tha Macron, duke iu referuar mundësisë së sanksioneve të mëtejshme të BE-së kundër Rusisë, por shtoi se “nuk është ende” koha për embargo ndaj naftës dhe gazit rus.

“Duke pasur parasysh krimet e luftës që tani janë konfirmuar, zgjedhjet e bëra nga Rusia, mënyra se si e bëri luftën në Donbas dhe Mariupol, provokimet për (armët) bërthamore dhe testet e kryera të mërkurën, ka padyshim dëshira për përshkallëzim”, tha presidenti francez.

Macron, një centrist pro-evropian, aktualisht po kryeson sondazhet e opinionit francez përpara kundërshtares së tij të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Në një intervistë, ai argumentoi se fitorja e Le Pen do të nënkuptonte “fundin e Bashkimit Evropian dhe fundin e boshtit franko-gjerman”, për shkak të pikëpamjeve të saj euroskeptike dhe pro-ruse.

22: 45- Ushtria ruse: Misioni aktual në Ukrainë është vendosja e kontrollit të plotë në Donbas dhe Ukrainën jugore

Zëvendës komandanti i Qarkut Qendror Ushtarak të Forcave të Armatosura Ruse, Rustam Minnekayev tha se detyra e fazës së dytë të ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë është të ruajë kontrollin e plotë në Donbas dhe Ukrainën jugore.

Sipas lajmeve të mediave ruse, Minnekayev, në fjalimin e tij në takimin e industrisë së mbrojtjes të rajonit Sverdlovsk theksoi se ushtria ruse dy ditë më parë kishte hyrë në fazën e dytë të “operacionit special ushtarak” në Ukrainë.

“Një nga detyrat e ushtrisë ruse është të ruajë kontrollin e plotë në Donbas dhe Ukrainën jugore”, tha Minnekayev.

Minnekayev tha se kontrolli mbi Donbasin do të bëjë të mundur krijimin e një korridori tokësor për në Krime dhe do të ndikojë në elementët vitalë të Ukrainës. “Kontrolli i jugut të Ukrainës do t’i sigurojë popullatës rusisht-folëse një rrugëdalje në Transnjistria, ku janë realitetet e shtypjes”, tha ai.

22:40- Pentagoni: Më shumë se 20 vende do të bisedojnë për Ukrainën

Pentagoni pret që më shumë se 20 vende të marrin pjesë, javën e ardhshme, në bisedimet për mbrojtje, të cilat do të fokusohen në Ukrainë. Nikoqir i bisedimeve do të jetë Gjermania dhe ato do të fokusohen pjesërisht në nevojat afatgjata të mbrojtjes së Kievit, tha Pentagoni të premten, më 22 prill.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, dukej se uli pritshmëritë nga shpallja e ndihmës afatgjatë në bisedimet e shpallura për të martën, më 26 prill, duke thënë:

“Ne nuk po hyjmë në këtë paraprakisht me një seri përfundimesh të përgatitura këtu”.

Kirby shtoi se rreth 40 vende janë ftuar në bisedimet, të cilat nuk organizohen nën kujdesin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), ndërkaq që përfshijnë edhe vende joanëtare të NATO-s.

13:57 – OKB-ja thotë se po shtohen dëshmitë për krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë

Kombet e Bashkuara thanë se veprimet ruse në Ukrainë, që kanë përfshirë ekzekutim të civilëve, po shtojnë krimet e luftës.

“Forcat e armatosura ruse po granatojnë dhe bombardojnë zonat e populluara, pa dallim, duke vrarë civilë dhe shkatërruar spital, shkolla dhe infrastrukturë tjetër civile, veprime që mund të përbëjnë krime të luftës”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut (UNHCR), transmeton REL.

Në qytetin e Buçës, afër Kievit, misioni i UNHCR-së ka dokumentuar se janë vrarë mbi 50 civilë, tha Shamdasani.

Varreza masive dhe qindra civilë të vrarë janë zbuluar në Buça dhe në qytete e tjera përreth Kievit, pasi forcat ruse janë tërhequr nga ajo zonë tri javë më parë.

Zyrtarët rusë kanë mohuar se ushtarët e tyre kanë vrarë civilë dhe kanë akuzuar Ukrainën se ka inskenuar këto mizori.

Shefja e UNHCR-së, Michelle Bachelet, tha më 22 prill se “gjatë këtyre tetë javëve, që prej fillimit të luftës, ligji humanitar ndërkombëtar jo vetëm se është injoruar, por duket se është flakur tutje”.

Misioni i OKB-së po ashtu “ka dokumentuar atë që duket të jetë përdorim i armëve me efekte diskriminuese, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe duke dëmtuar objektet civile nga forcat e armatosura ukrainase në lindje të vendit”, tha ajo.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt e deri në mesnatën e 20 prillit, misioni i OKB-së ka dokumentuar dhe verifikuar vrasjen e 2,345 civilëve dhe 2,919 të plagosur, tha ajo.

“Ne e dimë se numri real është më i lartë, kur tmerret e shkaktuara në zonat ku ka luftime intensive, siç është Mariupoli, do të dalin në dritë”, tha Bachelet.

13:26 – Prokuroria e Ukrainës: Rusia po i përdorë fëmijët ukrainas në luftë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës pretendon se ushtria ruse po i përdorë fëmijë ukrainas në luftën e saj kundër vendit.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova tha se Rusia ka përdorur fëmijët ukrainas në luftën kundër Ukrainës dhe se janë zbuluar 8 raste në lidhje me këtë.

Ajo thekson se ushtria ruse i detyron fëmijët ukrainas të përdoren për “mbledhjen ose transmetimin e informacioneve ushtarake, mbajtjen e armëve dhe të ngjashme”. “Kjo është një luftë e Rusisë kundër fëmijëve ukrainas në të cilën janë përfshirë edhe fëmijët ukrainas. Prokurorët kanë dy pika qendrore: fëmijët viktima dhe fëmijët në kundërshtim me ligjin”, tha Venediktova.

Duke thënë se nga bombardimet e ushtrisë ruse u dëmtuan 1.141 institucione arsimore, prej tyre 99 u shkatërruan plotësisht, Venediktova shtoi se sipas përcaktimeve të para, që nga 24 shkurti, kur Rusia filloi luftën, 208 fëmijë e kanë humbur jetën dhe 386 fëmijë të tjerë janë plagosur.

12:26 – Ukrainë, u rrëzua një avion transportues AN-26

Administrata Rajonale në Zaporizhzhia të Ukrainës njoftoi se është rrëzuar një avion transportues i llojit AN-26.

Sipas një deklarate nga Administrata, avioni transportues AN-26, i cili po kryente fluturim në rajon, u rrëzua për shkaqe teknike.

Ndër të tjera, në deklaratë thuhet se për shkak të aksidentit ka të plagosur

12:09 – Australia sanksionoi vajzat e Putinit

Qeveria e Australisë tha se ka vendosur sanksione dhe ndalim udhëtimi për dy vajzat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe për vajzën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ky njoftim i bërë më 22 prill, vjen pasi masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga shtete të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.

Me masat e reja, numri i persona dhe entiteteve ruse nga Australia ka arritur në pothuajse 750.

Edhe pse në listën e sanksioneve australiane nuk u përmendën me emër vajzat e Putinit, presidenti rus ka dy vajza të rritura, Katerina Tikhonova dhe Maria Vorontsova. Në njoftimin e Qeverisë australiane u bë e ditur se vetë Putin dhe Lavrov ishin sanksionuar më 27 shkurt.

Në rundin e ri të sanksioneve po ashtu janë shënjestruar 144 ligjvënës rusë, të cilët i kanë ofruar mbështetje Putinit, duke miratuar njohjen e “jashtëligjshme” të dy rajoneve ukrainase, Donjeck dhe Luhansk si entitete të pavarura më 22 shkurt, tha Ministria e Jashtme australiane.

Ministrja e Jashtme, Marisa Payne, shtoi se Australia do të vazhdojë të vendosë kosto ndaj Rusisë për shkak të “agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë”.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe shumë shtete perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj ekonomisë dhe entiteteve ruse.

11:40 – Kievi tha se s’do të ketë evakuim të civilëve të premten

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se më 22 prill nuk do të ketë evakuim të civilëve për shkak se situata nëpër rrugë është e rrezikshme.

“Për shkak të pasigurive në rrugë, sot, më 22 prill, nuk do të ketë korridore humanitare”, tha Vershchuk përmes një postimi në Telegram.

“Të gjithë ju që po prisni për evakuim, ju lutem keni durim”, shtoi ajo.

Të enjten, më 21 prill, 79 persona, shumica prej të cilave gra, u evakuuan me tre autobusë nga qyteti-port i Mariupolit. Këta banorë u dërguan në Zaporizhja, që gjendet rreth 225 kilometra larg.

Që prej se ka nisur pushtimi rus i Ukrainës, Moska dhe Kievi vazhdimisht akuzojnë njëri-tjetrin për pengim të planeve të evakuimit.

10:04 – Zelensky: Mariupoli po vazhdon të rezistojë

Ukrainasit po vazhdojnë të rezistojnë në qytetin e rrethuar të Mariupolit, tha më 22 prill presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se kanë “çliruar” këtë qytet-port në Detin e Zi, pas pothuajse dy muajsh të bombardimeve intensive që kanë shkaktuar mijëra vdekje dhe shkatërrim të madh.

Më 21 prill, presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se forcat ruse kanë “çliruar” Mariupolin dhe urdhëroi që të ndërpritej plani për sulmimin e fabrikës së hekurit dhe çelikut Azovstal, ku mijëra ushtarë ukrainas, së bashku me qindra civilë, janë të vendosur.

Në vend të sulmit, Putin urdhëroi forcat ruse që ta rrethonin Azovstalin aq shumë “sa as mizat të mos mund të fluturojnë jashtë tij”, duke argumentuar se “nuk ka nevojë” që të rrezikohet jeta e ushtarëve rusë.

Por, Zelensky tha se luftimet po vazhdojnë.

“Në jug dhe lindje të vendit tonë, pushtuesit po vazhdojnë gjithçka për të pasur arsye që të flasin për të paktën disa fitore”, tha ai gjatë një video-adresimi.

“Ata vetëm mund ta vonojnë të pashmangshme – kohën kur pushtuesit duhet të largohen nga territori ynë, në veçanti në Mariupol, një qytet që vazhdon t’i rezistojë Rusisë, pavarësisht gjithçkaje që thonë pushtuesit”.

Ndërkaq, ushtria britanike tha më 22 prill se vendimi i Putinit për të bllokuar Azovstalin me gjasë është tregues i një dëshire për të frenuar rezistencën në Mariupol.

“Një sulm i plotë tokësor nga Rusia në këtë fabrikë ka të ngjarë të shkaktojë viktima të konsiderueshme ruse, duke ulur më tej efektivitetin e tyre të përgjithshëm luftarak”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes, në përditësimin e rregullt të informacioneve nga lufta në Ukrainë.

Ushtria britanike tha po ashtu se granatime të ashpra kanë vazhduar në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, teksa Rusia po tenton që të përparojë edhe më tej në lindje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po ashtu ka thënë se pretendimi rus për fitore në Mariupol ishte “i dyshimtë” teksa ai njoftoi për një pako të re të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh.

“Ende nuk ka ndonjë dëshmi se Mariupoli ka rënë plotësisht”, tha Biden më 21 prill, teksa foli nga Shtëpia e Bardhë. Gjatë këtij adresimi, ai tha se paketa e re prej 800 milionë dollarësh e ndihmës ushtarake, do të mbështesë forcat e guximshme ukrainase dhe civilët të cilët po luftojnë kundër pushtimit rus në rajonin e Donbasit.

“Rusia ka nisur dhe ka ripërqendruar fushatën e saj për të marrë nën kontroll territore të reja në lindje të Ukrainës dhe ne jemi në një moment kritik, kur ata do të vendosin për fazën e re të kësaj lufte”, tha Biden.

Ai shtoi se SHBA-ja dhe aleatët “po lëvizin sa më shpejt që po munden” që t’i ofrojnë Ukrainës pajisje dhe armë që i duhen.

Sipas presidentit Biden, pakoja e re e ndihmës është përshtatur që të mbështesë luftimet në rajonin e Donbasit.

Ai po ashtu njoftoi se SHBA-ja do të ndalojë anijet e lidhura me Rusinë që të ankorohen në portet amerikane, duke iu bashkuar kështu Kanadasë dhe vendeve evropiane, që kanë vendosur një masë të tillë. Presidenti amerikan po ashtu njoftoi për 500 milionë dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë ekonomike për Ukrainën, me të cilat do të paguhen pagat qeveritare, pensionet dhe programet e tjera

Zelensky shprehu mirënjohjen e tij për këtë ndihmë, por tha se shteti i tij ka nevojë për më shumë. Ai tha se Ukrainës, përveç armëve dhe parave teksa lufta po vazhdon, i duhen 7 miliardë dollarë çdo muaj për të rikuperuar humbjet ekonomike.

Me dhjetëra-mijëra ndërtesa të dëmtuara dhe me shkatërrimin e infrastrukturës kyçe, “ne do të na duhej qindra miliarda dollarë për rindërtim”, tha Zelensky gjatë një adresimi përmes video-lidhjes në një takim me udhëheqësit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Zelensky tha se forcat ruse synojnë të shkatërrojnë “të gjitha objektet në Ukrainë që mund të shërbejnë si bazë ekonomike për jetën. Këtu përfshihen stacionet e hekurudhave, depotë e ushqimeve, naftës dhe rafineritë”.

Teksa janë premtuar ndihma, fati i Mariupolit është i paqartë, pasi mbrojtësit ukrainas të këtij qyteti janë bllokuar në fabrikën e Azovstalit.

Një prej luftëtarëve ukrainas i tha BBC-së se kjo fabrikë e rrethuar, është gjerësisht e shkatërruar nga bombardimet.

“Ne kemi persona të plagosur dhe të vdekur brenda bunkerëve. Disa civilë janë të bllokuar nën ndërtesat e rrënuara”, tha Svyatoslav Palamar.

Trupat ruse kanë vazhduar përpjekjet për ta sulmuar Azovstalin, pavarësisht urdhrit të Putinit për të ndaluar përpjekjet e tilla, thanë autoritetet ukrainase.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Rusisë që të respektojë ligjin humanitar ndërkombëtar dhe të lejojë civilët që të largohen nga Mariupoli.

“Në Mariupol, situata veçse po përkeqësohet. Dhjetëra-mijëra civilë janë të bllokuar. Edhe një herë i bëj thirrje Rusisë që të respektojë ligjin humanitar ndërkombëtar, të lejojë banorët të largohen nga qyteti dhe të lejojë që në këtë qytet të dërgohet ndihma humanitare”, shkroi Macron në Twitter.

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha më 21 prill se nuk janë realizuar evakuime nga Mariupoli pasi forcat ruse kishin nisur granatimet në zonat ku mblidhen civilët për evakuim. Kështu, ajo tha se autoritetet u detyruan të mbyllnin korridorin humanitar në këtë qytet.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, deklaroi në orët e vona të 21 prillt se përderisa rusët “po vendosin shumë forca dhe po angazhohen në luftime” për ta marrë Mariupolin, SHBA-ja ende e sheh këtë qytet si të kontestuar.

“Vlerësimi ynë këtu në Pentagon është se ukrainasit ende po luftojnë për këtë qytet”, tha Kirby për CNN. Ai shtoi se Pentagoni vlerëson se forcat ruse “ende nuk kanë arritur asnjë fitore territoriale në Donbas”.

Pavarësisht se Moska është përqendruar në lindje, forcat ruse ende nuk janë rikuperuar nga humbjet që kanë pësuar në fillim të konfliktit, u tha në vlerësimin e ushtrisë britanike.

Në mënyrë që të rindërtojnë forcat e saj, ushtria ruse ka filluar të dërgojë në Rusi pajisjet jofunksionale ushtarake, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button