Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e qytetit Mariupol

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, në një takim me presidentin Vladimir Putin, ka deklaruar se ushtria ruse ka marrë kontrollin e qytetit bregdetar Mariupol, i cili është porti kryesor i Ukrainës në Detin e Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Mariupol është çliruar nga Forcat e Armatosura të Federatës Ruse dhe nga forcat e Milicisë Popullore të Republikës Popullore të Donetsk-ut”, tha Shoygu në takimin me presidentin rus.

Shoygu e quajti qytetin Mariupol “kryeqytet të batalionit nacionalist Azov”, duke iu referuar grupit të ekstremit të djathtë që lufton në radhët e ushtrisë së Ukrainës.

Ai e quajti qytetin “një zonë të fuqishme, të fortifikuar, të pajisur me një numër të madh armësh të rënda dhe pajisje ushtarake”.

Shefi i mbrojtjes ruse pretendoi se forcat ukrainase po përdornin civilët si mburoja njerëzore, por pala ruse “mori të gjitha masat për të ruajtur jetën e civilëve”.

Shoygu sugjeroi që të sulmohet impianti Azovstal, bastioni i fundit i trupave ukrainase, por Putin tha se ai duhet të rrethohet.

Gjatë ditëve të fundit, mijëra njerëz janë bllokuar në Mariupol me pak ushqim ose ujë derisa forcat ruse rrethuan qytetin.

Meqë grupet e të drejtave të njeriut nuk kishin qasje në qytet, një ekip i Kombeve të Bashkuara (OKB) raportoi se ka prova të varreve masive në Mariupol.

“Ne kemi informacione për varreza masive që ndodhen atje”, tha muajin e kaluar Matilda Bogner e OKB-së, duke theksuar se disa nga provat janë nga imazhet satelitore.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, që kur Rusia filloi luftën në Ukrainë më 24 shkurt, numri i civilëve të vrarë në Ukrainë ka arritur në 2.224, ndërsa rreth 2.900 të tjerë janë plagosur, megjithatë numri i vërtetë dyshohet se është shumë më i lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 5 milionë ukrainas kanë ikur jashtë vendit, ndërkohë mbi 7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button