Nuk dihet ende në bazë të cilit elaborat u prenë drunjtë në “Strasho Pinxhur”- Tetovë

Ende nuk dihet se në bazë të cilit elaborat, dokumentacion apo procedure u dha urdhëri për prerjen e drunjve në rrugën “Strasho Pinxhur” në Tetovë. Komuna për Portalb.mk tha se në seancën e radhës të Këshillit Komunal do të ketë informata të detajuara për rastin në fjalë.

Prerja e drunjve përgjatë rrugës “Strasho Pinxhur”, nuk u prit aspak mirë nga ana e qytetarëve, një pjese të këshilltarëve komunal dhe organizatave joqeveritare. Punimet në këtë rrugë u ndërprenë dje, një ditë pasi filluan.

Portalb.mk kërkoi nga komuna se çfarë procedurash janë ndjekur për prerjen e drunjve, cilët ekspertë janë konsultuar dhe se a janë bërë analiza nëse duhet ose jo të priten të njëjtit, si dhe për këto kërkuam dokumentacion.

“Dokumentacioni i plotë i rrugës “Strasho Pinxhur” do të prezantohet në seancën e radhës të Këshillit të Komunës së Tetovës. Informacione më të detajuara do të keni atëherë”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Më mirë për Tetovën thotë se  mungesa e shpjegimeve nga Komuna e Tetovës lë hapësirë për dyshime në lidhje me situatën e krijuar.

“Udhëheqësia e Komunës duhet të sqarojë në qoftë se punimet janë bërë në përputhshmëri me ligjin, në veçanti nëse i gjithë dokumentacioni teknik ka qenë i plotë në momentin e fillimit të punimeve. Nëse, po atëherë përse ka ardhur deri në ndalimin e punimeve? Është e pakuptimtë që banorët e lagjes, bizneset dhe qytetarët e tjerë pas 6 muaj torture të vazhdojnë të vuajnë për shkak të veprimeve arbitrare dhe keqmenaxhimit të proceseve në Komunë”, thanë nga Më mirë për Tetovën.

Dje, Komuna e Tetovës tha se ndërprerjen e punëve në këtë rrugë e ka kërkuar lista “Më mirë për Tetovën”. Por, këta të fundit e mohojnë një gjë të tillë dhe ftuan komunën të prezantojë dëshmi nëse ata kanë kërkuar ndërprerjen e rikonstruimit, thanë se reagimet e tyre janë për prerjen e drunjve.

Rikujtojmë që kryetari i komunës ,Bilall Kasami njoftoi se drunjtë do të zëvendësohen me fidane të reja, dhe se rruga do të bëhet me të gjitha standardet, duke përfshirë kanalizimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimin fekal dhe atmosferik, dhe për këtë sipas tij u desh të bëhej largimi i drunjve të vjetër dhe zëvendësimi me drunj të ri.

Ndryshe, punimet në rrugën “Strasho Pinxhur”, një nga rrugët kryesore dhe në mes të Tetovës filluan në periudhën parazgjedhore, por pas zgjedhjeve lokale 2021 me të ardhur në krye të komunës, Bilall Kasami ndërpreu punimet me arsyetimin se projekti i asfaltimit nuk i plotësonte kriteret. Të njëjtat filluan para dy ditëve, dhe dje u ndërprenë përsëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button