Hungaria do detaje nga BE-ja para se t’i vendosë sanksione Rusisë

Hungaria dëshiron të shohë detajet e një propozimi të Bashkimit Evropian për sanksione ndaj importeve të naftës dhe gazit rus para se të vendosë nëse do t’i bllokojë ato, tha të enjten shefi i kabinetit të kryeministrit, Viktor Orban.

Hungaria ka qenë e vendosur kundër një embargoje të gazit dhe naftës, për të cilën Budapesti ka thënë se do të shkatërronte ekonominë hungareze, transmeton REL.

Vendi importon nga Rusia rreth 80 për qind të gazit dhe 65 për qind të naftës që i nevojitet.

Gjermania do të ndalojë importin e naftës nga Rusia deri në fund të vitit, tha të mërkurën ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Kur u pyet në lidhje me komentet e Baerbockut dhe nëse Hungaria do të vërë veton ndaj sanksioneve të BE-së për naftën dhe gazin rus, shefi i stafit të Orban Gergely Gulyas tha: “Ne do të donim të shohim se çfarë lloj propozimesh janë në tryezë dhe nëse ka një alternativë për të zëvendësuar burimet e ardhura nga Rusia”.

Gulyas shtoi se në lidhje me importet e gazit, nuk kishte një alternativë të tillë në të ardhmen e parashikueshme.

“Jo vetëm ekonomia hungareze, por edhe ajo gjermane do të rrënohej dhe do të rrëshqiste në një recesion të thellë pa gazin rus…kështu që çdo debat për këtë, apo moralizim, është i pakuptimtë”, tha ai.

“As sa i përket naftës, situata nuk është dukshëm më e favorshme, por atje ka më shumë alternativa”, shtoi ai.

Gulyas tha se do të duheshin disa muaj, ose deri në një vit dhe qindra miliarda forintë për të rregulluar rafineritë për t’u mundësuar atyre të përpunojnë naftë jo-ruse.

“Ne kemi nevojë për vendime të përgjegjshme nëse duam të vendosim ndonjë sanksion. Ne duhet të tregojmë se nga mund të importojmë burimet e dhëna energjetike, në çfarë sasie … dhe kush do të paguajë për këtë. Ne nuk mund ta shohim këtë sot dhe kështu do të jini të papërgjegjshëm të flisni për këto sanksione shtesë”, tha Gulyas.

Rusia është furnizuesi më i madh i naftës në Evropë, duke siguruar 26 për qind të importeve të naftës në BE në vitin 2020.

Sanksionet e gazit shihen si zgjidhja e fundit në paketën e masave potenciale të energjisë të BE-së, për shkak të varësisë së Evropës prej tij për përdorim industrial dhe ngrohjen e shtëpive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button