fbpx

SASHK vazhdon me grevën, MASh-i prej sot do të mbledhë të dhëna se sa mësimdhënës janë kthyer në punë dhe çfarë më tej

Greva e punonjësve në shkolla dhe kopshte është në javën e dytë, ndërsa në shesh ende nuk shihet ndonjë zgjidhje. Këshilli i Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SAShK) i hodhi poshtë konkluzionet e Qeverisë së dy ditëve më parë, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kërkuan nga SAShK-u që të rishqyrtojë vendimin, ta ndërpresin grevën dhe të intensifikojnë negociatat dhe në vend të interesave personale, në plan të parë t’i vendosin interesat e të fëmijëve dhe nxënësve për qasje në arsim, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedelkov, dje pas seancës së Këshillit, në të cilin u analizuan konkluzionet e seancës së djeshme të Qeverisë, tha se greva do të vazhdojë deri në arritjen e marrëveshjeve me Ministrinë e Arsimit dhe MPPS-së dhe derisa nuk nënshkruhet marrëveshja me të cilën do të përfshihen të gjitha çështjet kontestuese. Ai bëri thirrje që negociatat të intensifikohen me propozime konstruktive dhe një orë e më parë, siç tha ai, të harmonizohen qëndrimet.

“Këshilli i SASHK-ut konstaton se konkluzionet e Qeverisë nuk shpien në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes SASHK-ut, MASH-it dhe MPPS-së, gjegjësisht me Qeverinë. Ky qëndrim bazohet në numrin e madh të diskutimeve të anëtarëve të Këshillit, ku pa përjashtim konstatohet se me konkluzionet e Qeverisë po kryhet presion i fortë ndaj grevistëve.. 10 përqindët e ofruara për rritjen e pagave në kopshte, arsim fillor dhe të mesëm pas rebalancit të buxhetit po “betonohen” me konkluzionin e Qeverisë dhe nuk lihet hapësirë shtesë për bisedime pas kësaj çështjeje, duke e ditur se anëtarët e SAShK-ut janë shprehur pothuajse 100 përqind vetëm përpara disa ditësh duke e hedhur poshtë këtë propozim. Kjo përqindje e rritjes është madje edhe më e vogël se propozimi i njërës prej sindikatave e cila propozon, dhe me siguri do të ketë sukses që pa asnjë ditë grevë të marrim ofertë më të lartë, gjegjësisht 2800 denarë në mënyrë lineare”, tha Nedelkov në një konferencë për media.

Lidhur me kërkesën e Qeverisë që SAShK-u të përgjigjet në bazë të cilit akt juridik është ndërprerë mësimi në shkollat ​​fillore dhe të mesme, Nedellkov tha se po kontestohet e drejta për grevë në respektimin e ligjit dhe procedurës dhe informoi se Këshilli i SAShK-ut më 29 mars 2022 ka marrë vendim për organizimin e grevës së përgjithshme, e cila është dorëzuar në MASh dhe MPPS më 4 prill 2022 në bazë të kërkesave për harmonizimin e pagave me pagën minimale të dorëzuara në MASh dhe MPPS nga 3 mars 2022. Njoftime kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të institucioneve, tha ai, janë dorëzuar më 31 mars 2022.

Pas vendimit të Këshillit të SASHK-ut për të mos pranuar konkluzionet nga seanca e djeshme e Qeverisë, MPPS-ja dje përmes një komunikate tha se me vendimin për vazhdimin e grevës SASHK-u sërish vë interesat personale para interesave të fëmijëve dhe nxënësve. Kopshtet dhe shkollat ​​e mbyllura nuk sjellin asgjë të mirë për nxënësit dhe fëmijët, as për prindërit që nuk mund të kujdesen për fëmijët e tyre në kopshte, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, Ministria sqaron se vendimi për organizimin e grevës së përgjithshme nga ana e SAShK-ut është marrë për harmonizimin e Marrëveshjes kolektive për institucionet publike për fëmijë në fushën e përkujdesjes dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë dhe në fushën e pushimit dhe rekreacionit të fëmijëve, me rritjen e pagës minimale, në përputhje me nenin 8 të Ligjit për pagën minimale, sipas të cilit kontratat kolektive harmonizohen brenda gjashtë muajve. Fakti që vendimi për organizimin e grevës është marrë para afatit, do të thotë se nuk është shkelje e të drejtave të punës, por kërkesë për avancim të të drejtave të punës, theksojnë nga MPPS-së.

Me kumtesë pas vendimit të Këshillit të SASHK-ut, mbrëmë u shpreh edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila bëri të ditur se çdo ditë dhe orë e humbur e procesit arsimor është në dëm të drejtpërdrejtë të nxënësve dhe askush nuk mund t’i kompensojë ata. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përshëndetur iniciativën e Këshillit të SASHK-ut për intensifikimin e negociatave për rritjen e pagave të mësimdhënësve, por jo vendimin për vazhdimin e grevës. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, është e papërgjegjshme këmbëngulja për të vazhduar me ndërprerjen e mësimit, në kushtet kur mësuesve u ofrohet zgjidhje për rritjen e pagave.

“Është e arsyeshme që greva të pezullohet dhe sindikata të vazhdojë negociatat derisa të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët. Përndryshe, SASHK-u do të jetë përgjegjës i vetëm për humbjen e pariparueshme të nxënësve dhe prindërve. U bëjmë thirrje mësuesve që të fillojnë të veprojnë sërish në interesin më të mirë të fëmijëve dhe të kthehen në mësime. Rritje të pagave do të ketë edhe në arsim, siç ka pasur në pesë vitet e fundit. Ofrohet rritje prej 10%, e cila do të sigurohet me rebalansin e buxhetit. Kjo nënkupton paga më të larta të mësimdhënësve për 2500 denarë në muaj. Kemi ofruar edhe një metodologji që do të sigurojë rritje të vazhdueshme të pagave dhe zgjidhje të përhershme të statusit social të të punësuarve në arsim”, theksuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Dje, para se SASHK të shprehej për propozimet e Qeverisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se nëse sindikata vendos të vazhdojë grevën dhe të mos vazhdojë mësimin, prej sot do të fillojë të mbledhë informacione nëse dhe sa mësimdhënës janë kthyer në punë dhe do të vendosin çfarë më tej.

Që nga fillimi i grevës, zyrtarët e qeverisë u kanë bërë thirrje vazhdimisht mësimdhënësve që të vazhdojnë mësimin dhe të kërkojnë zgjidhje për pagat nëpërmjet dialogut social.

SASHK-u e filloi grevën më 11 prillë me kërkesë për rritje të pagave dhe harmonizimin e tyre me pagën minimale, e cila nga marsi është 18 mijë denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button