Partitë populiste djathtiste po e rrezikojnë luftën me ndryshimet klimatike, zbulon studimi i ri

Një studim i ri, i realizuar nga universitetet në Saseks dhe Uorvik, ka zbuluar se partitë populiste të krahut të djathtë në mbarë botën po e rrezikojnë luftën kundër ndryshimeve klimatike raporton gazeta Guardian, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Studiuesit kanë zbuluar se, për shembull, politikanët të cilët bënin thirrje për Brexit në Mbretërinë e Bashkuar tani po bëjnë presion kundër zero emetimeve të gazeve serrë në kushte të krizës që ndërlidhet me rritjen e shpenzimeve për jetesë.

Me studim janë shqyrtuar politikat e më shumë se 25 vendeve brenda periudhës prej më shumë se një dekade. Studiuesit e kanë krijuar Indeksin e Politikave Klimatike dhe e kanë krahasuar atë me udhëheqjen e qeverive të qendrës së djathtë. Ata kanë zbuluar se efekti i kombinuar i pranisë së një partie populiste të krahut të djathtë në parlament dhe qeveri lidhet me reduktim të Indeksit të Politikës Klimatike për mesatarisht rreth 25 përqind.

Por, ndërsa partitë populiste të krahut të djathtë kanë pasur ndikim negativ në politikën klimatike kudo, në rastin e vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve me sisteme të përfaqësimit proporcional, ky efekt është zvogëluar.

Autorët e studimit, Dr. Methju dhe Ben Lokvud, kanë shkruar se kundrejt kësaj, në vendet me sisteme zgjedhore shumicë, kur partitë populiste të krahut të djathtë hyjnë në qeveri, ato kanë një ndikim shumë më të madh në politikën klimatike.

Studiuesit si shembuj të populistëve të krahut të djathtë, të cilët e ndryshojnë politikën klimatike e kanë përmendur Donald Trampin, i cili i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit dhe mbështeti qymyrin. Në Australi, Tony Abot e hoqi çmimin e karbonit në atë vend.

Shembuj të tjerë negativë të vendeve që tërhiqen nga politikat klimatike për reduktim të emetimeve të gazeve serrë, studimi tregon rastin e Holandës në vitin 2010, kur partia populiste dhe skeptike ndaj klimës PVV fitoi rezultatin e saj më të mirë zgjedhor deri më sot dhe hyri si një partner më i vogël koalicioni. në qeverinë e qendrës së djathtë.

“Vëllimi dhe ambiciet për të reduktuar emetimet e gazeve serrë dhe objektivat e energjisë së rinovueshme të vendosura nga qeveria e mëparshme janë zvogëluar dhe heqja graduale e qymyrit ka mbetur jashtë agjendës”, vihet në pah për rastin e Holandës.

Raste të ngjashme të tërheqjes nga obligimet e parapara me politikën klimatike ndodhën në Norvegji në vitin 2013, Danimarkë në vitin 2015, Poloni në vitin 2015 dhe Austri në vitin 2017.

Në Norvegji, qeveritë e mëparshme të koalicionit të qendrës së majtë kishin politika ambicioze klimatike, por pas vitit 2013, reduktimi i emetimeve dhe objektivat e energjisë së rinovueshme u reduktuan përsëri. Partia e Përparimit mori Ministrinë e Naftës dhe Energjisë dhe lëshoi ​​leje të reja për shpime të naftës, përfshirë edhe në Arktik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button