Osmani për klubin në Manastir: Disa erdhën për të provokuar reagimin tonë

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, vizitën e delegacionit bullgar në Manastir dhe emërtimin e klubit “Ivan Mihajlov” në Manastirë e sheh si provokim, nga disa prej tyre. “Mendoj se kemi bërë një vlerësim të mirë, treguam qartë me atë që nuk ishim aty, se është e papranueshme për ne, se kaloi pa incidente dhe të tregojmë se këtu nuk i rrezikohen të drejtat e askujt, tha Osmani, transmeton Portalb.mk.

Ai në brifingun e sotëm shpjegoi se nga momenti i njoftimit se do të vijë një delegacion bullgar, deri në mbajtjen e ngjarjes, gjithçka është analizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe vlerësoi se vendi ynë ka vepruar në mënyrë të drejtë në këtë rast.

“Nuk e lejuam të biem në grackën për t’i dhënë legjitimitet alibisë se në vendin tonë po shkelen të drejtat e komunitetit bullgar. Roli im si ministër i jashtëm është të ruaj imazhin e shtetit para botës si një shtet demokratik, që të gjitha komunitetet të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe të gjithë qytetarët dhe se nuk do të lejojmë një alibi mbi narrativën se nëpërkëmben të drejtat e njeriut të çdo komuniteti, duke përfshirë atë bullgar”, tha Osmani.

Ai thekson se bëhet fjalë për provokim, i cili ka të bëjë me emrin e zgjedhur për klubin dhe jo vetë hapjen.

“Nuk ishim pjesë e asaj vizite, jo se po hapej një klub bullgar, por diskutabil ishte emri i atij klubi, që këtu konsiderohet si provokim dhe kontrovez. Po të mos ishte emri i klubit, do të kishim qenë së bashku me delegacionin bullgar për të treguar se të gjitha komunitetet gëzojnë të gjitha të drejtat për organizim”, tha Osmani.

Ai informoi se fillimisht, kërkesa ka qenë nga nënkryetarja e Bullgarisë, Jotova që të jetë e pranishme në hapjen e klubit në Manastir dhe institucionet tona kanë pasur informacion se do të vijnë edhe Karakaçanov, Zaharieva dhe të tjerë. Osmani pranon se një nga supozimet ishte se vizita pikërisht në qendër që mban emrin e një figure kontroverse mund të shihet si provokim. Përkatësisht se disa nga të pranishmit ishin për këtë, e të tjerët ishin këtu për të mos lejuar që progresi i deritanishëm dhe ajo që është arritur të mos shembet, dhe këtu ai nënvizoi vizitën e kryeministrit bullgar Kiril Petkov, për të cili tha se më vonë u njoftua se do të vijë.

“Mendoj se ishte një pjesë e të pranishmëve, që të provokonin reagimin tonë për t’i dhënë alibi botës se kanë të drejtë kur thonë se po shkelen të drejtat. Mendova dhe mendoj se ajo ishte çështja më e rëndësishme, të mos lejohej të krijohej alibi se shteti nuk respekton të drejtat e njeriut. Dhe mendoj se çdo vendim tjetër do të ishte i gabuar. Nuk mendoj se të gjithë të pranishmit kishin qëllim të tillë, disa janë përfshirë që të mos lejojnë që disa ta rrënojnë atë që ne po ndërtonim”, tha Osmani.

Osmani zbuloi se para ngjarjes ua ka treguar këto reagime përfaqësuesve bullgarë dhe ka përcjellë, siç tha ai, një biografi të personalitetit të Vanço Mihajlovit dhe se sa një gjëe tillë do të ishte e kundërshtueshme, se nuk do të shihet mirë.

“Por realisht kemi vlerësuar dhe kemi marrë vendim që është në interes të vendit tonë, që të japim një mesazh të qartë se nuk është mirë, por jo të pengojmë vizitën e një delegacioni shtetëror, sepse kjo do të ishte gabim”, tha Osmani.

Ai konsideron se tani është në dorën e përfaqësuesve bullgarë dhe ministrit të Jashtëm bullgar që t’i shpjegojnë komunitetit ndërkombëtar dhe botës pse mendojnë se një person i tillë duhet të promovohet, veçanërisht pas reagimeve të ashpra të disa komuniteteve në vend, duke përfshirë edhe atë hebre.

Emërtimin e Klubit kulturor bullgar në Manastir me emrin “Vanço Mihajllov” provokim të qëllimshëm, dje e cilësoi edhe Dragi Gjorgiev, bashkëkryesues i komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button