RMV, ekskursionet janë të lejuara, maturantët vetë organizojnë festa

Qeveria ka lejuar ekskursione e nxënësve, por a do të ketë kohë këtë vit për nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt? A do të ketë festa të maturës këtë vit dhe si do të organizohen ato? Ndonëse për momentin një pjesë e mirë e pedagogëve janë në grevë, pra nuk ka orë mësimore, këto çështje janë aktuale në këtë kohë kur po afrohet fundi i vitit shkollor. Në këtë drejtim, për këto çështje Meta.mk ka biseduar me disa drejtorë të shkollave të mesme të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Në “Orce Nikolov” me gjasë nuk do të ketë ekskursione

Mitko Dimovski, drejtori i gjimnazit “Orce Nikolov”, thotë se nxënësit kanë disa ide për të shkuar në ekskursion, por është e pasigurt nëse do të shkojnë.

“Sipas programit, në ekskursion shkohet në vitin e tretë dhe të katërt. Këtë vit ka shumë gjasa që të mos ketë, sepse nuk do të mund të organizohemi, procedura për organizimin e ekskursioneve zgjat shumë”, tha Dimovski.

Në lidhje me festat e maturës, ai tha se vetë nxënësit organizojnë festë në të cilën mund të ftojnë mësuesit. Shkolla, thotë ai, zyrtarisht nuk do të organizojë festë.

Në “Vllado Tasevski” nxënësit do të festojnë maturën

Aleksandar Sibinovski, drejtori i shkollës së mesme profesionale “Vllado Tasevski”, thotë se do të ketë festë mature dhe se shkolla qëndron si garant, përkatësisht negociator në kontratën për festimin e maturës.

“Ne u drejtuam disa lokale që organizojnë festime në ambient të hapur, fëmijët morën oferta dhe zgjodhën një lokal. Nuk do t’iu duhet certifikatë, ndërsa në ambient të hapur është më sigurt. Për ekskusionet ka vendim zyrtar. Në program qëndron se nxënësit shkojnë në ekskursion në vitin e tretë dhe të katërt. Ne nuk do të imponojmë asgjë. Tani ka një vendim që të shkohet, kështu që do të fillojmë procedurë. Nxënësit mund të shkojnë në fund të majit”, tha Sibinovski.

Takimet e prindërve në këtë shkollë janë organizuar në varësi të vendimit të menaxhmentit.

“Takim i prindërve mund të organizohet online, por edhe nuk është patjetër. Te ne mbahen edhe me prezencë fizike, disa prej tyre janë zhvilluar në sallën e shkollës, e disa në oborr”, tha Sibinovski.

Në “Nikolla Karev”nxënësit duan, por nuk do të shkojnë në ekskursion

Lidhur me festën e maturës, drejtori i shkollës “Nikolla Karev” Andrej Manolev, tha se ka njoftime nga kryetari i bashkësisë së nxënësve, se fëmijët janë të interesuar të zhvillojnë festë, por që shkolla nuk do të jetë si organizator i kësaj mbledhjeje. Në këtë pikë, organizimi është në dorë të vetë nxënësve.

Sipas protokolleve të reja, sqaron ai, 50 për qind e nxënësve duhet të festojnë brenda objektit që do të zgjedhin në distancë prej 1.5 metrash, ndërsa 50 për qind e fëmijëve duhet të jenë jashtë.

“Por e dimë se është e vështirë të bëhet. Të gjithë nxënësit do të jenë në grumbull dhe kjo nuk do të respektohet. Kemi 300 maturantë, kështu që unë personalisht si drejtor nuk dua të rrezikoj, prandaj shkolla nuk do të organizojë festë”, tha Manolev.

Sa i përket ekskursioneve, ai tha se protokollet tani lejojnë dhe mund të organizohen, por theksoi se nuk do të mund t’i organizojnë, duke pasur parasysh procedurën e gjatë të organizimit të ekskursioneve.

Ndryshe, në seancën e kaluar të qeverisë është hequr ndalesa për organizimin e ekskursioneve dhe mësimdhënies në natyrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button