Organizatorët e festivalit “Ylberi”: Neve 70.000 denarë, “Zllatno Sllavejçes” 1 milion

Qyteti i Shkupit ka ndarë vetëm 70.000 denarë për festivalin e këngëve për fëmijëve “Ylberi”, si pjesë e programit për financimin e aktiviteteve kulturore për vitin 2022. Për dallim, Qyteti i Shkupit ka ndarë 1 milion denarë për festivalin e këngëve për fëmijë “Zllatno Sllavejçe” apo edhe “Potoçinja”, një tjetër festival relativisht i ri për fëmijë që është vlerësuar me 120 mijë denarë, transmeton Portalb.mk.

Organizatorët e këtij festivali janë të indinjuar dhe të befasuar nga fondi i akorduar. Drejtori i festivalit “Ylberi”, Adem Ymeri, thotë se edhe ky edicion do të zhvillohet, pavarësisht tendencave bojkotuese dhe trajtimit diskriminues me të cilat po përballen prej disa vitesh nga institucionet.

“Çdo vit, Qyteti i Shkupit vjen duke i zvogëluar fondet që ndan për të mbështetur festivalin. Por situata bëhet më e pakuptueshme kur për një ngjarje të njëjtë – Festivalin “Zllatno Sllavejçe” jep 1 milion denarë dhe them “bravo”, shumë mirë kanë vepruar, por për Ylberin, kush mendon? Ka dikush në atë komision, Qytetin e Shkupit… këshilltarë që duhet të mendojë se ia vlen të mbështetet edhe ky projekt për fëmijët shqiptarë, që këtë vit ka një numër dhe interesim shumë më të madh të fëmijëve nga vendi. Cilat janë kriteret që dy ngjarje të vlerësohen në një mënyrë kaq të ndryshme, kur bëhet fjalë për dy festivale që kanë – të themi një fond këngësh të barabartë (rreth 700)”, thotë Ymeri.

Vitin e kaluar, Qyteti i Shkupit i mbështeti me 100 mijë denarë, ndërsa në 2020 me 120 mijë denarë. Sipas Ymerit, ndjeshmëria që duhet të kenë dhe përgjegjësia që duhet të mbajnë institucionet gjatë ndarjes së buxhetit për kulturën duhet të jetë e lartë, sidomos kur bëhet fjalë për mbështetjen e ngjarjeve meritore dhe serioze të kulturës, por që po ashtu lidhen me edukimin e fëmijëve.

“Është absurde që të mendosh sesi mund të vlerësohet në këtë mënyrë, ose kjo gjë bëhet me tendencë që duke zvogëluar fondet, të çojnë në mbylljen e këtij festivali”, shton Ymeri.

Ai thotë se nuk është vetëm Qyteti i Shkupit. Indiferentë dhe dorështrënguar janë treguar edhe në Komunën e Çairit, nga ku jeton edhe pjesa më e madhe e fëmijëve që marrin pjesë në këtë festival, por edhe Ministria e Kulturës. “Kjo e fundit vijon të reduktojë po ashtu mbështetjen financiare – nga 500 mijë349 e 249 mijë denarë për këtë vit. Komuna e Çairit dy vjet (2019 dhe 2020) nuk ndau asnjë denar me përjashtim të vitit të kaluar. Për edicionin e sivjetshëm organizatorët janë në pritje”, shtoi Ymeri.

Kostoja e Programit për financimin e institucioneve dhe aktiviteteve në sferën e kulturës të Qytetit të Shkupit për këtë vit është gjithsej 13 milionë e 300 mijë denarë. Sfera e arteve muzikore është më e financuara e këtij programi me afër 6.5 milionë denarë.

Portalb.mk ka kërkuar qëndrim edhe nga Qyteti i Shkupit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje ndaj pyetjeve të dërguara.

Listën e projekteve të financuara mund ta shihni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button