Greva vazhdon, Qeveria ka ofruar 10% rritje të rrogës, SASHK nuk pranoi

Greva e të punësuarve në arsim dhe çerdhe vazhdon, informoi kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), Jakim Nedelkov i cili tha se nga Qeveria kanë marrë ofertë gojore për rritje të pagave për 10% me rebalancin e buxhetit në maj ose qershor, njofton Portalb.mk.

“Rritja e pagave prej 10% fare nuk korrespondon me rritjen e pagës minimale dhe nuk është stimulim përkatës për kthimin e dinjitetit. Mbi 95% e organizatave sindikale janë deklaruar për hedhjen poshtë të ofertës gojore”, deklaroi Nedelkov.

Qeveria për vendimin e SASHK-ut  tha se është i papërgjegjshëm.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në negociatat me SASHK-un ka ofruar rritje prej 10% të pagave që do të sigurohet nga buxheti plotësues. Kjo do të thotë se arsimtarët dhe edukatorët do të kenë një rritje mesatare prej 2.500 denarë në të ardhurat e tyre mujore. Qeveria konsideron se është e papërgjegjshme, përkundër zgjidhjes së ofruar për rritjen e pagave në arsim dhe përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve, të vazhdohet me grevën dhe të shkatërrohet procesi tashmë i krijuar arsimor në kushtet kur po përballemi me krizë ekonomike dhe shëndetësore”, thanë nga Qeveria

Paraprakisht, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot me një postim në Facebook u bëri thirrje mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme që të vazhdojnë procesin arsimor, sepse është në interesin më të mirë të fëmijëve.

“Interesi më i mirë i fëmijëve duhet të jetë në rend të parë, sepse e drejta për arsimim e çdo fëmije është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Humbja e mësimit në kushte si kjo pandemi, kur Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës bënë përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor, nuk i sjell dobi askujt, e më së paku nxënësve”, ka shkruar Shaqiri.

Në postimin në Facebook, Shaqiri thekson se nxënësit duhet të kthehen në shkolla, aty ku e kanë vendin. Mësimdhënia e rregullt, sipas tij, nevojitet më së shumti si mbështetje për nxënësit në një pjesë shumë të rëndësishme të jetës së tyre.

Ndryshe, prej më 11 prill SASHK ka filluar grevën në çerdhe dhe shkolla, pasi Qeveria nuk i ka rritur rrogat e mësimdhënësve dhe edukatoreve pas rritjes së rrogës minimale.

“Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e pastruesit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një pastruesit në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë”, thonë nga SASHK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button