Përsëri veto nga Sofja, venitet entuziazmi për zgjidhje të ngërçit RMV-Bullgari në qershor

Ditëve të fundit Shkupi po merr sinjale nga Sofja për një veto tjetër në qershor. Disa ditë pasi ministri i Jashtëm i vendit Bujar Osmani deklaroi se kishte një dokument si bazë për marrëveshjen me Bullgarinë, por se pritet pëlqimi nga qeveria e Bullgarisë, kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se nuk kishte nënshkruar asnjë dokument për Maqedoninë e Veriut. Ministria e Jashtme bullgare propozimet e Maqedonisë nuk ishin të pranueshme dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë dhe se  Sofja do të dërgojë kundërpropozim për të afruar qëndrimet, transmeton Portalb.mk.

Ministri i jashtëm Bujar Osmani të enjten tha se ka një dokument si bazë për një marrëveshje me Bullgarinë, e cila është e pranueshme nga pala maqedonase, por ende nuk ka përgjigje nëse është e pranueshme për Sofjen. Detajet e atij dokumenti për momentin nuk janë ndarë me deputetët apo qytetarët.

Bujar Osmani, foto nga Portalb.mk

“Ekziston një dokument i tillë që ne jemi të gatshëm ta pranojmë, por derisa të marrim një përgjigje se është e pranueshme për Republikën e Bullgarisë, mendoj se nuk janë pjekur parakushtet që të informoj deputetët dhe opinionin. Ai dokument mund të refuzohet dhe atëherë gjithçka do të ishte e panevojshme”, tha Osmani.

Megjithatë, lidhur me këto deklarata MPJ-ja bullgare ka deklaruar se propozimet propozimet e Maqedonisë janë të paparanueshme, dhe për këtë Maqedonia e Veriut është informuar qysh në shkurt.

“Në takimin e shkurtit, pala bullgare informoi përfaqësuesit e RMV se propozimet e tyre nuk janë të pranueshme dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme. 

Nga ana tjetër ministrja e Jashtme Teodora Gençovska të martën në mbrëmje u tha mediave se “qëndrimi i Bullgarisë mbetet i pandryshuar” dhe se Sofja do të vazhdojë të bllokojë fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE derisa të plotësohen kërkesat e saj.

Ministrat e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani
Ministrat e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani

Komentet e saj erdhën si përgjigje ndaj mediave bullgare duke cituar ministren e jashtme gjermane Annalena Baerbock se Gençovska kishte premtuar se vetoja do të hiqet.

Gençovska tha se diskutimet po zhvillohen, por pa një afat kohor preciz se kur mund të ndodhë heqja e vetos së Bullgarisë.

“Për sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në BE për Republikën e Maqedonisë së Veriut, është thelbësore që Bullgaria të arrijë rezultate të pakthyeshme në ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe marrjen e garancive të qarta në kuadër të procesit të negociatave me BE-në për zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes së miqësisë”, tha ajo.

Ajo iu referua marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2017 që çoi në krijimin e një komisioni në përpjekje për të zgjidhur pikëpamjet e ndryshme të historisë së dy vendeve..

“Presim garanci kushtetuese për të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Gençovska, duke rikonfirmuar qëndrimin e Sofjes për të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoni.

Këto komente erdhën edhe pasi partia në të cilën ajo është anëtare, “Ka një popull të tillë”, një nga katër fraksionet në koalicionin qeverisës bullgar, ka qenë gjithnjë e më kritik ndaj qëndrimit të partisë kryesore në pushtet “Ne vazhdojmë ndryshimin” dhe kryeministrit Kiril Petkov për veton në bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Petkov njihet si i prirur për të hequr veton dhe shprehu optimizëm në fund të marsit se ai dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski do të arrinin përparim në këtë çështje. Megjithatë, edhe nëse ekziston dëshirë nga ana e kryeministrit bullgar, partnerët e tij të koalicionit shprehin të kundërtën.

Lideri i “Ka një popull të tillë”, Slavi Trifonov dhe Toshko Jordanov kanë akuzuar të dy kryeministrin Petkov për “tradhti” të interesave të Bullgarisë, duke pretenduar se ai nuk i ka koordinuar vendimet e tij me koalicionin qeverisës duke bërë marrëveshje të fshehta me përfaqësuesit e BE-së.

Bllokada bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut ka lënë në pas edhe aspiratat e Shqipërisë fqinje për në BE, pasi shumica e vendeve të BE-së këmbëngulin që Shkupi dhe Tirana të vazhdojnë bashkë rrugën e tyre drejt anëtarësimit.

Mes vetos së vazhdueshme të Bullgarisë për përparimin e Shkupit, kryeministri shqiptar Edi Rama ka bërë thirrje që vendi i tij të shkëputet nga Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

“Nëse Bullgaria bllokon sërish Maqedoninë e Veriut në qershor, ne do të ndryshojmë qasjen tonë dhe do t’i kërkojmë Gjermanisë, Francës dhe të gjithëve të na ndajnë neve”, tha Rama të hënën në një konferencë për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria kanë pretenduar se vetoja bullgare tashmë ka rrezikuar besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi njëqind për qind për politikën e NATO-s dhe BE-së. Ne do të propozojmë një qasje të re për Maqedoninë e Veriut dhe ajo duhet të bëhet në një periudhë të shkurtër kohore, jo më shumë se gjashtë muaj”, tha Petkov në një intervistë për Financial Times.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button