Maqedonia e Veriut dëboi edhe gjashtë diplomatë rusë

Maqedonia e Veriut dëboi edhe gjashtë diplomatë të tjerë nga ambasada ruse në vend, të cilët janë shpallur persona non grata, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) informacionin e ndau pasi sot është thirrur ambasadori rus në vend, Sergei Baznikin, të cilit i kanë dorëzuar notë diplomatike duke i cilësuar diplomatët si të padëshirueshëm në vend.

“Në bazë të informacioneve të marra nga organet kompetente, personat në fjalë kanë kryer aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie diplomatike dhe do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në pesë ditët e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ky është dëbimi i dytë i diplomatëve rusë në më pak se një muaj. Pesë u dëbuan në fund të marsit. Arsyet të cilat edhe atëherë i njoftuan autoritetet, ishin se ata kishin dalë jashtë aktiviteteve të tyre diplomatike.

Para dy dëbimeve të fundit që përfshinin 11 diplomatë, sipas listës së qasshme në ueb-faqen e ambasadës ruse, në vend ishin regjistruar gjithsej 19 diplomatë rusë, përfshirë ambasadorin e Federatës Ruse në vend, Sergei Baznikin dhe dy përfaqësues ushtarak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button