Departamenti i Shtetit: BE-ja vendos për ndarjen eventuale të negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë

Shtetet e Bashkuara nuk duan të komentojnë ndarjen e mundshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe thonë se anëtarët e Unionit janë ata që vendosin, transmeton Portalb.mk.

Në pyetjen e MIA-s nëse ShBA-të janë dakord që të ndajnë procesin që Shqipëria të fillojë bisedimet para-anëtarësuese me BE-në në qershor dhe Maqedonia e Veriut të ndahet për shkak të bllokadës me Bullgarinë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, mbrëmë në një brifing deklaroi se për atë vendosin vendet e BE-së.

“Ne kemi partneritete dypalëshe me vendet në fjalë, si dhe me BE-në dhe në këtë drejtim është më mirë t’u drejtoheni këtyre vendeve dhe Unionit”, tha Price.

Për këtë temë, kryeministri shqiptar Edi Rama ka paralajmëruar vazhdimisht se do të kërkojë ndarjen e Shkupit nga Tirana në rrugën drejt BE-së nëse Maqedonia e Veriut nuk e zgjidh çështjen me Bullgarinë deri në qershor.

Në komentet për një skenar të tillë, presidenti Stevo Pendarovski tha se deklaratat e tilla të Ramës janë logjike në aspekt të interesave kombëtare shqiptare.

“Nga pikëpamja e interesave kombëtare shqiptare, deklarata e Ramës është e logjikshme. Ne jemi trajtuar në pako nga Brukseli së bashku me Shqipërinë gjatë dy viteve e gjysmë të fundit dhe, pa hyrë në arsyetimin e komunitetit burokratik dhe politik të Brukselit, pse është kështu, sepse në thelb procesi i integrimit evropian është meritë. Kush meriton individualisht shkon më tutje, kush jo qëndron në dhomën e pritjes”, tha Pendarovski para tre ditësh.

Dje këtë skenar e komentoi edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani duke thënë se një gjë e tillë nuk është në interesin afatgjatë të Shqipërisë.

“E kam thënë edhe më parë se nuk është në interesin afatgjatë të Shqipërisë që të ndahet nga ne në këtë rrugë. Prandaj, nëse të paktën deri në një fazë të procesit ndihmojmë njëra-tjetrën përderisa kriteret politike janë vendimtare, do të krijohet një sinergji afatgjatë që e shtyn të gjithë procesin përpara. Sigurisht që Shqipëria ka të drejtë të ngrejë zërin, të thotë se i kemi plotësuar të gjitha kriteret, sepse unë jam peng i dosjes së një vendi tjetër. Megjithatë, jam i vetëdijshëm se edhe Shqipëria ndan mendimin se në planin afatgjatë nuk i përshtatet dhe shumë vende anëtare besojnë se do të përkeqësojë dinamikën rajonale nëse kjo ndodh”, tha Osmani.

Këtë deklaratë, shefi i diplomacisë e dha gjatë një konferece të përbashkët për media me homologun e tij rumun Bogdan Aurescu, i cili dje ishte për vizitë zyrtare në Shkup. Sipas deklaratës së tij, Rumania nuk është dakord me ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria.

“Nuk ka bisedime për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria. Nuk e mbështesim atë ndarje. E rëndësishme është që të gjendet zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur për të nisur negociatat me të dy vendet së bashku”, tha dje Auresku.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button