Ekzaminimi zviceran për Deharin: Prova më e rëndësishme është përdorur më së paku

Edhe pse thotë se s’ka gjetur ADN të tjetërkujt përveç të Astrit Deharit në objektet që ishin në kontakt me të, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ka konkluduar se trupi i viktimës “përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur”. Ky institut në konkluzionin e pestë të ekspertizës ka thënë se e vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte të riekzaminohej trupi pas zhvarrosjes, megjithatë ka thënë se për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nuk e rekomandon, raporton Koha.net.

Në katër konkluzionet që ky institut ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale thuhet se në objektet në kontakt me Deharin s’janë gjetur ADN të tjetërkujt, se ekzakiminimi i fotografive të këtyre objekteve s’ka nxjerrë gjurmë të gishtave që ka mundur të përdorej, se analizat e gjakut periferik kanë treguar praninë e një metaboliti të kafeinës dhe mosprani të etanolit. Ky institut s’ka rekomanduar analiza plotësuese në fushën e gjenetikës, të daktiloskopisë dhe të toksikologjisë.

Të pesë konkluzionet:

1. Analizat e ADN të ndërmarra mbi objektet që kanë qenë në kontakt me viktimën në një moment të afërt me vdekjen (brisk roje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali), nuk kanë treguar profil ADN tjetër përveçse atij të z.Astrit Deharit.

2. Ekzaminimi i fotografive të objekteve ka treguar se nuk është nxjerrë asnjë gjurmë të gishtave që ka mundur të përdoret. Gjithashtu ekzaminimi i objekteve fizike (shishja e plastikës #5, brisk roje #13, stilolapsi i lidhur për lidhësen e këpucës #14 dhe pjesa e metaltë #17) kanë treguar se tentativa të reja për të gjetur gjurmë të gishtave në këto objekte nuk ishin relevante.

3. Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit kanë treguar praninë e një metabolitit të kafeinës dhe mosprani të etanolit.

4. Nuk rekomandojmë analiza plotësuese në fushën e gjenetikës, të daktiloskopisë dhe të toksikologjisë.

5. Trupi i të ndjerit përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur. E vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte të riekzaminohet trupi pas një exhumimi (zhvarrosje). Megjithatë, duke pasur parasysh sa kohë ka kaluar dhe sa e rëndë është kjo masë, nuk e rekomandojmë.

Materiali i cili është vënë në dispozicion të QURML do të ruhet duke pritur udhëzime të reja nga Prokuroria.

Publikimi i këtyre konkluzioneve erdhi si përgjigje e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj kritikave të pushtetit, më saktësisht të Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ka thënë se nuk e ka komentuar raportin në lidhje me Deharin, por vetëm se ka publikuar konkluzionet e raportit të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

“Prokuroria Speciale siguron opinionin se në asnjë mënyrë nuk ka manipuluar me prova, por vetëm se ka prezantuar mendimin dhe konstatimin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër. Andaj, pretendimet tendencioze dhe dashakeqe të ministres së Drejtësisë, karshi Prokurorisë Speciale janë të paqëndrueshme si dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik. Andaj, kushdo që ka ndonjë dyshim mbi këto përfundime, le t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës për informacione shtesë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, siguron qytetarët se me seriozitet do ta trajtoj rastin në mënyrë të pavarur dhe profesionale deri në zbardhjen e plotë të rastit Dehari. Po ashtu, i sigurojmë opinionin se Prokuroria Speciale në asnjë mënyrë nuk do të ndikohet nga askush që pretendon të ndërhyj në këtë rast. Çfarëdo iniciative për të goditur institucionet e pavarura të drejtësisë është jo e drejtë dhe ka për qëllim që të ulë besimin e qytetarëve në institucionin e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button