Departamenti i Shtetit: Probleme me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut, kushtet e këqija në burgje dhe kërcënimet ndaj gazetarëve

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për situatën e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut, vë në dukje probleme në aspektin e korrupsionit dhe luftës kundër tij, por edhe në fushën e dhunës gjinore dhe në familje, kushteve të këqija dhe çnjerëzore në burgje, si dhe kërcënimeve për dhunë dhe dhunë ndaj gazetarëve.

Në seksionin për respektimin e të drejtave dhe lirive qytetare, në të cilin trajtohen edhe gazetarët e media, theksohet se megjithëse Kushtetuta garanton liri të shprehjes, zbatimi i ligjeve dhe procedurave gjyqësore për palët e treta që kanë ndërmarrë hapa të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve ka qenë i ngadalshëm dhe joefikas.

Theksohet se deri më 20 shtator 2021, Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka shqyrtuar 17 kallëzime penale për kanosje dhe dhunë fizike apo onlajn ndaj gazetarëve, kurse vetëm për tre ka vendim për ndjekje të mëtutjeshme, ndërsa tre të tjera janë përcjellë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) me kualifikimin “kundërvajtje”.

Po ashtu, theksohet se deri më 20 shtator 2021, Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka shqyrtuar tetë kallëzime penale për përhapjen e racizmit ose materialeve ksenofobike nëpërmjet sistemit kompjuterik, ndërsa prokurorët i kanë refuzuar tre kurse për pesë të tjera dhe kanë urdhëruar hetim.

Shpjegimi për lirinë e shprehjes së përfaqësuesve të shtypit dhe mediave të tjera, përfshirë median onlajn, thuhet se megjithëse raportimi mbetet i ndarë sipas kampeve politike, numri i mediave të pavarura me çka  shprehet pluralitet mendimesh është në rritje, pa kufizime të tepruara.

Theksohet se para nga buxheti i shtetit u janë dhënë mediave për të reduktuar goditjen nga Kovid-19, por edhe se shteti subvencionoi reklamat politike në mediat komerciale për fushatën e zgjedhjeve presidenciale.

Gjithashtu theksohet se më dhjetor 2020, qeveria në një thirrje të hapur ndau 30 milionë denarë (përafërsisht 570.000 dollarë amerikanë) për 11 media të shkruara për të mbuluar shpenzimet, kurse Komisioni Kundër Korrupsionit e paralajmëroi qeverinë të vendosë kushte më të sakta për subvencionim për të shmangur shpenzimin “e papërshtatshëm të parave të ndara”.

Lidhur me dhunën fizike, kërcënimet dhe ngacmimet e gazetarëve, përmendet se më 27 gusht Shoqata e  Gazetarëve të Maqedonisë ka regjistruar dy raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Njëri mbi kameramanin e MIA, i cili kishte marrë pjesë në protestën kundër vendimit të gjykatës për rastin “Monstra”, ndërsa rasti tjetri për personin e identifikuar si Arben Esati, i cili në mars ka kërcënuar me vdekje dhe përdhunim gazetarë vendas nga Tetova. Thuhet se Esati është djali i një anesteziologu në pension nga Tetova, i cili i ofroi ndihmë presidentit serb në luftën kundër Kovid-19. Policia, pas raportimit nga SHGM, ka ngritur kallëzim penal kundër personit dhe rasti është në pritje në Prokurorinë Publike. SHGM ka pranuar 20 raporte të tjera nga gazetarët për fyerje, sjellje të papërshtatshme nga autoritetet lokale dhe qendrore apo partive politike, si dhe për transparencë institucionale. Thuhet se deri më 25 gusht, Gjykata Themelore Penale në Shkup ka raportuar për tri procedura kundër gazetarëve janë në zhvillimi e sipër. Gjatë vitit 2021, Gjykata e Apelit në Shkup ka mbështetur dy aktgjykime të Gjykatës Penale të Shkupit, duke dënuar dy të pandehur me një vit e dy muaj burg dhe një tjetër me tre vjet burg për pjesëmarrje në turmë të dhunshme që ka sulmuar dhe lënduar rëndë, ndër të tjerë, edhe një kameraman televiziv gjatë protestave.

Në lidhje me liritë ose censurën në internet, thuhet se nuk ka pretendime bindëse se qeveria i ka përgjuar komunikimet private onlajn pa bazë ligjore.

Në lidhje me korrupsionin dhe jo transparencën e pushtetit, thuhet se ka baza ligjore për ndjekje penale të korrupsionit te autoritetet dhe se autoritetet në përgjithësi e zbatojnë ligjin, por edhe se ka raportime për zyrtarë të përfshirë në korrupsion. Në Raportin e Departamentit të Shtetit theksohet se organizatat e shoqërisë civile kanë vënë në dukje rolin dominues të qeverisë në ekonomi si parakusht për korrupsion. Theksohet se qeveria është punëdhënësi më i madh dhe se në fund të vitit 2020 në sektorin publik kishte 131.183 të punësuar. Thuhet se më 27 prill 2021, Qeveria e ka ndërruar drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski, për shkak të refuzimit që, sipas vendimit të qeverisë, të punësojë 25 nëpunës publikë në inspektorat, si pjesë e 1.349 personave që janë paguar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie me Komuniteteve, e të cilët kanë qenë të paraparë me planin e shpërndarjes të miratuar në Qeveri.

Duke e cituar Strategjinë Kombëtare për Luftën kundër Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, e cila është miratuar më 18 Prill 2021, së bashku me Planin e Veprimit për zbatim, theksohet se më 15 korrik, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Luftën kundër Korrupsionit dhe Konfliktit. e interesit, Biljana Ivanovska, tha se përkundër rritjes së perceptimit të korrupsionit në gjyqësor, vetëm 20 për qind e ankesave të paraqitura në komision ishin për gjyqësorin.

Sa i përket barazisë gjinore, theksohet se në janar të vitit 2021, Kuvendi e miratoi Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, me qëllim parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, dhe se nga janari deri në qershor 2021, Ministria për Punë dhe Çështje Sociale ka regjistruar 789 viktima të dhunës në familje, nga të cilat 530 kanë qenë gra.

Në lidhje me ngacmimet seksuale në vendin e punës, thuhet se ky mbetet një problem dhe se viktimat në përgjithësi nuk i raportojnë rastet nga frika e dënimit dhe pushimit të mundshëm nga puna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button