Osmani- Auresku: Fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është i drejtë, i merituar dhe i domosdoshëm

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ishte nikoqir i Ministrit të Punëve të Jashtme të Rumanisë, Bogdan Auresku, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Njëra nga temat qendrore të bisedimeve ishte agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe implikimet e përgjithshme të këtij akti në stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit evropian, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit.

“Si vend kandidat, Republika e Maqedonisë së Veriut, në tërësi, ose më saktë 100% i bashkëngjitet Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Unionit, duke i përfshirë të gjitha masat dhe sanksionet që Unioni i vendos ndaj Rusisë. Së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi, që gjithashtu kanë 100% harmonizim për këtë çështje me Unionin, krijohet një treshe evropiane e vendeve të Ballkanit, që në tërësi e zbatojnë Agjendën ndërkombëtare evropiane”, deklaroi Osmani, duke theksuar rëndësinë e procesit të integrimit evropian të rajonit, për shkak të situatës së sigurisë.

“Fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo vetëm që është i drejtë dhe i merituar, por për momentin paraqet edhe një hap të nevojshëm dhe të domosdoshëm në drejtim të përforcimit të rolit të rajonit në arkitekturën e sigurisë së kontinentit”, theksoi Osmani.

Ministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj Rumanisë, për ndihmën e ofruar gjatë tërheqjes së shtetasve tanë nga Ukraina: që nga shfrytëzimi i korridoreve të sigurta transportuese, e deri te mundësia për shfrytëzimin e Përfaqësive Konsullore të Rumanisë në pjesën jug-perendimore të Ukrainës, nga ku diplomatët dhe konsujt tanë i tërhoqën qytetarët tanë.

Për dinamikën pozitive të marrëdhënieve bilaterale, flet edhe nënshkrimi i dy dokumenteve ndërkombëtare, të cilat në mënyrë shtesë e pasurojnë gjendjen e dakorduar ndërmjet dy shteteve – Marrëveshja Administrative për zbatimin e Marrëveshjes për sigurim social mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë dhe Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme për bashkëpunim në trajnimet diplomatike.

Në kuadër të vizitës, ministri Auresku do të pritet edhe nga presidenti, Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, ndërsa do të realizojë takim edhe me zëvendëskryetarin e Qeverisë të Ngarkuar për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button