Shaqiri kërkoi mirëkuptim nga SAShK-u: Negociatat të vazhdojnë, por edhe mësimi të vazhdojë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot në një konferencë për media tha se do t’i paraqesë kërkesë Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në të cilën do të kërkojë vazhdimin e negociatave, por edhe vazhdimin e mësimit në shkolla, gjegjësisht ndërprerje të grevës, transmeton Portalb.mk.

Ai shtoi se për momentin nuk duhet lejuar që fëmijët të mos vijojnë mësimin, andaj ka kërkuar nga anëtarësia e SASHK-ut dhe mësimdhënësit që të kthehen në mësime, me shpresë se kërkesa do të pranohet.

“Dje nga unë personalisht dhe nga të gjithë anëtarët e Qeverisë është kërkuar që të vazhdojmë me negociatat e përditshme dhe njëkohësisht të vazhdojë mësimin. Përfaqësuesve të SAShK-ut do t’u parashtroj kërkesë që mirëkuptimi dhe mësimi të vazhdojë, por në të njëjtën kohë në atë kërkesë do të ketë edhe premtim se do ta përmbushim në një kohë sa më të shkurtër kërkesën e tyre të parë, me zgjidhje sistematike për kërkesën e dytë, të tretë, por edhe të vazhdojmë me bashkëpunime të tjera përveç pagave për të arritur zgjidhje për procesin arsimor”, tha Shaqiri.

Ndër të tjera Shaqiri shpreson se nga e hëna do të normalizohet procesi arsimor.

“Besoj se nëse jo prej nesër, prej të hënën do të normalizohet procesi arsimor”, shtoi ai.

Lidhur me kërkesat e SASHK-ut për rritjen e pagave në arsim për 18.4 për qind, Shaqiri ka theksuar se kërkesa është legjitime dhe se paga më të larta do të ketë.

“Unë si ministër dhe Qeveria asnjëherë nuk kemi thënë që nuk hyjmë në këtë proces për paga më të larta. Kërkesa për rritje të pagave të mësuesve është legjitime dhe do të ketë paga më të larta. Ky është një angazhim i Qeverisë dhe për këtë arsye është rritur paga minimale në fillim të muajit të kaluar, për të cilën do të bien dakord të gjithë të tjerët dhe ato në arsim, ku do të ketë rritje shtesë me përqindje të caktuar për të cilën aktualisht jemi duke negociuar. Është një proces që do të vazhdojë edhe sot edhe nesër, derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare dhe e pranueshme për të gjithë të interesuarit”, tha Shaqiri, duke shtuar se Qeveria ka mirëkuptim për situatën ekonomike, por kërkoi edhe vazhdimin e mësimit dhe negociatave.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se kur do të mbahet takimi i radhës me Sindikatën, ministri Shaqiri tha se bisedimet do të vazhdojnë, por theksoi se do të presë përgjigje nga SASHK-u lidhur me shkresën nga Ministria, e më pas siç ai tha, të mund të parashikojë hapat e duhur.

“Pas shkresës pres që të kthejnë ose të japin përgjigje zyrtare për këtë dhe pastaj do të parashikoj hapat e duhur lidhur me atë shkresë”, shtoi Shaqiri.

Dje pasdite u mbajtë takimi i ri mes të Ministrisë së Arsimit dhe SAShK-ut, i cili nuk përfundoi me marrëveshje mes dy palëve, pasi siç theksoi kryetari i SASh-ut, nuk kanë marrë ndonjë propozim konkret nga Ministria lidhur me rritja e pagave në arsim.

“Për fat të keq nuk kemi lajme të mira për publikun, greva do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për arsye nuk kemi premtim konkret se rritja e pagave do të jetë në masën e ndonjë përqindje”, tha kryetari i SAShK-ut, Jakim. Nedelkov, pas raundit të djeshëm të negociatave me MASh-in.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button