Dita 49: BE-ja u pajtua të dërgojë edhe 500 milionë euro ndihmë ushtarake në Ukrainë

Presidenti i SHBA Joe Biden për herë të parë tha se pushtimi i Moskës në Ukrainë përbën gjenocid, pasi Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia do të vazhdojë “në mënyrë ritmike dhe të qetë” operacionin e saj dhe do të arrijë qëllimet e saj. “Po e kam quajtur gjenocid. Shuma – provat po shtohen. Është ndryshe nga ajo që ishte javën e kaluar”, deklaroi Biden. Gjenocidi nënkupton krimin më të rëndë kundër njerëzimit – shfarosje masive e një grupi të caktuar njerëzish, transmeton Portalb.mk.

18:18- BE-ja u pajtua të dërgojë edhe 500 milionë euro ndihmë ushtarake në Ukrainë

Të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evroian ranë dakord të dërgojnë 500 milionë euro të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën, njoftoi të mërkurën nëpërmjet një deklarate diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell. Ai tha se është thelbësore që Bashkimi Evropian të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, derisa Rusia përgatitet për një sulm të ri në lindje të vendit pasi “javët e ardhshme do të jenë vendimtare”.

Kjo është paketa e tretë e ndihmës ushtarake që BE-ja ka rënë dakord të dërgojë në Ukrainë, prej fillimit të pushtimit rus. Në total, BE-ja ka dërguar 1.5 miliard euro ndihmë ushtarake.

Në muajt shkurt dhe mars, BE-ja njoftoi për dy këste të mëparshme të ndihmës ushtarake, secila me vlerë prej 500 milionë eurosh, që ishte hera e parë që bllokun armatos një vend që nuk është anëtar i BE-së.

Ndihma prej 500 milionë eurosh përfshin pajisje, karburante, pajisje mjekësore dhe armë. Qeveria ukrainase ka njoftuar se vende të tjera të BE-së, si Sllovakia dhe Republika Çeke kanë ofruar tashmë armatim të rëndë.

13:19 – Gjermania reagoi pas vendimit të Zelenskit për të mos pritur Steinmeierin: Jemi vende mike, kjo vizitë duhet të kishte dërguar sinjal pozitiv

Liderët politikë gjermanë reaguan me habi dhe moskuptim ndaj refuzimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për ta pritur presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier.

“Presidenti gjerman ka qenë në mënyrë të qartë dhe patjetër në anën e Ukrainës. Gjermania ishte dhe është ende një nga mbështetësit më të vendosur të Ukrainës dhe ky fakt është i lidhur ngushtë me aktivitetet afatgjata të presidentit gjerman”, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane.

Zëdhënësja e politikës së jashtme e Partisë Social Demokratike të Gjermanisë (SPD) në pushtet, Nils Schmid, shprehu pakënaqësinë për vendimin e Kyivit. “Kjo është më shumë se e papërshtatshme: ne jemi vende mike dhe vizita e presidentit gjerman së bashku me presidentët e tjerë duhet të ishte një sinjal pozitiv”, tha Schmid, duke shtuar se vendimi i Kyivit në Gjermani “është krejtësisht i pakuptuar”, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.

Steinmeier kishte planifikuar ta vizitonte Kyivin së bashku me presidentët e Polonisë, Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë, por qeveria ukrainase hodhi poshtë synimin e tij dhe në vend të kësaj ftoi në mënyrë specifike kancelarin gjerman Olaf Scholz për të diskutuar ndihmën e mëtejshme ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën.

Reagimi i Kyivit u kritikua ashpër edhe nga grupi parlamentar më i madh opozitar i Unionit, CDU/CSU. Zëdhënësi i politikës së jashtme Juergen Hard tha se kjo ishte një “barrë e rëndë për marrëdhëniet gjermano-ukrainase”. Ai i kërkoi kancelarit gjerman që sot ta telefononte presidentin ukrainas, Zelensky.

Ukraina e ka akuzuar në disa raste Steinmeierin si një ish-ministër i Jashtëm dhe një nga drejtuesit e SPD-së përgjegjës për politikën e butë të Berlinit ndaj Moskës. Pak ditë më parë, Steinmeier pranoi se ka bërë gabime në të kaluarën në ndërtimin e marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Rusisë dhe kërkoi falje për këtë.

13:06 – Rusia pretendon që janë dorëzuar mbi 1.000 marinsa ukrainas

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë që më shumë se 1.000 marinsa ukrainas janë dorëzuar te forcat ruse në qytetin e rrethuar të Mariupolit, pretendim për të cilin zyrtarët ukrainas kanë thënë se as nuk mund ta komentojnë dhe as konfirmojnë.

Nëse verifikohet, dorëzimi do të përbënte goditje të madhe në përpjekjet ukrainase për të kontrolluar Mariupolin, në të cilin janë kryer luftime të ashpra prej kur ka nisur pushtimi rus në Ukrainë më 24 shkurt, transmeton REL.

Teksa konvojet me pajisje ruse janë duke lëvizur nga drejtime të ndryshme drejt lindjes së Ukrainës, një zyrtare e lartë ukrainase ka thënë se nuk do të ketë korridore humanitare për evakuim të civilëve në disa lokacione më 13 prill.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram, zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk, ka akuzuar trupat ruse se nuk po zbatohen kushtet për të mundësuar evakuimet.

“Në rajonin Zaporizhja rusët kanë penguar evakuimin e autobusëve dhe në rajonin Luhansk ata janë duke shkelur armëpushimin”, ka thënë ajo.

Në Mariupol, televizioni shtetëror rus ka shfaqur një video të disa trupave ushtarake duke lëvizur me duart lart.

Sipas televizionit ata kanë qenë marinsa ukrainas që janë dorëzuar.

Pamje të ngjashme kanë qarkulluar edhe në llogaritë në rrjetet sociale që janë pro-Kremlinit.

Videot nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk u është përgjigjur kërkesave për koment, ashtu sikurse Ministria e Mbrojtjes.

Vadym Denysenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme ukrainase, ka refuzuar pretendimin rus, duke i thënë televizionit Current Time, se kjo gjë nuk është konfirmuar nga ushtria ukrainase.

11:47 – Finlanda sot do të fillojë debatin për anëtarësim në NATO

Finlanda sot do të fillojë debatin që mund të çojë në aplikimin e vendit për anëtarësim në NATO brenda disa javësh, raporton BBC.

Raporti, i bërë me kërkesë të qeverisë dhe i publikuar sot, shqyrton mjedisin “thelbësisht të ndryshuar” të sigurisë, sipas Ministrisë së Jashtme finlandeze mbi procedurën që do të duhet të kalojë në parlament.

Fillimi i debatit publik është planifikuar për një javë më vonë, thekson BBC.

Deri së fundmi, shumica e finlandezëve nuk dëshironin anëtarësimin në NATO, por pushtimi rus i Ukrainës i detyroi ata të rishqyrtojnë pikëpamjet e tyre. Sondazhet e fundit tregojnë se shumica tani mbështet anëtarësimin në Aleancë.

Një ditë pas sulmit në Ukrainë, Rusia paralajmëroi Finlandën dhe Suedinë se ishte kundër anëtarësimit në NATO.

09:22 – Liderët e Polonisë, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë për vizitë në Ukrainë

Liderët e Polonisë, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë do të shkojnë në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Në postimin e publikuar në llogarinë në Twitter të presidentit të Estonisë, Alar Karis, shihej se liderët bënë një foto jashtë një treni që i përket Ukrainës, por nuk u dhanë detaje për vizitën.

Karis në një deklaratë tha: “Ne jemi duke vizituar Ukrainën me Andrzej Duda, Gitanas Nauseda dhe Egils Levits për të treguar mbështetjen tonë të fortë për popullin ukrainas. Ne do të takohemi me mikun tonë të dashur, presidentin Zelenskyy”.

Përveç presidentit estonez, Karis, në vizitë marrin pjesë edhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda dhe presidenti i Letonisë, Egils Levits.

08:46 – Biden akuzoi Rusinë për “gjenocid” në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës përbën “gjenocid” dhe e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin se po tenton të “zhdukë idenë” që dikush ta quajë veten ukrainas.

Putin, në anën tjetër, është zotuar se lufta do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet.

Biden i ka konsideruar veprimet e Rusisë në Ukrainë si “gjenocid”, përgjatë një fjalimi që ka mbajtur në Ajoa më 12 prill, duke thënë se buxheti i familjeve amerikane ose mundësitë e dytë për të blerë benzinë nuk duhet të varen nga fakti “nëse një diktator shpall luftë dhe kryen gjenocid gjysmë bote larg”.

Ai më vonë ka përsëritur qëndrimin e tij, duke iu thënë gazetarëve se e ka quajtur luftën e Rusisë në Ukrainë si gjenocid “sepse është bërë secilën herë e më qartë se Putin është duke synuar që të zhdukë idenë që dikush të jetë ukrainas dhe të dhënat po shtohen”.

Ai ka thënë se avokatët mund të vendosin nëse veprimet e palës ruse konsiderohen gjenocid, “mirëpo ashtu me duket mua”.

Komentet e Bidenit kanë ardhur teksa mediat amerikane kanë raportuar se Pentagoni do të zhvillojë një takim me prodhueset më të mëdha të armëve në Shtetet e Bashkuara, për të diskutuar mundësitë e kësaj industrie që të mbështet Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Zyrtarët pritet të diskutojnë propozimet për të rritur prodhimin aktual dhe që të zhvillojnë sisteme të reja, të cilat janë kyçe për t’i ndihmuar Ukrainës, është thënë në raportimet e mediave amerikane.

Në takim pritet të jenë tetë kompanitë më të mëdha për prodhim të armëve, përfshirë, General Dynamics, Raytheon dhe Lockheed Martin.

Shtetet e Bashkuara po ashtu pritet të njoftojnë se do të dërgojnë ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainë – në vlerë të qindra miliona dollarëve – kanë raportuar mediat amerikane, duke cituar burime të paidentifikuara.

Shuma përfundimtare nuk është finalizuar, mirëpo pritet të jetë rreth 700 milionë dollarë.

Nëse miratohet, dërgesa shtesë do të çonte ndihmën e SHBA-së për Ukrainën në më shumë se 3 miliardë dollarë, prej nisjes së udhëheqësisë së Bidenit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje SHBA-së dhe Evropës që të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë për të luftuar agresionin rus.

Forcat ruse po vazhdojnë të lëvizin drejt lindjes së Ukrainës, ku pritet të zhvillohet një ofensivë në rajonin e Donbasit, derisa situata rëndohet në qytetin e Mariupolit, ku mijëra persona raportohet se janë vrarë.

Komandantët ukrainas dhe zyrtarë të Perëndimit kanë thënë se Rusia po vazhdon të largojë trupat nga Kievi dhe Bjellorusia drejt Harkivit dhe rajoneve, Donjeck dhe Luhansk, ku ka luftime të vazhdueshme prej vitit 2014.

Zyrtarët presin që Rusia të nisë ofensivë të re, dhe synon të marrë kontrollin e rajoneve, Donjeck dhe Luhansk, të cilat ende kontrollohen nga forcat qeveritare të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas dhe ata të Perëndimit kanë thënë se janë duke hetuar raportimet se mund të jenë përdorur armë kimike kundër luftëtarëve në Azov dhe në marinsave ukrainase në Mariupol.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Armë Kimike ka thënë se është e “shqetësuar” nga raportimet e pakonfirmuara për mundësi të përdorimit të armëve kimike në Mariupol.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara “nuk mund të konfirmojnë asgjë”, mirëpo ka shtuar se Uashingtoni ka “informacion kredibil”, që forcat ruse mund të kenë përdorur shumëllojshmëri agjentësh, duke përfshirë gazin lotsjellës të përzier me agjentë kimikë.

Duke folur më 12 prill nga lindja e Rusisë, Putin i ka quajtur luftën dhe objektivat ushtarake, “absolutisht të qarta dhe fisnike” dhe ka parashikuar që forcat ruse do të jenë të suksesshme.

Lideri rus ka përsëritur se forcat ruse janë duke i ndihmuar popullit në Ukrainë dhe një tjetër pretendim të Kremlinit se rusishtfolësit në Ukrainë janë në rrezik.

Putin ka thënë se bisedimet e kohëpaskohshme për paqe janë në “rrugë qorre”, mirëpo Mykhaylo Podolyak, këshilltar i Zelenskyt, ka thënë se bisedimet për paqe janë shumë të vështira, mirëpo që janë duke vazhduar në nivelin e nëngrupeve punuese.

Ai i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se Rusia po tenton të rrisë presionin në bisedime përmes deklaratave publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button