fbpx

SASHK filloi sot grevën në çerdhe dhe shkolla

Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) sot filloi grevën në çerdhe, shkollat fillore dhe të mesme. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) Jakim Nedelkov dje njoftoi se mësimdhënësit që janë në grevë nga nesër do të qëndrojnë në hapësira të përbashkëta të dakorduara me drejtorët e shkollave dhe kopshteve dhe nuk do të kryejnë aktivitet edukativo-arsimor, ndërsa përgjegjësi e drejtorëve është që të organizojnë pritjen e fëmijëve që do të vijnë përfundimisht në shkolla, transmeton Portalb.mk.

“Greva do të zgjasë derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme reciprokisht. Prandaj i bëj thirrje Qeverisë që sa më parë të na thërrasë për bisedime dhe sa më shpejt të gjejmë një zgjidhje të pranueshme reciproke dhe të fillojmë mësimin e rregullt. Përndryshe, e gjithë përgjegjësia se pse nxënësir nuk kanë një të drejtë elementare të garantuar për arsim do të bie mbi ministritë dhe Qeverinë”, tha Nedellkov.

Nedelkov theksoi se SASHK nuk do t’i mbyllë shkollat ​​dhe çerdhet, por askush nuk ka të drejtë t’i detyrojë të punësuarit të pranojnë fëmijët gjatë grevës dhe i bëri thirrje qeverisë që sa më parë të fillojë negociatat me sindikatat për të gjetur zgjidhje për kërkesat, greva do të zgjasë derisa të gjendet një zgjidhje.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës sot tha se një pjesë e shkollave kanë filluar grevën, ndërkaq një pjesë tjetër vazhdon procesin e mësimit, ai shtoi se si MASH ende nuk e kanë numrin e saktë të shkollave që janë pjesë e grevës.

“Unë mendoj që ashtu si në këtë shkollë, në shumicën e shkollave fillore dhe të mesme në vendin tonë, në ditën e sotme një pjesë e mësimdhënësve pranojnë nxënësit, një pjesë tjetër nuk i pranojnë dhe janë të kyçur në grevë. Jemi të hapur për këtë negocim që të gjejmë edhe një zgjidhje për situatën aktuale, brenda kohës po diskutojmë edhe me Ministrinë e Financave për të gjetur zgjedhje sistemore, që në çdo rritje të pagës minimale të rriten edhe pagat tjera dhe mos të këtilla në vitet e ardhshme”, tha Jeton Shaqiri.

Dje, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) njoftuan se mësimi nuk do të ndërpritet dhe se fëmijët do të shkojnë në shkolla dhe kopshte.

“Rregullativat juridike në këtë fushë i mbrojnë  interesat e nxënësve në përputhje me ligjin për shkollat fillore dhe të mesme, punën edukativo-arsimore duhet ta realizojnë gjatë tërë vitit mësimor.  Nuk guxon të ketë ndërprerje vetëm në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme sikurse ekzistimi i gjendjes së krizës, gjegjësisht pandemisë, zjarreve, vërshimeve, ose  fatkeqësive tjera natyrore për të cilat  vendos Qeveria ku e rregullon mënyrën e organizimit dhe realizimin e mësimit deri në fund të vitit shkollor”, thuhet në njoftimin e MASH.

“Në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e drejta e patjetërsueshme e fëmijëve është që t’u sigurohet kujdes dhe arsimim në institucionet parashkollore si një formë e mbrojtjes së fëmijëve. Sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, në institucionet parashkollore për fëmijë, kryerja e veprimtarisë së përkujdesit dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë nuk guxon të ndërpritet përveç rasteve emergjente (fatkeqësi natyrore, epidemi etj.), për të cilat vendos themeluesi, dhe paraprakisht me pëlqimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, por jo gjatë grevës”, njoftuan nga MPPS.

Ndryshe, SASHK ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në arsim nga 11 prilli, pasi Qeveria nuk vendosi deri më 15 mars në lidhje me rritjen e pagës.

“Kemi një tekst të marrëveshjes kolektive të përgatitur nga grupet punuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK-ut. Ajo që ne kërkojmë është harmonizimi me pagën minimale prej 18 mijë me kontrata kolektive, ajo të inkorporohet në kontratat kolektive, ku bazë për llogaritjen e pagës do të jetë paga minimale kombëtare. Duke qenë se paga minimale do të jetë 18.000 denarë, atëherë baza do të jetë 18.000 denarë, e cila do të shumëzohet me faktorin përkatës të kompleksitetit të vendit të punës. Në këtë mënyrë do të shmanget barazuesi, që po rritet gjithnjë e më shumë tash e disa vite – njerëzit me punë të ndryshme dhe kompleksitete të ndryshme të punës marrin të njëjtën pagë”, pati deklaruar para një muaji kryetari i SASHK-ut, Nedellkov.

Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e pastruesit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një pastruesit në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button